Deputeti i opozitës: SPAK kërkon arrestimin, Rama mbron Ballukun dhe pengon drejtësinë! Ka prova se po intimidon dëshmitarët, po përdorin artifica ligjore me afatet

Jan 30, 2026 | 16:05

Mazhoranca dhe qeveria po mbrojnë zv/kryeministren Belinda Balluku duke përdorur së fundmi edhe artifica ligjore dhe procedura afatesh, me qëllim që ta shpëtojnë nga arrestimi prej SPAK-ut dhe që të mos i hiqet imuniteti në Parlament.

luan baci1

Deputeti Luan Baçi denoncoi pushtetin dhe kryeministrin Edi Rama se “janë zhveshur lakuriq” dhe kanë dalë “hipokritë politikë” para qytetarëve, pasi po përdorin standarde të dyfishta nga ato që deklaronin vite më parë për drejtësinë dhe zbatimin e ligjit.

“Rama u zhvesh lakuriq, hipokrit me tezat e tij politike para qytetarëve, edhe në atë që deri dje e quante fjalë të parë, drejtësisë, që e quante arritje të PS. Sot i del përballë drejtësisë dhe e ndalon të bëjë punën e saj, kur kemi fakte konkrete. Kemi zv/kryeministren Belinda Balluku që ka pasur më shumë se gjysmën e buxhetit në dorën e saj, buxhetin e  këtij vendi, kemi afera të dukshme të frikshme dhe SPAK i ka vënë përballë provave konkrete, ka edhe intimidim dëshmitarësh, ndaj SPAK kërkon edhe me shpejtësi arrestimin e saj dhe heqjen e imunitetit, por  shikojmë një kryeministër që e ndaloi SPAK-un me artifica ligjore, me rrugët e pandershme, duke e çuar në Kushtetuese, duke mos mbledhur Këshillin e Imuniteteve se po pret Kushtetuesen e më pas me Venecian”, tha ligjvënësi opozitar në studion e “News 24” ditën e sotme, duke folur për aktualitetin politik.

Ai komentoi se kryeministri ka hallin personal, ndaj po mbron vartësen e tij nga drejtësia, duke përdorur çdo strategji.

Për Baçin, ky është edhe një nga motivet e zemërimit qytetar dhe përdorimit të molotovit në mënyrë simbolike gjatë protestave.

“Duke e çuar çështjen në Kushtetuese, duke mos mbledhur Këshillin e Mandateve, mbase ka vendosur të kalojë afatin 3 mujor dhe të mbajë Ballukun afër vetes sepse e di që nëse ikën Balluku i vjen radha atij”, tha deputeti demokrat, duke nxjerrë në pah një tjetër taktikë të mazhorancës për të shpëtuar Ballukun.

Baçi deklaroi se protestat opozitare do të jenë të pandalshme dhe të përhershme, më të organizuara dhe më të fuqishme, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të lira, plotësimit të kërkesave dhe dorëheqjes së qeverisë.

© Panorama.al

Te lidhura