Deputetët: Votë në këmbim të dorëheqjes së Papandreut

Nov 5, 2011 | 13:11

Votëbesimi i qeverisë Papandreu në Greqi ishte i domosdoshëm për t’u marrë, për të evituar kaosin në Greqi, jo vetëm atë të procesit zgjedhor politik, por edhe atë financiar. Mungesa e votëbesimit për planin e ri të kursimit sjell rrezikun e humbjeve të marrëveshjes së huas me FMN e BE dhe daljen nga eurozona. Të këtij mendimi ishin shprehur një pjesë e mirë e deputetëve grekë, madje edhe ata që janë kryekëput kundër Jorgo Papandreut. Ata i kanë vënë si kusht në këmbim të votëbesimit, dorëheqjen e tij vullnetare sot. Papandreu kërkon të krijojë një qeveri koalicioni (apo uniteti kombëtar), por kundërshtari i tij, kreu i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, kërkon një qeveri të përkohshme tranzicioni të drejtuar nga kushdo përveç Papandreut, me predispozitën për të miratuar marrëveshjen e borxhit dhe shtrimin e rrugës për zgjedhje të parakohshme. Qeveria socialiste në Greqi duket tejet e dobësuar nga thirrja e dështuar për referendum e Kryeministrit Papandreu, ndaj grekët e kanë quajtur poshtëruese. Liderë politikë në Greqi të të gjitha palëve kanë kuptuar se e ardhmja monetare e Greqisë varet në një fije peri. Për sa kohë ata nuk do të kenë miratuar në kuvend masat e kursimit të propozimit të ri europian, nuk do të mund ta marrin këstin prej tetë miliardë eurosh nga FMN dhe BE. Grekët kishin nevojë urgjente për këtë këst, i cili duket se nuk do të jepet para 15 dhjetorit.
Tre skenarët
Sipas analistëve të Reuters, zgjedhjet në Greqi janë të paevitueshme. Ata kanë parashikuar tre skenarë që mund të ndodhnin në Parlamentin grek në orët e para të së shtunës, të cilët kishin një fund të njëjtë: zgjedhjet e reja. Sipas skenarit të parë, qeveria e merr votëbesimin nga Parlamenti dhe Papandreu ndjek konsultime me Demokracinë e re për të formuar një qeveri uniteti me një tjetër kryeministër. Ky skenar ka më shumë gjasa të ndodhë me ish.zv/presidentin e Bankës Qendrore Europiane, Lukas Papadimos, si emri më i përfolur për ta drejtuar atë.
Kjo qeveri nuk do të rezistojë gjatë duke shkuar drejt përcaktimit të zgjedhjeve dhe duke e lënë Greqinë në kaos. Skenari i dytë është se qeveria nuk e merr votëbesimin dhe shkohet në zgjedhje pas një muaji, të cilat favorizojnë pa shumicë absolutë Demokracinë e Re, por mungesa e koalicionit mund të çojë sërish në zgjedhje. Skenari i tretë është se Papandreu nuk merr votëbesimin. Partitë politike, për të marrë këstin e gjashtë prej tetë miliardë eurosh, përpiqen të formojnë një qeveri tranzicioni, që do të marrë frerët për të siguruar ndihmën ndërkombëtare. Presidenti jep 3 ditë kohë për të formuar qeveri koalicioni, por edhe ky proces kërkon minimumi një muaj kohë, duke rrezikuar sërish këstin e ndihmës ndërkombëtare.
Votat e pasigurta
Zyrtarisht partia e Papandreut, PASOK, ka 152 ulëse, nga 300 që janë në Parlament, një shumicë me dy vota. Por të enjten, Eva Kaili, një deputete e PASOK, deklaroi se ajo nuk do ta mbështesë Papandreun. Ajo tha se “Unë nuk heq dorë nga mandati që më kanë dhënë qytetarët e zonës sime, por unë nuk do t’ia jap votën e besimit qeverisë suaj”. Kjo duket se do ta lërë Papandreun në mëshirën e një vote të vetme. Por edhe ajo mund të mos jepet, pasi një tjetër deputet i PASOK, Dimitris Lintzeris, tha të enjten se Papandreu duhet të japë dorëheqjen. Por ka disa deputetë të pavarur (që janë larguar nga PASOK), të cilët mund të vendosin ta mbështesin Papandreun nga frika e skenarit pas rrëzimit të qeverisë.
Por ka deputetë të tjerë që do t’ia japin votëbesimin Papandreut në këmbim të dorëheqjes së tij më pas, për të formuar një qeveri uniteti kombëtar. Ministri grek i Shëndetit, Andreas Loverdos, aleat i ngushtë i rivalit të Papandreut brenda PASOK, ministrit të Financave, Evangelos Venizelos, i ka dërguar një letër Papandreut, ku i thotë “Nëse nuk ka lëvizje drejt krijimit të një qeverie uniteti kombëtar, unë nuk do të kem asnjë marrëdhënie me këtë proces”.

90 per qind
e gjermanëve duan që Greqia të dalë jashtë eurozonës, sipas një sondazhi të fundit që u krye në këtë vend. Rritja e “kundërshtarëve” të Greqisë i atribuohet thirrjes së dështuar për referendum nga Papandreu.

8 miliarde euro
është kësti që Greqia pret të marrë nga BE dhe FMN, si pjesa e gjashtë e paketës së parë të huasë për Athinën. Kësti është pezulluar deri kur Greqia të qartësojë bashkëpunimin me eurozonën.

Zyrtarizohet
U zyrtarizua anulimi i referendumit në Greqi, duke shënuar një dështim të madh për Kryeministrin Papandreu, i cili për këtë vendim (mbajtjen e referendumit për masat e kursimit që kërkon Europa) nuk u konsultua me askënd, por e bëri njoftimin surprizë në mbledhjet e Grupit Parlamentar të PASOK, duke irrituar të gjithë Europën. Dje, Greqia i ka konfirmuar Bashkimit Europian se referendumi për paketën e shpëtimit nuk do të mbahet. Mesazhi u dha nga ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos, i cili ishte një nga njerëzit që bëri thirrje për anulimin e tij.

Protesta
Mijëra njerëz kanë mbushur sheshin “Syntagma”, për të protestuar kundër paketës së kursimit propozuar nga BE, dhe për të dëgjuar Aleka Papariga, kryetarja e Partisë Komuniste. Ajo i tha turmës se përgjigjja e vetme ishte “lufta” për masat “barbare” të kursimit, që do të paraqesë në mënyrë të paevitueshme paketa e re e Greqisë. Fjalimi i saj u hap me tingujt e Bolshevikes ruse. Demonstruesit kërkuan largimin e të 300 deputetëve dhe formimin e  një komiteti shpëtimi “kombëtar” të mbikëqyrur nga ekonomistë, ekspertë, teknokratë, të cilët nuk kanë qenë kurrë në pushtet.

Jashtë euros

Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, sipas “Daily Mail”, ka konfirmuar dje në mëngjes se liderët e eurozonës po planifikojnë për një jetë pa Greqinë. Deklarata u bë e qartë edhe në samitin e G20, ku liderët kryesorë të eurozonës, kancelarja gjermane, Anxhela Merkel dhe Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, thanë se shpëtimi i euros është më i rëndësishëm se shpëtimi i Greqisë. “Ne nuk duam që Greqia të dalë jashtë euros, por kemi disa marrëveshje dhe, nëse marrëveshjet nuk zbatohen, ne nuk mund t’i detyrojmë grekët të qëndrojnë”, ka deklaruar Sarkozi.

Recesioni
Kërcënimi për një recesion të ri global u ndje edhe më shumë dje, kur samiti i G20 u mbyll pa marrëveshje të rëndësishme. Liderët nuk ishin në gjendje të binin dakord mbi rritjen e një fondi ndihme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për të ndihmuar qeveritë e vendeve në vështirësi, ndërsa Italia u pa si epiqendra e krizës europiane, pas Greqisë. Barak Obama, nën presionin e Kongresit të tij, ngurroi shumë për të kontribuar për një zgjerim të fondit të FMN-së, pa marrë sinjale të qarta se eurozona po i zgjidhte problemet e saj. Shpresohej se në G20 do të gjendej një marrëveshje për të rritur burimet e FMN-së nga 250 miliardë dollarë, në më shumë se 1 trilion dollarë. Takimi i ardhshëm i G20 do të jetë në shkurt 2012.

© Panorama.al

Te lidhura