Debat për transferimin e gruas, kreu i Arsimores nxjerr armën

Sep 13, 2012 | 13:17
Lefter Ballabani gjatë një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak

BURREL – Një incident i rëndë ndodhi dje në qytetin e Burrelit, ndërsa protagonist i ngjarjes ishte drejtori i zyrës arsimore, Lefter Ballabani, njëkohësisht kryetar i PD-së dhe i Këshillit Bashkiak Burrel. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:00, në një nga lokalet e qytetit, ndërsa sipas Policisë, është bërë edhe një denoncim për kërcënim me armë. Mësohet se në mëngjes, shtetasi Xhemal Bruçi, 42 vjeç, nga Burreli, ka kërkuar të kontaktojë me drejtorin e zyrës arsimore, në sheshin “Demokracia”. Por ai pohoi për gazetën “Panorama” se Ballabani e ka kërcënuar me armë.
Kur dhe pse jeni takuar me drejtorin e zyrës së arsimit?
Rreth orës 08:00, përballë hotel “Matit”, kam parë drejtorin e Arsimit dhe i kërkova të takohem me të. E kisha takuar dhe disa herë të tjera dhe i kisha kërkuar atij dhe deputetit të Matit, Bedri Hoxha, të mundësonin afrimin e gruas sime si mësuese nga fshati Bushkash ku punon prej shtatë vitesh në qytetin e Burrelit. Më tha: “Kam zyrë, hajde të bisedojmë atje”. Por atje i thashë se kisha qenë disa herë dhe nuk më keni zgjidhur hallin.
Çfarë ndodhi më vonë?
Pas takimit me Ballabanin, unë, bashkë me dy vëllezërit e mi dhe disa miq, u ndalëm në një lokal për të pirë kafen e mëngjesit. Pa kaluar më shumë se gjysmë ore, vjen dhe më takon në lokal kunati i drejtorit të Arsimit, i cili është edhe shofer i tij, M. Kurti. Më kërkon të bisedojmë veç të tjerëve. Kaluam në një tavolinë tjetër. Pa kaluar vetëm pak minuta nga takimi mes meje dhe kunatit të drejtorit të Arsimit, vjen Lefteri me një pistoletë në dorë dhe e drejton nga unë. Në moment mbeta pa fjalë. I pari çohet nga tavolina kunati i Ballabanit dhe kërkon të ndërhyjë. Ky i fundit e urdhëron të largohet. Dy-tre klientë të lokalit ndërhynë dhe ia hoqën armën nga dora.
Si keni vepruar pas ngjarjes?
Fillimisht u kam kërkuar vëllezërve dhe njerëzve të afërm të mos ndërmarrin veprime ndaj drejtorit të Arsimit. Kam vajtur në Komisariatin e Policisë dhe denoncova ngjarjen.

Ballabani: Kjo është një sajesë
Drejtori i zyrës arsimore Mat, Lefter Ballabani, njëkohësisht kryetar i Këshillit Bashkiak dhe kryetar i PD-së për Burrelin, e ka mohuar kategorikisht ngjarjen. “Nuk është aspak e vërtetë se kam kërcënuar ndonjë shtetas me armë zjarri. Unë nuk kam qenë fare në lokalin për të cilin bëhet fjalë. Pres i qetë zbardhjen e akuzave”, u shpreh ai. Nga ana tjetër, dhe shefi i komisariatit të Burrelit deklaroi se çështja është ende në hetim.

© Panorama.al

Te lidhura