Del Piero: I lumtur me kryesimin e Juves, vuaj në stol

Nov 21, 2011 | 14:07

“Juventusi të mos merret me kreun e momentit, por të mendojë për të ardhmen.” Ky është mesazhi i Aleks Del Pieros, pas fitores së bardhezinjve ndaj Palermos: “Ne jemi në krye, kemi edhe një ndeshje të pazhvilluar, me Napolin, – tha kapiteni i Juventusit. – Është një kohë shumë pozitive, por duhet të vijojmë në këtë mënyrë, me të njëjtën uri si të dielën. Të dalësh fitues ndaj Palermos nuk është e lehtë.”
Sulmuesi më pas foli përsëri mbi situatën e tij personale: “Natyrisht, vuaj kur qëndroj në stol, por për këtë gjë duhet të mendoj në qershor të vitit të ardhshëm, jo tani. Para së gjithash qëndron Juventusi, ecuria e tij. Është kaq bukur të jesh në krye me Juventusin, sa nuk po mendoj fare për të ardhmen time. E ardhmja ime është e shtuna, ndeshja e radhës. E përsëris, është e pamohueshme, megjithatë, që vuaj në stol, sepse e kam ende brenda vetes zjarrin e të luajturit. Megjithatë, ngushëllohem kur mendoj se jam kapiteni e këtij ekipi, kur nuk më mungon respekti i shokëve te Juventusi, si gjithmonë. Shumë njerëz kanë fërkuar sytë, ndoshta, kur kam thënë se do të luaj deri në moshën 40-vjecare, por unë nuk e ndryshoj mendjen në këtë drejtim, madje mos u cudisni nëse do të luaj edhe 42 vjec”, – ka nënvizuar me shaka Del Piero.
Ai nuk ka preferuar të flasë për destinacionin e tij të ardhshëm, në Milano, apo një përvojë jashtë shtetit, por ka përsëritur për të disatën herë. “Unë nuk dua të mendoj për atë që do të bëj nga qershori e tutje. Vëllai im kujdeset për të ardhmen time, kështu që personalisht nuk jam duke kërkuar për asgjë. Dua vetëm të gëzoj çdo minutë kohe me Juventusin, që po ecën shumë mirë në kampionat. Shpresoj të vazhdojmë kështu deri në fund, pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë.”
Në mënyrë të pashmangshme, kapiteni juventin ka folur edhe për “Calciopoli”, duke pasur parasysh pasojat e fundit: ”Për mua, siguria e vetme në futboll është cka jep në fushën e lojës, vetëm ajo është gjyqtari i vërtetë. Pjesa tjetër përfshin presidentët, avokatët dhe drejtuesit e federatës. Unë nuk e di sa herë u kam dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, por nuk do të mërzitem duke ua përsëritur ato. Janë gjëra që nuk kanë të bëjnë me mua si futbollist, pasi jam i interesuar për atë që kam bërë në fushën e lojës me kundërshtarët dhe miqtë. Ky është futbolli që më intereson, që kam luajtur me Juventusin.”

 

© Panorama.al

Te lidhura