Denoncimi i fortë për tjetërsimin e pronës në Jug nga familja e drejtoreshës së Tatimeve, Erilinda Lala! Vetting hedh dritë mbi abuzimin

Mar 27, 2026 | 7:52

EMISIONI VETTING

Prej më shumë se tre dekadash, bregdeti i jugut të Shqipërisë është përfshirë nga konflikte të shumta pronësie që lidhen me mënyrën si janë trajtuar pronat pas viteve ’90.

Sot, ish-pronarët përballen me sfida të panumërta, ku gjykatat dhe prokuroria, në vend që t’i japin zgjidhje problemit, i zgjasin proceset në pafundësi, shpeshherë duke neglizhuar edhe shpërdorimin e detyrës nga zyrtarët e lartë.

Një nga rastet që tregon përfshirjen e një numri të lartë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh që kanë shpërdoruar detyrën, duke u dhënë pronën uzurpuesve, lidhet me fshatin e Borshit, i cili nga Bashkia Sarandë tashmë i ka kaluar Bashkisë Himarë.

Diana Bilali, mbesa e Mehdi Hila (Borshi), është trashëgimtare e familjes Hila nga Borshi.

“Unë kam qenë gazetare gjatë gjithë jetës time dhe ndoshta profesioni dhe arsimi më kanë ndihmuar që të kuptoj probleme të ndryshme që shtrohen në televizione. Një nga problemet që më ka bërë të vij këtu është emisioni që kam parë te ju për një ndërtim, ku flitej për një vajzë që quhet Erilinda Lala dhe bashkëshorti i saj, Taulant Godrolli. Duke ndjekur me shumë vëmendje emisionin, mund të them që në fund doli e plotë koka e problemit.

Pas të gjitha pyetjeve që ju i kishit bërë gjatë kohës, se nga kishte buruar ideja për ta bërë këtë ndërtim në Kavajë, ideja e avokates Kola ishte: cili është regjimi juridik i tokës në rastin e një ndërtimi? Pra, pasi i kapërceu të gjitha ato, ILDKPI-në, kalimin e pasurisë, fondet nga vinin, nëse ishte i rregullt ose jo, në fund tha se pika e parë që duhet zgjidhur është regjimi juridik i tokës”, tha për “Vetting” Diana Bilali.

Thelbi i konfliktit lidhet me regjimin juridik të tokës në zonën e ish-Shtëpisë së Pushimit të Fëmijëve në Borsh. Dokumentet tregojnë se kjo sipërfaqe është trajtuar në periudha të ndryshme si truall, tokë turistike dhe tokë bujqësore, duke krijuar mbivendosje të titujve të pronësisë dhe konflikte mes ish-pronarëve dhe përfituesve të mëvonshëm.

Ish-pronarja Bilali, e bija e trashëgimtares nga familja Hila, kërkon të marrë pronat e saj në Borsh, ku sipas saj një pjesë e tyre që i takonte nga privatizimi i është dhënë padrejtësisht për hotelin “Take”, në pronësi të atit të Erilinda Lalës, Tajar Lala.

Diana Bilali tha për “Vetting” se kishte parë episodin ku ekspozohej hoteli-restorant “Take”, ku punonte i paregjistruar dhe duke fshehur të ardhurat bashkëshorti i drejtoreshës së Tatimeve, Erilinda Lala, Taulant Godrolli, në kundërshtim me ligjin për deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesave.

“Unë kam ndeshur në një problem të tillë në ish-Zyrën e Regjistrimit të Pronave në Sarandë, për të përcaktuar se cili është regjimi juridik i pronës që është e imja. Aty zonja Erilinda Lala, që ka babanë e saj, i cili ka bërë një hotel prej vitesh, dhe kur kërkova regjimin juridik të pronës, më thanë se nuk mund ta japin sepse duhet të kesh një vendim gjykate.

Unë i thashë ZRPP-së se e kam vendimin e gjykatës, i kam të gjitha, ju i dini këto, sepse nuk është hera e parë. Ju e dini, i thashë, që në momentin e parë, përveç regjistrimeve dhe regjistrave bazë, që në hipotekat e para, ju e dini nga neni 197 i Kodit Civil që një individ, kur i drejtohet gjykatës, padia e tij regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme”, u shpreh Diana Bilali.

Historia e Diana Bilalit është dramatike, por këmbëngulja e saj për të marrë pronën e të parëve si trashëgimtare ka indicie për një fund triumfues, pasi Gjykata e Lartë i ka dhënë të drejtë që çështja e saj të rigjykohet në themel nga Gjykata e Apelit Tiranë.

© Panorama.al

Te lidhura