Plot 15 mijë dosje të ish-të përndjekurve politikë parashikohen që të përpunohen nga Ministria e Drejtësisë në tri vitet e ardhshme, ndërkohë që fondi për dëmshpërblimet rritet çdo vit me disa miliardë lekë. Në projektet e paraqitura pranë qeverisë dhe të miratuara në projektdokumentin e “Programit buxhetor 2012-2014” përfshihet edhe ai për ish-të përndjekurit politikë, duke filluar nga përgatitja e dosjeve dhe deri te marrja e dëmshpërblimit.
Dosjet dhe dëmshpërblimi
Për vitin 2012, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë parashikohet që të përpunohen 5 mijë dosje, ndërkohë sa i përket fondit të vënë në dispozicion për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, vlera është 25 milionë dollarë. Për vitin 2013, parashikohet që numri i dosjeve të përpunuara nga specialistët të jetë po 5 mijë, kurse shuma e vënë në dispozicion për dëmshpërblim është 30 milionë dollarë. Edhe në vitin pasardhës, numri i dosjeve mbetet po i pandryshuar, kurse fondi rritet me 2 milionë dollarë, duke arritur kështu vlerën 32 milionë dollarë. Në projektin e përshkuar në projektdokument, specifikohet se nga ana e specialistëve, përgjatë harkut kohor të përcaktuar, do të bëhet përpunimi i dokumentacionit, lidhja me institucionet e tjera për marrjen e informacionit të nevojshëm, si dhe nxjerrja e shumës neto për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Tashmë procesi i ndarjes së kompensimit për ish-të përndjekurit politikë ka kohë që ka filluar dhe një pjesë e tyre kanë marrë edhe këstet e para.
Viti 2011
Përgjatë këtij viti, duket se puna e përpunimit të dosjeve është me e ngjeshur dhe deri në fund parashikohet që nga specialistët të jenë përfunduar llogaritjet për 7 mijë dosje. Kurse fondi që është llogaritur në buxhet për ish-të përndjekurit për këtë vit, llogaritet 20 milionë dollarë. Në vitet në vijim ndodh krejt e kundërta, ku numri i dosjeve të përpunuara bie, ndërsa fondi rritet, kjo edhe për shkakun se një pjesë e mirë e dosjeve tashmë kanë përfunduar së llogarituri dhe qytetarët po marrin dëmshpërblimin në këste. Sipas ligjit, është llogaritur që dëmshpërblimi të merret në 8 këste të barabarta dhe fillimisht është vendosur që përfituesit e parë të jenë ata që kanë një moshë më të madhe. Por, nga ana e Ministrisë është parashikuar edhe projekti për rehabilitimin e ish-të përndjekurve, apo edhe pagesa e ndihmës ekonomike për ata që janë në nevojë.
Rehabilitimi, sa përfitojnë
Një tjetër projekt për ish- të përndjekurit është ai i rehabilitimit dhe integrimit. Për vitin aktual janë në trajtim me ndihmë ekonomike 360 ish-të përndjekur, ndërkohë që për tri vitet e ardhshme, numri i tyre rritet. Kështu, në vitin 2012 parashikohet që të trajtohen rreth 390 ish-të përndjekur, për vitin 2013, numri i tyre shkon në 430, kurse për vitin 2014, numri arrin 450 ish-të përndjekur. Nga fondi që vihet në dispozicion për rehabilitim dhe integrimin e këtyre qytetarëve, përfitojnë edhe shoqatat e ish-të përndjekurve drejt të cilave kryhen transferta. Objektivi i këtij projekti, sikundër dhe përshkruhet nga Ministria, është që të ndjekë të gjitha problemet dhe çështjet sociale që kanë të bëjnë me ish-të përndjekurit politikë. Vlera totale e projektit për këtë vit është 14.7 milionë lekë, për vitin 2012, rreth 15.4 milionë lekë, për vitin 2013, rreth 16 milionë lekë dhe për vitin 2014, plot 18 milionë lekë.
7 mije
dosje të ish-të përndjekurve parashikohen që të jenë përpunuar deri në fund të këtij viti nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë, të cilët do të japin dhe shumën neto të dëmshpërblimit për çdo individ
15 mije
dosje të ish-të përndjekurve politikë parashikohet që të jenë përpunuar nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë në tri vitet e ardhshme, 2012-2014. Për secilën do jepet edhe shuma neto e dëmshpërblimit
87 milione usd
parashikon qeveria në projektdokumentin e “programit buxhetor 2012-2014” si shpenzime për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë për tri vitet e ardhshme, kurse për 2011, fondi është 20 milionë dollarë
Mosha
Qeveria ka vendosur që përfituesit e parë, të cilët marrin dëmshpërblimin si ish-të përndjekur, të jenë ata që kanë një moshë mbi 85 vjeç. Por, ky kriter që ka vendosur qeveria duket se nuk kënaq pjesën më të madhe të atyre që përfitojnë nga ligji dhe që u duhet të presin në radhë. Një javë më parë, reagoi shoqata e të përndjekurve në Shkodër, e cila nuk ishte dakord me moshën e vendosur, duke sjellë si argument se ish-të përndjekurit janë një kategori që kanë bërë një jetë në kushte të këqija, e cila nuk garanton një jetëgjatësi dhe kushti i moshës, sipas tyre, është vënë qëllimisht.
Mbrojtja sociale
Për kategorinë e ish-të përndjekurve është parashikuar edhe një projekt që kategorizohet te mbrojtja sociale, e cila i mbron këta të fundit nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Po kështu, parashikohet edhe ndihmë ekonomike për familjet e ish-të përndjekurve që nuk arrijnë të përballojnë dot jetën normale. Në projektdokument përcaktohet se në vitet në vijim do të ketë rritje të shumës që përfitohet përmes ndihmës ekonomike apo pagesës, edhe për ata persona që kanë aftësi të kufizuara.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











