Deçolli: Berati ka rënë poshtë me PS, duhet një menaxhim i ri

May 4, 2011 | 13:32

Është “rritur” me Partinë Demokratike. Që adoleshent është anëtarësuar. Pas kaq vitesh karriere si mjek, Ilir Deçolli është nënkryetar i PD-së në Berat, por edhe sekretar i Përgjithshëm. Aktualisht kandidat i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për Bashkinë e Beratit. Se me çfarë “mjetesh” do ta fitojë atë, e rrëfen vetë Deçolli në një intervistë për gazetën “Panorama”.
Jeni kandidat për kryetar Bashkie. Ç’ju bën të besoni në fitore?
Nuk e ndiej si shqetësim fitoren apo humbjen e një beteje zgjedhore. Ajo që më shqetëson më shumë është fakti se a do të jem në gjendje t’ua justifikoj si duhet dhe sa dëshiroj unë besimin, si atyre që më besuan përfaqësimin, ashtu dhe atyre që do të më bëjnë fitues më 8 maj me votat e tyre. Gjatë qeverisjes socialiste në këta 11 vjet, qyteti i Beratit ka rënë poshtë e më poshtë. Kjo është qeverisja-fasadë e kundërshtarit tim, që ka kurajën t’u kërkojë edhe një mandat tjetër qytetarëve.
Në këtë fitore, besoni më shumë te mbështetja partiake, apo tek aftësitë tuaja?
Besoj te PD-ja aq sa besoj edhe te vetja ime. Kam gjysmën e jetës sime që militoj në radhët e PD-së, në fillim si aktivist dhe 8 vitet e fundit si nënkryetar për Beratin dhe si sekretar i Përgjithshëm. Thuajse jam rritur me PD-në, në ditët e saj të mira dhe të këqija, ditë kur i rrezikohej ekzistenca. Besoj te PD-ja sepse është forca politike që ka bërë historinë e kthimit të Shqipërisë në familjen europiane. Besoj te PD-ja sepse nuk i mashtron qytetarët duke ndërtuar fasada, por duke ndërtuar Rrugën e Kombit dhe tani së shpejti Boshtin e Jugut. Por unë besoj edhe në aftësitë e mia individuale. Bir i dy prindërve të nderuar, me profesion mësues. Vetë jam mjek dhe askujt nuk mund t’i bëj kurrë keq, sepse ma ndalon edhe profesioni. Bashkëshort dhe prind i dy djemve të mrekullueshëm që i dua shumë… Pra, unë kam qenë dhe jam një prej qytetarëve të Beratit dhe këtë thjeshtësi mendoj se do ta vlerësojë edhe votuesi më 8 Maj.
Cilat janë epërsitë tuaja në krahasim me kundërshtarin?
Unë i përkas një brezi më të ri në moshë se kundërshtari. Vij me një mentalitet tjetër, pa ngarkesa emocionale, klanore, pa shterpësinë ideore që e karakterizon rivalin tim. Ndërkaq, duke pasur me vete përkrahjen e pushtetit qendror, do të bëj të mundur thithjen e fondeve për investime për rrugë, ujësjellës, gjelbërim, turizëm historik. Dhe më kryesorja: kundërshtarin tim e kanë provuar 7 vjet. A s’është koha të provojnë beratasit një menaxhim tjetër? Unë them se po, zgjedhësit ta japin përgjigjen më 8 maj…
Çfarë platforme keni për zhvillimin e qytetit tuaj katër vitet e ardhshme?
Po përmend vetëm tri pika kryesore: vlerat historike, infrastruktura rrugore, pastrimi dhe gjelbërimi i qytetit. Secila prej tyre janë të detajuara,në projekte dhe shifra konkrete.
Sa të rëndësishme i konsideroni këto zgjedhje për zhvillimet e mëtejshme politike në vend?
Personalisht i konsideroj si zgjedhjet që do të sjellin në hulli normale jetën politike në vend dhe do të qetësojnë edhe shpirtrat e trazuar të opozitës. Këto zgjedhje do të zgjidhin ngërçin politik që ka mbërthyer palët. Beteja bëhet më 8 maj dhe mbaron më 9 maj, me një fitues dhe një të humbur. Është e kotë të ngresh re tymi pas betejës, re që më kot na asfiksojnë të gjithëve dhe s’rregullojnë dot gjë.        d.xh

© Panorama.al

Te lidhura