Pushimet e shumë turistëve në Francë u kthyen në një betejë për t’i shpëtuar zjarreve të mëdha që kanë përfshirë disa zona të vendit. Familje nga vende të ndryshme kanë treguar për BBC-në momentet e frikës, evakuimet gjatë natës dhe largimin me nxitim nga zonat e rrezikuara.
Zjarret e fuqishme në jugperëndim të Francës dhe në Spanjën qendrore kanë detyruar më shumë se 220 mijë persona të largohen nga banesat dhe zonat turistike. Në Francë është angazhuar edhe ushtria për të ndihmuar në përballimin e situatës, ndërsa Spanja ka shpallur gjendje emergjente kombëtare.
Sipas BBC, turistët kanë përshkruar skena paniku, me mesazhe paralajmëruese që mbërrinin gjatë natës, njerëz që largoheshin nga hotelet dhe kampingjet me valixhe në duar, si dhe plazhe të mbushura me persona që prisnin udhëzime nga autoritetet.
Një prej tyre është 21-vjeçari britanik Zac Morrison, i cili po pushonte me familjen në Cap Ferret, një zonë turistike pranë Bordeaux. Ai tregoi se u zgjua nga njoftimet e emergjencës në orët e para të mëngjesit, ku u kërkohej të largoheshin menjëherë.
“Policia shkonte derë më derë dhe na thanë të merrnim gjithçka me vete”, tregoi ai për BBC. Familja e tij u detyrua të largohej drejt një plazhi në Arcachon, përpara se të gjente një vend tjetër për të qëndruar.
Një tjetër turist britanik, David Morton, tha se familja e tij kishte vetëm 15 minuta kohë për të marrë gjërat dhe për t’u larguar nga zona.
“Telefonat tanë po binin vazhdimisht. Na erdhi mesazhi se duhej të evakuoheshim menjëherë”, tha ai. Morton tregoi se gjatë largimit ata iu afruan rreth 500 metrash nga zjarri kryesor, ku flakët ishin disa metra të larta mbi pemët.
Disa turistë të tjerë mbetën të bllokuar në zonat e prekura nga zjarret. Rebecca Papin, e cila ndodhej në Biscarrosse pranë Cap Ferret, tha se pa avionë zjarrfikës dhe helikopterë mbi zonë, ndërsa një mur flakësh dukej në distancë.
Ajo tregoi se qyteti ishte pothuajse bosh pasi shumica e banorëve ishin evakuuar, ndërsa rrugët kryesore ishin mbyllur për shkak të zjarreve.
Ndërkohë, disa familje britanike kanë ndryshuar planet e pushimeve dhe janë zhvendosur në zona të tjera të Francës. Mark Dorey, i cili u evakuua nga një kamping pranë Parentis-en-Born, tha se familja e tij u largua drejt Dordogne për të qenë më e sigurt.
Autoritetet franceze u kanë bërë thirrje turistëve të mos anulojnë udhëtimet, duke theksuar se pjesa më e madhe e vendit nuk është prekur nga zjarret. Megjithatë, ata kanë kërkuar që vizitorët të informohen vazhdimisht për situatën dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë.
Në Spanjë, zjarret vijojnë të përhapen në disa zona pranë Madridit. Autoritetet lokale i kanë cilësuar disa prej tyre si ndër më të rëndat e viteve të fundit, për shkak të temperaturave të larta, erërave të forta dhe përhapjes së shpejtë të flakëve.
© Panorama.al













