Me një dënim total prej 20 vitesh burg u dënua nga një gjykatë e Hong Kongut ish-manjati i medias dhe përkrahësi i njohur i demokracisë, Jimmy Lai, pavarësisht presioneve nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat kërkonin lirimin e tij.
Sipërmarrësi 78-vjeçar, themelues i gazetës Apple Daily, e cila ka ndërprerë botimin, u shpall fajtor më 15 dhjetor për tri akuza, përfshirë bashkëpunim të paligjshëm me forca të huaja dhe nxitje të rebelimit përmes shtypit. Ai përballej me rrezikun e dënimit deri në burgim të përjetshëm.
Vendimi u mbështet në ligjin për sigurinë kombëtare, të vendosur nga Kina pas protestave masive pro-demokracisë në vitin 2019.
Ky ligj parashikon dënime veçanërisht të rënda për vepra që lidhen me bashkëpunimin me fuqi të huaja, nga dhjetë vjet burg deri në burgim të përjetshëm.
Në vendimin prej 856 faqesh, gjyqtarët theksojnë se Jimmy Lai “ushqente armiqësi dhe urrejtje” ndaj Kinës për pjesën më të madhe të jetës së tij të rritur dhe se synonte “rrëzimin e Partisë Komuniste”.
Jimmy Lai, mbajtës i një pasaporte britanike, ndodhet në burg që nga viti 2020 dhe mbahet në izolim, sipas autoriteteve “me kërkesë të tij”. Familja e tij ka shprehur vazhdimisht shqetësime për gjendjen e përkeqësuar shëndetësore të tij.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi se e ka ngritur çështjen me presidentin kinez Xi Jinping gjatë bisedimeve të tyre në Pekin muajin e kaluar, ndërsa ministrja e Jashtme, Yvette Cooper, foli për “ndjekje politike”. Nga ana e tij, presidenti amerikan Donald Trump kishte shprehur shpresën se udhëheqësi kinez do të ndërhynte për lirimin e Lait.
Amnesty International e cilësoi dënimin si një “sulm ndaj lirisë së shprehjes”, duke theksuar se ai pasqyron shpërbërjen sistematike të të drejtave që dikur karakterizonin Hong Kongun.
Human Rights Watch e përshkroi vendimin si një “dënim me vdekje në praktikë”, për shkak të moshës së avancuar të Lait, ndërsa organizata Reporterët pa Kufij theksoi se kjo gjyqësore përbën një verdikt “për të ardhmen e lirisë së shtypit” në Hong Kong.
Edhe Committee to Protect Journalists e quajti gjithë procesin “një farsë nga fillimi deri në fund”.
Qëndrimi i Pekinit
Pekini hedh poshtë kritikat ndërkombëtare, me autoritetet e Hong Kongut që këmbëngulin se rasti i Jimmy Lai nuk lidhet me lirinë e shprehjes apo të shtypit, por me shkelje të sigurisë kombëtare.
Megjithatë, dënimi i tij rrit më tej shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar për gjendjen e të drejtave të njeriut dhe të lirisë së medias në ish-koloninë britanike.
© Panorama.al












