Ndryshimet ligjore që ka ndërmarrë kryeministri Edi Rama nuk janë reformë por përpjekje për të mbrojtur korrupsionin, pas panikut që shkaktoi dosja e zv/kryeministres Belinda Balluku.
Kështu shprehet nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, për nismën e deklaruar sot në mbledhjen e grupit të PS nga kryeministri Edi Rama, për të mbrojtur institucionet nga pezullimet prej drejtësisë.
Nënkryetari i PD-së, deputeti Gjekmarkaj shprehet se i dënon me forcë të madhe ndërhyrjet brutale të Ramës, që kanë për qëllim që të dobësojnë drejtësinë.
“Ndryshimet e propozuara nuk janë reformë. Ato janë një përpjekje e hapur për të dobësuar institucionet e drejtësisë, për të frenuar hetimet dhe për të vendosur kontroll politik mbi mekanizmat që sot po godasin korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit”, thekson ai mes të tjerash me postimin e tij në rrjetin social Facebook.
Dhe më tej vijon teksa bën thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 20 shkurtit të opozitës në bulevardin para Kryeministrisë, se ky është një hap i rrezikshëm nga mazhoranca, me qëllim kapjen e drejtësisë.
“Ky është një hap i rrezikshëm drejt kapjes së plotë të drejtësisë dhe shkatërrimit të ndarjes së pushteteve pas panikut qe shkaktoi rasti i Zëvëndes Kryeministres Balluku!”, thekson deputeti opozitar.
Postimi i plotë i Agron Gjekmarkajt:
“Si Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe Nënkryetar i Partisë Demokratike, dënoj me forcën më të madhe përpjekjen e Edi Rames dhe mazhorancës së drejtuar prej tij për të ndërhyrë brutalisht në sistemin e drejtësisë, me qëllim mbrojtjen politike per veten dhe zyrtarëve të tij të përfshirë në afera të rënda korruptive duke goditur me “ligje” Prokurorinë e Posaçme në aftësinë e saj hetuese!
Ndryshimet e propozuara nuk janë reformë. Ato janë një përpjekje e hapur për të dobësuar institucionet e drejtësisë, për të frenuar hetimet dhe për të vendosur kontroll politik mbi mekanizmat që sot po godasin korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit. Ky është një hap i rrezikshëm drejt kapjes së plotë të drejtësisë dhe shkatërrimit të ndarjes së pushteteve pas panikut qe shkaktoi rasti i Zëvëndes Kryeministres Balluku !
Ky veprim përbën një akt të pastër vetëmbrojtjeje politike nga një qeveri e tronditur nga skandalet dhe frika e llogaridhënies. Është i papranueshëm çdo tentim për ta kthyer ligjin në mburojë për pushtetin dhe për ta përdorur shumicën parlamentare si mjet presioni ndaj drejtësisë.
Partia Demokratike do të kundërshtojë me vendosmëri të plotë, brenda çdo mekanizmi kushtetues dhe politik, këtë tentativë për të deformuar shtetin ligjor dhe për ta kthyer drejtësinë nën kontrollin e qeverisë së zhytur në korrupsion. Qytetarë nuk do ta pranojnë këtë, ndaj me 20 shkurt duhet te vërshojnë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të mbrojtur liritë personale dhe kushtetuese, për të mbrojtur veten nga fuqia aktuale dhe prapaveruese e korrupsionit !
Shqipëria meriton drejtësi të pavarur, institucione të forta dhe një qeverisje që i nënshtrohet ligjit, jo një pushtet që kërkon t’i shpëtojë atij, siç po tenton Edi Rama! Ky është puç institucional që tenton ta kthejë drejtësinë në vartëse të tij dhe te PS. Historia na mëson se regjimet autokratike janë kthyer në sisteme totalitare edhe me fuqinë abuzive të kartonit!”.
© Panorama.al












