“Deputetët e PD nuk lejohen nga lidershipi për të marrë pjesë në Komision”- Balla: Shpresoj që të reflektojnë, në të kundër vendosim mekanizmin zhbllokues

Feb 2, 2026 | 11:24

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla në një prononcim për mediat tha se deputetët e PD nuk lejohen nga Sali Berisha që të marrin pjesë në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.

balla

Balla shpreson në një reflektim të demokratëve, për pjesëmarrjen ne komision ditën e sotme, në të kundërt, ai paralajmëroi se nesër në Kuvend do të aktivizohet mekanizmi zhbllokues.

“Unë nuk bëj ultimatume, por kam bërë një kërkesë kolegëve të PD që të reflektojnë sa i përket detyrimit që kanë për të zbatuar vendimin e Kuvendit për ngritjen e Kuvendit të Posaçme për Reformën Territoriale.

Tre muaj pas ngritjes së Komisionit, deputetët e PD nuk lejohen nga lidershipi i tyre për të marrë pjesë. Besoj dhe shpresoj që në mbledhjen e sotme, jo vetëm deputetët e opozitës të jenë prezent, por të marrin edhe detyrat, në mënyrë që nesër ne seancën e Kuvendit të mos vendosim mekanizma zhbllokues.

Ky mekanizëm zhbllokues do të aplikohet tek komisioni i posacëm për territorialen, nëse nuk ka reflektim dhe Shqipëria është e detyruar të adresojë rekomandimet shumë vjeçare të ODIHR.

Unë mendoj që dialogu e ka parakusht të vetëm pjesëmarrjen. Me këtë të dialogoj, kur ai nuk vjen”, tha Balla.

© Panorama.al

Te lidhura