Kryeministri Edi Rama ka inspektuar këtë të shtunë aksin rrugor Librazhd-Përrenjas, i cili për shkak të dëmtimeve dhe rrëshqitjeve u mbyll për disa ditë, ndërsa aktualisht qarkullimi po zhvillohet në një devijim provizor.
Kreu i qeverisë u shpreh se rrëshqitja që shkaktoi bllokimin e aksit rrugor ka karakter natyror për shkak të mbingarkesës së shirave dhe se nuk ka asnjë lidhje me punimet e kantierit të ri që po ndërtohet. Për kryeministrin, aludimet se rruga u shemb nga punimet është një “manipulim i madh”.
“Gjithë tollovia e madhe që u shemb rruga nga punimet është një manipulim i madh, një perversitet shumë i madh sepse faktikisht këtu jemi në aksin e vjetër dhe aksi i ri nuk është këtu, në kuptimin nuk është i ndërtuar ende këtu. Akse të reja janë ato që kalojmë për të ardhur deri këtu ndërkohë që këtu vazhdon puna këtej, nuk ka lidhje me atë atje dhe ajo atje është një rrëshqitje e shkaktuar nga faktori gjeologjik për shkak të mbingarkesës se shirave.”, tha Rama.
Sipas tij, në një proces pune, ndodhin të papritura natyrore, ndërsa ironizoi sërish teksa tha se “njerëzit u mbytën me baltë dhe llum nga të gjitha drejtmet”, duke iu referuar akuzave të ngritura dhe punimeve të kryera.
“Mua më thoshte Taulanti që kjo ka qenë që shumë vite përpara gjithmonë një çështje e banoreve që ka rrëshqitje dhe ajo që është kriminale në raport me publikun, por që unë kam mësuar nga eksperienca, kur ka zhurma të mëdha të kësaj natyre duhet të presësh të bjeri fryrja e madhe e një plage për ta adresuar pastaj shkaqet, se ndryshe nuk të dëgjon njeri, – është që një plagë e kësaj natyre, ku mjafton të vish ta shohësh dhe e kupton menjëherë se ku je dhe e sheh menjëherë që këtu s’ka dorë njeriu që ta ketë shkaktuar nga paaftësia apo nga të tjera arsye, kthehet në një burim helmimi të vazhdueshëm të opinionit publik. Këtu jemi në një nga kantierët më të rëndësishëm, më strategjike të vendit, një nga veprat më të rëndësishme të programit tonë, gjithë pjesa e ndërtuar tanimë është spektakolare në çdo aspekt.
Mbrojtja lumore që kemi folur disa herë është absolutisht e standardeve më të larta, por puna vazhdon dhe në një proces pune ndodhin dhe këto të papritura, që janë të papritura të natyrave të ndryshme. Në këtë rast është thjeshtë dhe vetëm natyrore. Fatkeqësi që ndodh për shkak të mbingarkesës që ka pasur dhe sic tha dhe drejtori, është vërtet ndjesë njerëzve që u mbytën me baltë dhe me llum nga gjithë llojet e drejtimeve, por e vërteta është kjo. Ne diskutuam dhe pak me banorët që të shohim kalendarin dhe t’i japim një drejtim kësaj pune.”, shtoi ai.
Kujtojmë që nga bllokimi i aksit shkaktoi kaos për disa ditë më rradhë në juglindje, duke bërë që qytetarët të përballeshin me probleme dhe trafik në rrugët alternative.
© Panorama.al











