Dënohet zyrtari i Ministrisë së Financave

Jul 10, 2011 | 10:00

“T’u rrittë nderi! Besoj këto i ke dhënë me hallall”. Sipas një vendimi të gjykatës, kështu i është drejtuar Kliton Rusi, zyrtar i Ministrisë së Financave, një biznesmeni teksa komunikonte me të në shtator të vitit 2010, pasi kishte marrë prej tij 7500 euro ryshfet.Sasia e parave ishte marrë si “shpërblim” për legalizimin e një kontrate shitjeje. Vetëm pak çaste më pas, Kliton Rusi, specialist në Drejtorinë e Shitjes se Pronave Publike, u arrestua për akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës e deklaroi atë fajtor për këtë akuzë dhe e dënoi me 2 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë. Për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi uljen e një të tretë së masës së dënimit dhe përfundimisht u dënua me 1 vit e 4 muaj burg dhe 333.3 mijë lekë gjobë.
* * *
Vendimi i arsyetuar i Gjykatës së Tiranës ndaj Rusit zbardh përgjimet ambientale dhe telefonike të bisedave mes tij dhe kallëzuesit V. M., administrator i shoqërisë private në Lushnjë, në lidhje me legalizimin e një kontrate shitjeje të panoterizuar të këtij të fundit. Sipas vendimit të Gjykatës, kontrata i përkiste shitjes së ish-Ndërmarrjes Mekanike Bujqësore Lushnjë në vitin 1993. Kontrata ishte nënshkruar pa praninë e noterit. Në janar të vitit 2010, administratorit të shoqërisë, V. M., i kishte lindur nevoja e rifreskimit të vërtetimit të pronësisë. ZVRPP Lushnjë nuk ia ka lëshuar dokumentin me pretendimin se regjistrimi ishte i pavlefshëm për shkak se kontrata e shitjes nuk ishte vërtetuar nga noteri. Për këtë shkak, V. M. i është drejtuar Ministrisë së Financave. Pas disa ecejakeve, ai nuk ka mundur ta legalizojë kontratën deri në momentin që i pandehuri Kliton Rusi e ka telefonuar më 2 shtator 2010, ku e ftonte të takoheshin në Tiranë, “të pinin kafe dhe të flisnin”. I njëjti vendim gjyqësor deklaroi të pafajshëm dy të pandehurit e tjerë të dosjes, M. Haxhiu dhe Dashnor Sinanaj, të cilët akuzoheshin për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”. Sipas gjykatës, “gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk u provua për asnjë moment se të pandehurit M. Haxhiu dhe Dashnor Sinanaj të kenë ushtruar ndikim te personi që ushtron funksione publike, konkretisht tek i pandehuri Kliton Rusi, i cili e ka realizuar lidhjen personalisht me kallëzimtarin V. M.)”.
PERGJIMET
Nga proces-verbali për veprimet e përgjimit ambiental i datës 07.09.2010 rezulton se është zhvilluar një bisedë më datë 03.09.2010 nga ora 09:15 deri në orën 09:35. Nga transkriptimi i bisedës rezulton se takimi është zhvilluar mes të pandehurit Kliton Rusi dhe kallëzimtarit V. M. Gjatë kësaj bisede konfirmohet njohja mes të pandehurve Kliton Rusi e M. Haxhiu. Gjithashtu, i pandehuri Kliton Rusi konfirmon se një nip i fisit Zdrava i ka telefonuar dhe i ka kërkuar se çfarë bëhet me kontratën e V. Në fund të bisedës, i pandehuri Kliton Rusi i ka kërkuar kallëzimtarit t’i sillte hartën treguese që më pas ta protokollonin në ministri. Në këtë bisede të regjistruar, i pandehuri Kliton Rusi, ndër të tjera, i ka thënë kallëzimtarit se “punën time vlerësoje sipas qejfit në fund”.
Në deklarimet e tij të datës 20.09.2010, shtetasi V. M. tregon se i pandehuri Kliton Rusi, në një takim të realizuar më datë 16.09.2010, rreth orës 11:00, në një kafe pas Njësisë Bashkiake Nr. 3, i ka thënë, ndër të tjera, se të gjitha punët ishin në terezi dhe se do të përfundonte shumë shpejt problemi. Gjithashtu, në lidhje me të pandehurin M. Haxhiu, i pandehuri Kliton Rusi i ka thënë që të mos ngatërrohej me të. Pasi kallëzimtari i ka kërkuar mos ta turpëronte, i pandehuri Kliton Rusi i ka thëne: “Ti V. vlerësoje vetë tani punën time, se dhe unë po konsumohem”. Përfundimisht ata e kanë lënë që vetë i pandehuri Kliton do t’i telefononte kallëzimtarit për nënshkrimin e kontratës dhe të dy shtetasit janë larguar.
Kallëzimtari i ka kërkuar të pandehurit M. Haxhiu të pinin një kafe. Kallëzimtari ka fiksuar një takim të nesërmen në orën 09:00. Më datë 20.09.2010, kallëzimtari është telefonuar nga i pandehuri Dashnor Sinanaj, i cili i ka kërkuar të pinin një kafe së bashku me M., por kallëzimtari i është shmangur.
Siç rezulton nga raporti i shërbimit i datës 20.09.2010, kallëzimtari V. M. dhe i pandehuri M. Haxhiu janë takuar me njëri-tjetrin në një lokal ngjitur me Degën e Tatimeve në Lushnjë.
Në një moment të bisedës, i pandehuri M. Haxhiu i drejtohet kallëzimtarit duke i thënë: “Po patët bërë marrëveshje, vazhdoni i mbyllni. Po s’patët bërë, vazhdoni programin”.
I pandehuri Kliton Rusi i ka kërkuar shumën prej 1 000 000 lekësh, shumë për të cilën kallëzimtari është shprehur dakord.
Nga procesverbali për veprimet e përgjimit ambiental i datës 21.09.2010, i cili dokumenton bisedën e bërë nga ora 12:00 deri me 14:35 mes shtetasit V. M. e të pandehurit Dashnor Sinanaj. Menjëherë pas kësaj bisede, të dy këta shtetas drejtohen nga zyra e të pandehurit Kliton Rusi. Ky i fundit (bëhet fjalë për të pandehurin Kliton Rusi) i kërkon kallëzimtarit V. M. që Dashnor Sinanaj (të cilin nuk e njihte fare), të mos ngatërrohet me këtë punë, pasi V. i kishte letrat në rregull dhe i takonte ajo çfarë do privatizonte. Pasi i pandehuri Dashnor Sinanaj largohet nga ambientet e zyrës, pasi mbyllin pjesën më të madhe të veprimeve që duheshin kryer për legalizimin e kontratës, i pandehuri Kliton Rusi i drejtohet kallëzimtarit duke i thënë: “Po pate ndonjë kafe për këtë nder që po të bëhet, unë nuk e du për vete”.
Nga procesverbali për veprimet e përgjimit ambiental i datës 25.09.2010, për bisedën e regjistruar nga ora 09:15 të datës 24.09.2010 deri në orën 20:45 të datës 24.09.2010, mes shtetasit V. M. e të pandehurit Dashnor Sinanaj. I pandehuri Dashnor Sinanaj, duke iu referuar të pandehurit Kliton Rusi, shprehet se “është një lojë shumë e pisët nga ai”.
Nga procesverbali për përgjimet telefonike i datës 24.09.2010 rezulton se i pandehuri Kliton Rusi i telefonon kallëzimtarit duke i kërkuar takim të nesërmen në Durrës.
Më datë 25.09.2010, i pandehuri Kliton Rusi i telefonon kallëzimtarit duke i komunikuar se ishte rrugës dhe se do të takoheshin te zona e Plepave në Durrës. Pas kësaj telefonate ka dy thirrje të tjera nga numri 069xxxx403 në përdorim të këtij të pandehuri, në drejtim të numrit 068xxxx018 në përdorim të kallëzimtarit V. M., për të saktësuar vendin e takimit.
Nga procesverbali për veprimet e përgjimit ambiental i datës 25.09.2010, për bisedën e realizuar nga ora 10:02 deri në orën 10:35 të po kësaj date, mes të pandehurit Kliton Rusi e shtetasit V. M., ka rezultuar se këta janë takuar në një lokal pranë kompleksit “Tropikal” në qytetin e Durrësit. Nga fundi i bisedës, kallëzimtari i dorëzon shumën e të hollave, të cilat ishin servirur nga oficerët e Policisë Gjyqësore. I pandehuri Kliton Rusi e pyet nëse i ka bërë në euro dhe nëse janë 10 000 euro. Kallëzimtari i përgjigjet negativisht, pasi ata e kishin lënë me 1 000 000 lekë dhe kështu që shuma në lekë duhet të ishte me shumë se 7000 euro. Pasi i pandehuri Kliton Rusi i numëron të hollat, shprehet: “O V., t’u rrittë nderi! Besoj këto i ke dhënë me hallall”. Dhe: “Do punojmë bashkë, kjo është puna. Këtë muhabet e kena bashkë, s’e ke me njeri tjetër”.
Pasi janë ndarë me njëri-tjetrin dhe ndërsa ishte duke udhëtuar me mjetin e tij tip “Mercedes Benz” me targë TR 0901 P, oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë, kanë kryer kapjen në flagrance të të pandehurit Kliton Rusi, për shkak se vetë i pandehuri Kliton Rusi, në cilësinë e personit që ushtron funksione publike, dyshohet të ketë kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt për të kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij.
Në momentin e ndalimit, pas kontrollit të kryer në kushtet e flagrancës, brenda automjetit në pronësi të të pandehurit Kliton Rusi u gjetën dhe më pas u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një shumë të hollash prej 7500 eurosh, të cilat i pandehuri Kliton Rusi i kishte marrë personalisht pak minuta më parë nga kallëzimtari V. M.

7500 euro
ka qenë shuma e ryshfetit që qytetari ka paguar te zyrtari i Ministrisë së Financave. Kliton Rusi mësohet se kishte kërkuar 1 milion lekë.

1 vit
e katër muaj burg është dënimi i dhënë nga Gjykata e Tiranës për ish-zyrtarin e Ministrisë së Financave. Ai u dënua dy vjet, por ka ulje dënimi nga gjykimi i shkurtuar

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura