Organizata “Qëndresa Qytetare” ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, duke i cilësuar ato si kërcënuese ndaj avokatit Gentian Sejrani dhe duke kërkuar reagimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Teksa publikohet një video e protestuesit Niko Qarkaj, i cili pretendon se është dhunuar nga policia, “Qëndresa Qytetare” thotë se nëse kjo provohet ministri i Brendshëm do të duhet të japë dorëheqjen.
Sipas organizatës është shqetësuese që ministri ka zgjedhur të intimidojë avokatin përpara se të bëhen publike dhe të verifikohen provat, si pamjet nga kamerat trupore të policisë, kamerat e ambienteve ku është mbajtur protestuesi dhe dokumentacioni mjekësor.
“Qëndresa Qytetare dënon deklaratat e Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, për ndjekje penale dhe procedim disiplinor ndaj avokatit Gentian Sejrani. Një avokat ka detyrimin të përfaqësojë dhe të bëjë publike pretendimet e klientit të tij. Kërcënimi i tij për shkak të ushtrimit të profesionit është i papranueshëm dhe cenon të drejtën e çdo qytetari për mbrojtje ligjore.
Është shqetësuese që Ministri zgjedh të intimidojë avokatin përpara se të bëhen publike dhe të verifikohen provat, si pamjet e kamerave trupore të policisë, kamerat e ambienteve ku është mbajtur protestuesi dhe dokumentacioni mjekësor. Pretendimet për dhunë hetohen me prova, jo me presion ndaj mbrojtësve ligjorë.
I bëjmë thirrje Dhomës Kombëtare të Avokatisë të reagojë menjëherë në mbrojtje të pavarësisë së profesionit të avokatit. Nëse provohet se ndaj protestuesit është ushtruar dhunë, përgjegjësia politike duhet të jetë e menjëhershme dhe Ministri i Brendshëm duhet të largohet nga detyra”, thuhet ne reagim.
© Panorama.al












