“Neomalësorja” Marjana Koçeku iu përgjigj sot kryeministrit Edi Rama, për fjalimin e mbajtur dje në grupin parlamentar të PS dhe Qeverisë, ku deklaroi se jepte ‘besën” për qytetarët shqiptarë.
Teksa i bën një shpjegim leksikografik dhe etimologjik besës shqiptare, deputetja e pavarur që u largua javë më parë nga grupi i PS-së, nënvizon se njerëzve që humbasin lidhjen me tokën dhe vendin e tyre nuk mund t’i zihet besë, duke nënkuptuar kreun e mazhorancës.
“Flasin për besën, njerëz që nuk e kanë idenë se çfarë është. Njeriu nuk mund t’i japë besën tjetrit duke ia prerë besën vendit ku jeton!”, shprehet ajo mes të tjerash në postimin e saj në rrjetin social Instagram.
“Neomalësorja” i kujton kryeministrit se besa e lidhur nëpër kulla luksoze dhe resorte nuk është besë, sepse ajo shihet veç në filma mafiozë dhe që dihet se si përfundojnë.
“Sigurisht, besa mund të jepet edhe nëpër kulla luksoze dhe resorte, por nuk asht më besë. Se për këtë lloj bese deri tash e kemi pa kryesisht veç nëpër filmat mafiozë dhe spekulantë financiarë. Dihet se si përfundojnë”, shkruan deputetja.
Në fund ajo ndan edhe një mesazh të qartë:
“Prandaj, njerëzve që e humbin lidhjen me tokën, vendin e tyne dhe natyrën, nuk mund t’u zihet besë!”.
Postimi i plotë i Marjana Koçekut:
“Flasin për besën njerëz që nuk ia kanë idenë ç’ka asht besa.
Së pari, besa asht nji kontratë e pashkrueme mes njerëzish, e tu qenë e pashkrume, ajo asht kontratë thellësisht natyrore.
T’parët tanë nuk kanë qenë të mangët kur fjalën dhe besën e dhanë e lidhnin me tokën, lugun, malin e gurin.
Këto nuk kanë qenë thjesht dekori i besës, por dëshmitarët e saj, vetë substanca e saj. E kanë ditë se njeriu nuk mundet me i dhanë besën tjetrit, t’ue ia pre besën vendit ku jeton.
Së dyti, ata që e shohin tokën veç si truall për kulla shumëkatëshe e resorte, zor se munden me e kuptu këtë koncept që për ne malësorët asht jashtë mase i shenjtë. Prandaj nuk e shesim ne tokën dhe kullën.
Sigurisht, besa mund të jepet edhe nëpër kulla luksoze dhe resorte, por nuk asht më besë. Se për këtë lloj bese deri tash e kemi pa kryesisht veç nëpër filmat mafiozë dhe spekulantë financiarë. Dihet se si përfundojnë.
Së treti, unë e di mirë prej kodit të malësisë nga vij se, edhe kur gjaksit apo njerëzit e krimit, kur duen me i mbyllë problemet e tyne, përveç ligjit, kudo që ndodhen nëpër botë, edhe pse mund të kenë ndërtue kulla luksoze apo jetojnë në resorte, janë të detyruem me ardhë e me e lyp besën te kulla e vjetër e të parëve, te logu apo te kisha e vjetër e fshatit.
Pse? Sepse aty asht lidhja e vjetër shpirtnore të cilën ata e kanë humbë. Vetëm aty kanë mundësinë me u kthy edhe nji herë njerëz.
Prandaj, njerëzve që e humbin lidhjen me tokën, vendin e tyne dhe natyrën, nuk mund t’u zihet besë!
© Panorama.al















