Dalin nga Lazarati 138 kg marijuanë, trafikantët do ta çonin në Athinë

Jul 18, 2012 | 15:33
Droga e kapur në Gjirokastër

GJIROKASTER- Ndonëse presupozohet se Lazarari është i “blinduar” këto kohë nga toka e ajri, fshati vijon të trafikojë drogë. Trafikantët kanë arritur të gjejnë shtigje të tjera për ta transportuar mallin drejt kufirit të gjelbër me qëllimin për ta çuar atë në Greqi. Sasia e fundit prej 138 kg marijuane e gjeti sërish rrugën e daljes nga fshati famëkeq, ku një ditë më parë u patrullua nga helikopterë italianë për evidentimin e bimëve të mbjella. Redijal Kysaj dhe Misir Buda, që të dy 25 vjeç, nga Gjirokastra, u arrestuan si trafikantë të sasisë së drogës së sekuestruar, ndërkohë që shtetasi Imer Ruko 21 vjeç, drejtues i mjetit që trafikonte lëndën narkotike, po nga Gjirokastra, është shpallur në kërkim pasi mundi të largohej në drejtim të paditur duke u shpëtuar kështu forcave policore. Ka qenë ora 05:00 e së martës, kur shërbimet e Policisë Kufitare të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin zbuluan dhe sekuestruan mallin që ishte vendosur brenda katër çantave të mëdha, në bordin e automjetit “Nissan” me targa greke YKP 2151, që drejtohej nga Imer Ruko. Ky i fundit, pasi ka diktuar lëvizjen e policisë në drejtim të mjetit të tij, e ka braktisur atë duke u larguar në drejtim të paditur. “Grupi hetimor, pas verifikimit në terren, ka arritur të gjejë katër çanta të mëdha shpine, dy prej të cilave në bagazh dhe dy të tjera në sediljen e pasme të automjetit, si dhe 20 pako me marijuanë të mbështjella me letër ngjitëse, të vendosura po te sedilja e pasagjerit. Pas kontrollit, në mjet u gjetën 110 pako me peshë 1 kg secila”, bëri të ditur Policia. Nga hetimet paraprake rezultoi se lënda narkotike është blerë në Lazarat dhe është transportuar përmes rrugëve rurale, duke iu shmangur kontrollit policor. Ndërkaq, dje në mbasdite, pak metra në brendësi të kufirit grek, u arrestua 26- vjeçari shqiptar Arben.B. Ai po trafikonte 128 kg marijuanë të cilën e kishte marrë në Lazarat.          p.n

© Panorama.al

Te lidhura