Debat te “Ligjet”, Blushi: E provoi Belinda, do iu vijë edhe rradha juaj! Zv.kryeministrja u kap me presh në dorë dhe GJK e ktheu në detyrë! Manja e ironizon: Jeni 7 vjet mbrapa, pyetja të erdhi në telefon?

Dec 16, 2025 | 13:06

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve pati diskutime mes deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dhe kryetarit Ulsi Manja. Në komision, deputeti Olsi Komici prezantoi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’, të ndryshuar.

Blushi akuzoi se maxhoranca ka sjellë në komision një nismë të njëanshme, dhe se ka tentuar që të kapë prej fyti reformën në drejtësi. Ai tha se sikurse ka përfunduar Belinda Balluku, zëvendës kryeministrja e marrë e pandehur për tunelin e Llogarasë, do të përfundojnë edhe socialistë të tjerë, sepse sipas tij, imun është vetëm Rama.

Blushi përmendi se maxhoranca lejoi që Prokurori i Përgjithshëm me 69 vota, ndërsa Manja e ironizoi duke i thënë se “janë 7 vjet mbrapa”. Më tej, ai u ndal edhe te vendimi i Gjykatës Kushtetuese, teksa tha se e rikthey në detyrë Ballukun për të ndërhyrë dhe fshehur provat.

Pjesë nga debati:

Blushi: Ju pretendoni se ky projektligj është koherent me frymën e reformës kushtetuese. Ju sillni një nismë të njëanshme, të pakonsultuar me opozitën dhe në shkelje të këtij pretendimi që paraqisni në projektligj. Keni ndonjë koment për këtë? Meqenëse është te reforma në drejtësi, që kur zgjodhët prokurorin e përgjithshëm me 69 vota u zhbë, sukseset e të cilës i ka përshëndetur vetëm Charles McGonigal. Ju keni ndonjë koment si nismëtarë a jeni të kënaqur si mazhorancë. E keni kapur për fyti reformën, që është shndërruar në mundësi të mëdha vetëm për McGonigal dhe Ramën. E cilësoni normale votimin e Arta Markut, se kapja e saj solli kapjen e KLP. Keni prodhuar një prokurori politike dhe KLP politike.

Manja: Ju lutem qetësi se këta janë me kohën 7 vjet mprapa se Prokurori i Përgjithshëm është në detyrë dhe ju vazhdoni akoma me para 7 vitesh.

Blushi: Ju vazhdoni me kapjen e reformës. Unë kam lexuar indeksin e sundimit të ligjit. Ju na vini këtu me projektligje. Mos harroni se jeni të gjithë viktima të Ramaformës, dhe e dëshmon çdo ditë kjo qeveri. Imunitet ka vetëm Edi Rama. E dëshmoi së fundmi edhe zv kryeministren. Por kur ta kuptoni do të jetë vonë. A keni ndonjë koment për këto qëndrime që janë subjekte të korrupsionit tuaj, për Charles McGonigal. Ju na vini e prezantoni këto projektligje a thua se qëllimi juaj është forcimi i reformës.

Manja: Më serioz se kaq, bëhuni ju serioz se është pjesa e dytë e intervistës që do dalë sot, se të parën e kanë lexuar kolegët. Kjo e jotja do të dalë nesër. Në përgjithësi shtypin e ditës e ndjekin deputetët. Kjo që po thoni ju është e dyta.

Blushi: Ju paralajmëroj të gjithëve se do të bëheni të gjithë subjekte të Ramaformës, e provoi Belinda. Do të vijë radha juaj. Me çfarë morali vini pasi keni kapur dhe dështuar, dhe jeni bërë pjesë e këtij akti për reformën në drejtësi.

Manja: Konsensusin për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar e keni çdo të enjte në parlament. Rasti i fundit me Avokatin e Popullit tregon se kjo maxhorancë….

Blushi: Këto janë diversione…

Manja:…Në funk të axhendës së integrimit të Shqipërisë në BE. Kjo axhendë nuk pret që ne të rrimë të lidhur pas jush. S’mund të lidhemi pas jush. E dyta, ju na thoni dhe pyesni me kë i konsultojmë këto ndryshime që sjellim. Këto ndryshime që ka sjellë edhe sot në këto dy ligje të reformës në drejtësi kolegu ynë Komici, sigurisht ti nuk ishe në fillim të mendjes se e kishit vendosur që të mos merrnit pjesë por axhenda ndryshoi rrugës dhe erdhët me shpejtësi se duhet të bënit këtë deklaratë.

Blushi: Do t’ju vijë radha të gjithëve…

Manja: Sot do të ezaurojmë diskutimin në parim të këtyre dy nismave ndërsa shqyrtimi për propozimet e Komicit do të bëhen vetëm pasi të kemi marrë opinionin e KE në lidhje me këto dy nisma se ne zoti Blushi me hapjen e negociatave çdo gjë e dakordësojmë me Komisionin. Ju tani thoni mos i dakordësoni me KE por hajdeni t’i diskutojmë me ju. Se ça të diskutojmë me ju s’e marr vesh. Të diskutojmë ne me ju. Ta kam dhënë përgjigjen për Avokatin e Popullit. Ka një komision të përhershëm të të drejtave të njeriut dhe shkoni atje dhe diskutoni raportin e Avokatit të Popullit.

Blushi: As standartet e Putin s’i arrini dot, dhe tani bëni moral për standarde evropiane.

Manja: Bëre mirë që erdhe se kishim nevojë t’ju dëgjonim sot. Ne shyqyr që iu kemi. Nuk bëjmë gabimet e atyre që digjnin mandatet për t’i falur të gjithë pushtetet Edi Ramës.

Më pas, Manja e ironizon Blushin teksa ky i fundit thotë se do të parashtrojë një pyetje.

Pjesë nga biseda:

Blushi: Kam edhe një pyetje.

Manja: Tani i erdhi pyetja në telefon. Ai që mendoni se çon pyetje është në izolim ekstrem.
Manja: Departamenti ligjor pranë partisë.

Manja: Para se të të jap fjalën, është pyetje shtesë kjo nuk e kishte (qesh). Nuk ishte nga pyetjet e para, erdhi nga interesi publik!

Blushi: Ka një interes publik se GJK duhet të jetë barriera e fundit e dhënies së paligjshmërisë. A keni një koment se është kapur zëvendës kryeministrja me presh në dorë dhe GJK e kthen në detyrë. A keni koment për këto ligjet e Kimetes, Soros e këto mafiozë me fustan e pa fustan ndërkombëtarë. Për vendimin e GJK. A mund të jesh një deputet ku GJK kthen në detyrë një të pandehur për të prishur prova, ndërkohë që Meta pa asnjë fakt e provë penale qëndron sot në burgun politik të Ramës.

Manja: Përmbylle pyetjen.

Blushi: Doni të komandoni edhe argumentet edhe pyetjet…

© Panorama.al

Te lidhura