Dënohet “shoku” i Arjan Selimit

Nov 19, 2011 | 11:22

Gjykata për Krimet e Rënda dënoi dje me 7 vjet e 4 muaj burg të pandehurin Arjan Shabanin (Xhemalin), ish i bashkëpandehur me Arjan Selimin, i cili u vra më 26 shtator në Tiranë.

Shabani u deklarua i fajshëm nga togat e zeza të Krimeve të Rënda për akuzën e “trafikimit të narkotikeve”, në bashkëpunim, më shumë se një herë. Sipas vendimit të gjykatës, ai u dënua me 11 vjet burg, por masa e përfundimtare e vuajtjes së dënimit u caktua 7 vjet e 4 muaj për shkak se ai gjykim i tij te Krimet e Rënda u zhvillua me kohë të shkurtuar. “Deklarimin fajtor të të pandehurit Arjan Shabani (Xhemali) për veprën penale të ‘trafikimit të narkotikeve’, në bashkëpunim, me shume se një herë dhe dënimin e tij me 11 vjet burgim. Përfundimisht, në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i pandehuri Arjan Shabani (Xhemali) dënohet me 7 vjet e 4 muaj burgim”, thuhej në vendimin e Krimeve. Dosja në ngarkim të të pandehurit Arjan Xhemali mbërriti për rishqyrtim në Gjykatën për Krimet e Rënda në zbatim të një vendimi të majit 2010 të Gjykatës së Lartë. Trupi gjykues i kësaj Gjykate, më 7 maj 2010, shpalli vendimin me të cilin rrëzoi dënimet e mëparshme ndaj të akuzuarve dhe riktheu në gjykim edhe njëherë fashikullin penal ndaj tyre për shkak të problemeve procedurale. Ky vendim i Gjykatës së Lartë prishte dy vendime të mëparshme të Shkallës së Parë dhe Apelit të Krimeve të Rënda, ku Xhemali ishte deklaruar i fajshëm dhe ishte dënuar me 16 vjet burg, teksa gjykohej si një nga pjesëtarët e dosjes “Kompas”. Në dosjen në ngarkim të tij ishte i pandehur edhe Arjan Selimi. Për shkak të vrasjes së Selimit, më 26 shtator të këtij viti, Gjykata për Krimet e Rënda pushoi gjykimin në ngarkim të tij dhe dosja mbeti me vetëm një të pandehur. Vendimi për mbylljen e dosjes së Arjan Selimit erdhi pas një kërkese të Prokurorisë, e cila tha se ndjekja penale nuk mund të vazhdonte.

Gjykata / Vendimi që liroi Arjan Selimin

I njëjti vendim që ktheu për rigjykim dosjen penale ndaj Arjan Shabanit, liroi nga paraburgimi edhe Arjan Selimin (Armand Andoni). Ai ishte mbajtur në arrest me burg që nga qershori i vitit 2004, por pas rikthimit të çështjes në gjykim nga gjykata e Lartë, afatet e paraburgimit përfunduan. Për këtë shkak Arjan Selimi u la i lirë, ndërsa gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë arrest shtëpie. Në këtë masë ndodhej i dyshuari për trafik droge edhe në momentin kur ndodhi vrasja e tij me armë zjarri, mbrëmjen e 26 shtatorit të këtij viti. Vrasja ka mbetur ende pa autor, ndërsa Prokuroria ka deleguar dosjen në Polici për ndjekje operative për shkak të mungesës së të dhënave në lidhje me autorët e ngjarjes.

Shkeljet në proces

Gjykata e Lartë e anuloi dënimin e parë ndaj Arjan Shabanit për shkelje procedurale. “Konstatohet se gjykimi ndaj tij është kryer në kundërshtim me nenet 6,48 e vijues të Kodit të Procedurës Penale dhe në shkelje të garancive të tij kushtetuese, të sanksionuara në nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Gjykatat nuk kanë garantuar e lejuar realizimin e një mbrojtje të drejtë dhe efektive të këtij të pandehuri në këtë gjykim, në një kohë që në kushtet e gjykimit në mungesë, përfaqësimi i të gjykuarit nga një mbrojtës, në bazë të nenit 351/ 1 të K.Pr.Penale, është i detyrueshëm”, thuhet në vendimin e gjykatës.

ARMAND BAJRAMI

 

© Panorama.al

Te lidhura