Deputetët shpenzojnë gjysmën e buxhetit të Kuvendit të Shqipërisë vetëm për pagat dhe dietat e tyre. Sipas relacionit të Kuvendit për realizimin e buxhetit të vitit 2010, mësohet se nga fondi prej afërisht 800 milionë lekësh që ka pasur në dispozicion Kuvendi, gjysma e tyre ose afërsisht 4 milionë dollarë janë përfituar nga deputetët. “Peshën më të madhe specifike e zënë përfitimet që deputetet gëzojnë nga statusi i deputetit dhe ato janë 47 për qind e totalit të shpenzimeve. Këtu përfshihen përfitimet financiare për shpenzime telefoni, karburant, qira banesë, honorare për pjesëmarrje në komisione, dieta për pjesëmarrje në aktivitete parlamentare si pjesëmarrje në komisione, seanca plenare dhe mbledhje të grupeve parlamentare etj”, thuhet në dokumentin e Kuvendit. Në këtë relacion thuhet se dietat për jashtë shtetit zënë 12 për qind të buxhetit, shpenzime telefonisë fikse dhe celulare (nuk përfshihet përfitimi deputeteve për telefon) zënë 8 për qind. Abonimet, duke përfshirë Fletoren Zyrtare që sipas statusit të deputetit Kuvendi duhet t’i sigurojë çdo deputeti një kopje falas, zë një shpenzim prej 8 për qind. Shpenzime të tjera janë bërë për organizim aktivitetesh, mirëmbajte ndërtese, materiale pastrimi, honorare specialistësh të komisioneve Ad hoc, mirëmbajtje pajisje zyrash, kondicionerë, ashensorë, fotokopje etj.
Deputetët e PS
Shpenzimet për paga dhe kontribute të sigurimeve shoqërore u realizuan në masën 94 për qind nga Kuvendi dhe mosrealizmi prej 6 për qind ka të bëjë me bojkotin e socialistëve. “Gjatë vitit 2010 pagesa e deputeteve nuk ka qenë e plotë, për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve të opozitës në aktivitetet parlamentare. Hyrja në fuqi e vendimit nr. 35 të Kuvendit, datë 20.05.2010, ka sjellë ndalesa të pjesshme të pagës për të gjithë deputetët që nuk kanë marrë pjesë në aktivitetet parlamentare për shkaqe të papërligjura”, thuhet në relacion. Fondi i pagave u akordua për një numër punonjësish të miratuar në ligjin e buxhetit gjithsej për 349 vetë, por u realizua për një numër faktik, 204 punonjës administrate dhe 126 deputetë.
Nga buxheti iu akordua Kuvendit një fond prej 142 milionë lekësh për investime, nga të cilat peshën kryesore e zinin rikonstruksioni i sallës së seancave plenare dhe rikonstruksioni i Kryesisë se Kuvendit.
Shiten makinat, 34 deputetë parablejnë veturat e Kuvendit
Kuvendi ka arritur të shesë pothuaj të gjitha makinat që kishte në dispozicion, ku 34 deputetë kanë parablerë makinat që kishin në dispozicion. “Në zbatim të VKM nr. 1242 datë 16.12.2009, pika V e këtij vendimi, me të drejtën e parablerjes nga zyrtarët që e kishin autoveturën në përdorim, janë shitur 34 autovetura dhe janë arkëtuar në buxhetin e shtetit 15 milionë lekë. Dhe me pas, me ankand të hapur janë shitur 47 autovetura, nga të cilat janë arkëtuar në buxhetin e shtetit 14.7 milionë lekë”, thuhet në dokumentin e Kuvendit. Kuvendi ka arritur të kursejë nga ky operacion. “Vlen të përmendet që efekti vjetor i zbatimit të ligjit nr. 10160, datë 15.10.2010, ligji për heqjen e autoveturave të deputeteve dhe disa nëpunësve të lartë të shtetit dhe akteve të tjera nënligjore, në zbatim e tij në institucionin e Kuvendit, vetëm për deputetët kap shifrën 108 milionë lekë nga të cilat 54 milionë prej pagave të shoferëve të deputetëve dhe 54 milionë nga ulja e shpenzimeve operative”, thotë më tej relacioni.












