Defiçiti 260 milionë USD, tejkalohet huamarrja e brendshme

Jul 19, 2011 | 11:04
Ministria e Financave

Qeveria ka marrë më shumë para sesa kishte planifikuar nga tregu i brendshëm, duke tejkaluar parashikimin e saj. Treguesit fiskalë të 6-mujorit tregojnë për një financim të brendshëm të deficitit në nivelin e 288 milionë dollarëve nga 282 të planifikuara në fillim të vitit. Ndërkaq, ashtu sikurse edhe lajmëroi më herët qeveria në ndryshimet e buxhetit, është vendosur që të ndryshojë edhe struktura e huamarrjes. Tashmë financimi i deficitit do të bëhet me huamarrjen e jashtme, e cila deri në këtë 6-mujor ka arritur 35 milionë dollarë nga 182 milionë dollarë të planifikuara deri në fund të vitit. Në përqindje, kjo huamarrje përkthehet në 19.4 për qind të planit. Deficiti për këtë 6-mujor është dukshëm më i lartë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë kur ky deficit ishte 70 milionë dollarë. Treguesit fiskalë tregojnë edhe ecurinë e realizimit të të ardhurave dhe shpenzimeve nga ana e qeverisë. Për 6-mujorin në arkën e shtetit janë mbledhur 155 miliardë lekë, çka përfaqëson 42 për qind të planit vjetor dhe janë shpenzuar 181 miliardë ose 44 për qind e shumës së planifikuar. Ajo që bie në sy në realizimin e të ardhurave është vijueshmëria e një performance të dobët të mbledhjes së të ardhurave nga akciza dhe TVSH-ja, të cilat të dyja janë në nivelet 39 për qind të realizimit të planit, ndërkohë që të ardhurat nga tatimfitimi vijojnë të mbeten performanca më e mirë e tatimeve.

© Panorama.al

Te lidhura