Depresioni, tre të vetëflijuar në fundjavë në Pogradec e Krujë

Sep 25, 2011 | 11:45

POGRADEC/ KRUJE – Tre persona i dhanë fund jetës këtë fundjavë. Dy prej viktimave janë nga Pogradeci, ndërsa tjetri nga Fushë-Kruja. Një 32-vjeçare nga fshati Stropckë është vetëmbytur në ujërat e liqenit të Pogradecit pak minuta para mesnatës së të premtes. Valentina Dautllari, nënë e dy fëmijëve është vetëmbytur pasi vuante nga një sëmundje depresive. Kufoma e gruas është gjetur nga kalimtarë të rastit, të cilët pasi kanë parë trupin të pluskonte në afërsi të bregut të liqenit, menjëherë kanë sinjalizuar policinë. Fillimisht gruaja e paidentifikuar i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, ku është konstatuar se në trup nuk kishte shenja dhune, gjë që ka përjashtuar mundësinë e vrasjes. Kanë qenë të afërm të 32–vjeçares, të cilët e kanë identifikuar dhe kanë pohuar se ajo vuante nga depresioni i rëndë. Një tjetër person është gjetur i vetëvarur në bodrumin e banesës së tij në fshatin Zallher të komunës së Proptishtit, Pogradec. Nexhmi Hyko, 51 vjeç, është vetëflijuar si pasojë e një gjendjeje depresive të shkaktuar pas një ndërhyrje kirurgjikale. Mësohet se 51-vjeçari kishte kryer pak kohë më parë një operacion në shtyllën kurrizore, si pasojë e të cilit i ishin dëmtuar disa nerva, duke i krijuar kështu gjendje paralitike, çka e ka shtyrë drejt vetëvrasjes. Ndërsa viktima e tretë është Mentor Sela, 50 vjeç, nga Fushë-Kruja. Ai u gjet i pajetë në banesën e tij, i qëlluar me një plumb pistolete. Nga të dhënat e para, policia dyshon se bëhet fjalë për vetëvrasje. Sela ishte i divorcuar prej dy vitesh, kohë prej së cilës kishte shfaqur dhe probleme depresive. dh.d/l.m

© Panorama.al

Te lidhura