Dënohen sekserët e pedagogëve të Fakultetit të Infermierisë

Nov 5, 2011 | 12:56
Fakulteti i Infermierise

TIRANE – Gjykata e Tiranës liroi, pasi i dënoi me burg, dy persona të akuzuar si “sekserë” të pedagogëve të Fakultetit të Infermierisë në kryeqytet. Ata akuzoheshin për përfitimin e shumave të parave nga studentë e Infermierisë, të cilëve u premtonin ndërhyrje te pedagogët për nota kaluese në provime. Të pandehurit, Bujar Luga e Kreshnik Cami, u deklaruan fajtorë nga gjykata dhe u dënuan me nga 8 muaj burg dhe 340 mijë lekë gjobë për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim. Në të njëjtin vendim, gjykata urdhëroi lirimin e dy të pandehurve, për shkak se kohëzgjatja e paraburgimit të tyre ishte më e madhe se masa e dënimit. Vendimi në fjalë u shpall pak ditë më parë nga një trupë gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Albert Meça. Në Gjykatën e Tiranës, të pandehurit Luga dhe Cami u gjykuan me kohë të shkurtuar, prej të cilit ata përfituan edhe uljen e një të tretës në masën e dënimit përfundimtar. Bujar Luga, 45 vjeç dhe Kreshni Cami, 29 vjeç, u arrestuan më 13 maj të këtij viti, pas një kallëzimi të bërë në emër të tyre nga një student i Infermierisë. Në kallëzim, denoncuesi pretendonte se dy të pandehurit i kishin marrë para, duke i premtuar se do të ndërhynin te pedagogët për notë kaluese. Por ndonëse ai ua kishte dhënë shumën e kërkuar, në provim ishte vlerësuar me notën katër. Pas kallëzimit, Prokuroria zhvilloi hetime me metoda speciale, duke realizuar përgjime dhe vëzhgime ambientale të dy të dyshuarve. Sipas Prokurorisë, rezultoi se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dy të pandehurit u merrnin shuma parash studentëve, që varijonin nga 3 mijë lekë deri në 150 euro, duke u thënë se kishin njohje me pedagogët. Po sipas hetimeve, rezultoi se në asnjë rast ata nuk ua kanë dorëzuar shumat pedagogëve, por i kanë përvetësuar. Referuar kërkesës për gjykim, Luga dhe Cami kishin krijuar idenë te studentët se ata ishin në gjendje të ndikonin te pedagogët, me qëllim marrjen e notave kaluese. Gjatë hetimeve, Prokuroria mori në pyetje edhe pedagogët e përmendur në bisedat mes të pandehurve, por të gjithë ata kanë mohuar të kenë marrë shuma parash prej tyre.                           ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura