Dënimi i Dishos, minoriteti grek: Të anulohet vendimi

Jan 12, 2012 | 12:37
Naum Disho

Dënimi i kreut të organizatës OMONIA ka solidarizuar minoritetet, duke sjellë prej tyre jo vetëm një valë reagimesh, por edhe parashtrimin e kërkesave të ndryshme, mes të cilave zhveshjen nga fajësia të Naum Dishos. Një ditë pas dënimit të kreut të organizatës OMONIA, minoritetet vijnë me një reagim të përbashkët, i cili konteston këtë dënim. Duke e konsideruar politik procesin e zhvilluar ndaj tij, OMONIA e qarkut Korçë dhe PBDNJ e kanë konsideruar si të pafajshëm Dishon dhe kanë kërkuar që Gjykata e Lartë të shpallë pafajësinë e tij. “Bashkimi i minoritetit etnik grek, OMONIA, dega Korçë, e konsideron poshtërues dhe dënon vendimin e Gjykatës së Apelit Korçë për t’i hequr 1 vit lirinë z.Disho, si anëtar i njohur i këtij minoriteti. Procesi gjyqësor ndaj tij është një proces i stisur juridikisht dhe i kurorëzuar politikisht nga ithtarë nacionalistë të veshur me petka politike-juridike, që me çekiçin e shumicës në dorë duan të shkatërrojnë urat e bashkëjetesës me minoritetin etnik grek në Shqipëri. Ne sot jo vetëm i qëndrojmë pranë dhe e mbështesim Naum Dishon, por u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të minoritetit tonë të bashkohen me ne dhe të konkretizojmë veprimet dhe qëndresën tonë ndaj stuhisë nacionaliste të ngritur ndaj nesh”, u shpreh Ligoraq Karamelo, kryetar i OMONIA-s në Korçë. Sipas tij, “lufta dhe përpjekjet nuk do reshtin asnjëherë deri në garantimin e lirive dhe të drejtave themelore që na takojnë nga Kushtetuta dhe aktet themelore ndërkombëtare”. Në vijim të deklaratës së tij, edhe Arben Ilia, kreu i PBDNJ-së Korçë, ka thënë se: “Disho mori një dënim politik, vetëm sepse kërkoi të mbronte eshtrat e grekëve të rënë në luftë. E dënoi një ligj i kohës së diktaturës për gjoja dhunim varresh. Korça dhe të tjerët dënojnë vendimin e Gjykatës së Apelit. Drejtësia të mos funksionojë me urdhra arbitrarë. Ne bëjmë apel që Gjykata e Lartë të shpallë të pafajshëm Naum Dishon”.
Reagimi i tyre është pasuar edhe nga vetë kryesia e organizatës së drejtuar prej Dishos, e cila e ka konsideruar këtë dënim si përgjithësues ndaj gjithë minoritetit grek. Sipas tyre, apeli duhet të shkojë ndaj qeverisë shqiptare për të mos lejuar cenimin e marrëdhënieve greko-shqiptare. Vetëm një ditë më parë, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Faktit për të dënuar me një vit burg Naum Dishon, me akuzën e dhunimit të varreve në fshatin Boboshticë. Ndërkohë, nga avokati mbrojtës i Dishos prej orëve të para të mëngjesit janë depozituar dy kërkesa për pezullimin e dënimit, njëra prej tyre është depozituar pranë Gjykatës së Apelit në Korçë dhe tjetra pranë Gjykatës së Lartë. Sipas mbrojtësit të Dishos, vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit është i formës së prerë, por duke përfituar nga koha e nevojshme për daljen e urdhër-arrestit, ai ka bërë depozitimin e kërkesave, të cilat në thelb kanë pikërisht shmangien e burgosjes së kreut të OMONIA-s deri në daljen e një vendimi nga Gjykata e Lartë.

TV grek me tone të ashpra
Televizioni grek “Mega” ka reaguar për dënimin e dhënë për Naum Dishon. Sipas medias greke, dënimi vjen pas një lufte të pamëshirshme antihelene, në qarqe të caktuara në Shqipëri. Me tone të ashpra flitet për sistemin gjyqësor shqiptar, duke shtuar se këto vendime formojnë mjegull në perceptimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe në rrugën e dëshirueshme drejt familjes europiane. Duke cituar dhe përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri, televizioni grek ka hedhur të njëjtin material të zgjeruar edhe në faqen e internetit.

© Panorama.al

Te lidhura