Dako: Këshilltarëve do t’u shtrij dorën për bashkëpunim

May 14, 2011 | 11:10

Në mandatin e tij të dytë si kryebashkiak i Durrësit, Vangjush Dako do të ulet në një tavolinë me këshilltarët e djathtë. Sipas tij, vuajtja e viteve të fundit do të kalojë dhe vetë kreu i Bashkisë do t’u shtrijë dorën për bashkëpunim, në të mirë të qytetit.Me fitoren e 8 majit, Dako u bë i pari kryebashkiak që qeveris qytetin e Durrësit për dy mandate. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Dako u shpreh se çelësi i kësaj fitoreje të thellë ishte pikërisht puna që ai ka bërë në mandatin e parë si kryetar bashkie.
Koalicioni “Aleanca për të ardhmen”, në të cilin ai garoi, ka marrë 21 këshilltarë, përkundrejt 24 të Aleancës për Qytetarin.
Zoti Dako, a e prisnit të fitonit kaq thellë përballë një rivali të fortë?
Të them të drejtën, deri diku e prisja të fitoja, por, ç’është e vërteta, nuk më ka shkuar kurrë në mendje se do të fitoja me një diferencë kaq të madhe votash. Në vetvete kam qenë gjithmonë optimist, por nuk e kam nënvlerësuar për asnjë moment rivalin tim. Unë mendoj se epërsia që mora në mesin e garës ishte dhe mesazhi që qytetarët më dhanë për punën që kam bërë gjatë mandatit të parë si kryebashkiak. Gjithçka ia dedikoj përkushtimit të administratës, këshilltarëve, specialistëve dhe qytetarëve.
Cili ishte çelësi i suksesit në rastin e fitores tuaj?
Duket qartë që qytetarët e Durrësit nuk shikojnë ngjyrimet politike, sesa vlerësojnë punën dhe votojnë atë kryetar bashkie që u shërben atyre. Sa më shumë t’u shërbesh qytetarëve dhe të punosh, aq më i madh do të jetë vlerësimi. Në mandatin e dytë do të vazhdojmë t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve të Durrësit, pa dallim, ashtu siç kemi bërë në katër vitet që kaluan. Edhe ky mandat do të jetë i mbushur me më shumë punë në shërbim të qytetarëve, për t’ia ndryshuar krejtësisht faqen Durrësit. Funksioni politik pushon në kohën e marrjes së votëbesimit qeverisës. Kam dëshmuar se u kam shërbyer njësoj qytetarëve të mi, dhe kjo më ka bërë të ndihem tani i justifikuar e i votuar. Më 8 maj numri votuesve është rritur dukshëm, ashtu si dhe diferenca ime me kandidatin e PD-së. Mendoj e besoj se Bashkia që unë drejtoj ka mundur të depërtojë në të gjitha skajet e njësive vendore, duke i bërë qytetarët të ndihen të gjithë pjesë e ndryshimit të qytetit, pjesë e transformimeve të mëdha.
Me numërimin e kutisë së fundit që ju shpalli zyrtarisht kryebashkiak, si e ndjetë veten?
Sigurisht që u emocionova shumë, është një emocion i rrallë. E kam të vështirë, deri të pamundur, ta përshkruaj. Siç e patë edhe vetë ju gazetarët, të cilët qëndruat 4 ditë me radhë, duke mos u larguar për asnjë sekondë nga vendi i numërimit të fletëve të votimit, aty u krijua një atmosferë vërtet e bukur nga simpatizantët e shumtë, të cilët ishin mbledhur për të festuar fitoren në shkallët e pallatit të sportit “Ramazan Njala”. Festën e fitores ne do ta vazhdojmë një ditë tjetër, ku do të jenë të gjithë djemtë dhe vajzat që kanë punuar për ditë me radhë. Gara filloi e fortë, por unë kam kryesuar në të gjashtë njësitë. Në fare pak qendra votimi konkurrenti i PD-së mori disa vota më shumë, ndërsa unë, në më shumë se 130 kuti, dola me avantazhe deri edhe të thella. Vota lexohet në çdo rast: punë e përgjegjësi. Këtë herë përqindja në votime qe më e madhe, me 21 000 zgjedhës më shumë, kurse fitorja qe bindëse. Me kandidatin e PD-së në vitin 2007 mora diku te 350 vota më shumë, tani, me kandidatin e së njëjtës parti, por me aleatët të saj më të shumtë, mora 3500 vota më shumë. Unë e lexoj si përgjegjësi, por edhe si punë të bërë, fjalë të mbajtura, projekte të realizuara. Tani do ta kem edhe më të vështirë. Janë më shumë zgjedhës të zgjuar e të interesuar se cili do të jetë trendi i Bashkisë së Durrësit, si bashki e portit më të madh në vend dhe e zonës më të madhe turistike bregdetare në Shqipëri.
Zoti Dako, edhe për këtë mandat do të jeni në minorancë në Këshillin Bashkiak. Si do të veproni?
Po, është e vërtetë që edhe këtë mandat ne do të jemi në minorancë përsa i përket Këshillit Bashkiak. Por ne, në këtë 4-vjeçar do të mundohemi që të gjejmë gjuhën e përbashkët. Gjatë mandatit tim të parë kemi vuajtur shumë, pasi këshilltarët e djathtë kishin si synim që vetëm të sillnin probleme, që punët e Bashkisë të mos ecnin siç duhej. Unë do t’u kërkoj anëtarëve të djathtë të Këshillit Bashkiak që të jenë sa më bashkëpunues, në mënyrë që të zgjidhim problemet e qytetit. Këshilltarët janë votuar si dhe unë për të marrë përgjegjësi. Qyteti kërkon investime, projekte, rrugë, higjienë, gjelbërim, mjedise argëtimi, punësim, biznes. Këto e të tjera kryhen në sajë të bashkëpunimit. Unë jam i gatshëm dhe jam i bindur se do t’ia arrij të krijoj klimën e duhur në Këshillin e Bashkisë. Ndarja nga bojkoti e bllokimi është detyrë për çdo subjekt e këshilltar. Shpresoj te klima pozitive dhe do të punoj pa ndërprerje. Këshilltarët janë të gjithë të barabartë përballë detyrës që kanë marrë, pra na duhet të gjithëve të bëjmë atë që është më e mira për qytetin tonë.
Ju, në mandatin e parë si kryetar i Bashkisë, keni lënë pezull disa projekte të rëndësishme, siç janë sheshi “Liria”, rruga paralel me portin dhe sheshi te Stacioni i Trenit. Si do të procedoni me to?
Këto janë investime të Bashkisë dhe do të përfundojnë. Gjatë mandatit të kaluar nuk kishim mosmarrëveshje, ishin thjesht teka të disa këshilltarëve, të cilët e shfrytëzuan mandatin e tyre në dëm të qytetarëve. Nuk jemi penguar, por, nga ana tjetër, më duhet të pranoj se vota e tyre kundër na ka ngadalësuar procesin. Tani mendoj se edhe ata janë ndërgjegjësuar. Pikë së pari kjo është një lojë politike dhe fituesi ka të drejtën legjitime në demokraci të zbatojë projektin për të cilin është votëbesuar. Unë e fitova këtë garë me diferencë të madhe, dhe ky është tjetër tregues për çdo këshilltar, i cili duhet t’i bindet vullnetit të qytetarëve. Më duhet të pranoj se edhe ndër këshilltarët e së djathtës kam mundur të gjej mirëkuptim, dhe kjo më bën të besoj se do të gjejmë pikën e takimit me ta. Jam optimist dhe i bindur se koha do të më japë të drejtë.
Si do të vazhdojë puna në këtë 4-vjeçar?
Vizioni ynë është ai i zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit dhe programi ynë bazohet në shtatë shtylla, që janë: planifikimi urban, infrastruktura, zhvillimi ekonomik lokal, turizmi dhe kultura, kujdesi social, arsimimi dhe mjedisi. Këto shtatë shtylla janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën për zhvillimin e qytetit. Nuk mund të ketë turizëm nëse nuk ka një planifikim urban. Në mënyrë të përmbledhur, puna jonë do të harmonizohet në zhvillim ekonomik e shoqëror, zhvillim ekologjik dhe zhvillim urban. Në bashkëpunim me donatorë të huaj do të zbatojmë projektin për rehabilitimin e Kodrës së Vilës, si park i madh e kurorë e gjelbër, do të zgjidhim çështjen e bibliotekës, do të ndërtojmë pishinë me sipërfaqe 3500 m2, premtojmë të vijojmë politikën e strehimit për ndërtimin e 342 apartamenteve, kujdes për fëmijë e gra me probleme sociale etj. Të tjera kemi në fazën e investimit, si dhe një numër i konsideruar projektesh pritet të marrin miratimin e ekspertëve. Kështu, do të ndërtohen katër sheshe të reja: te Stacioni i Trenit, lulishte “1 Maji”, sheshi “Liria” dhe para Pallatit të Kulturës. Banorët shumë shpejt do të kenë 1.5 km vijë bregdetare më shumë në zonën Aragosta drejt Currilave, ndërsa perspektivë të pamatë turistike, punësimi, biznesi dhe rritje të standardeve ekonomike familjare do të afrojë projekti “Vija e gjelbër” në kodrat e Kallmit. Durrësi ka një vizion të qartë e të përcaktuar. Ne nuk do të lejojmë që bregdeti ynë të bëhet si Shkëmbi Kavajës, apo Golemi. Do të punojmë për turizëm të të gjitha niveleve. Kallmi nuk ka asnjë metër katror tokë të zënë dhe kjo është bërë e mundur në sajë të ruajtjes që i kemi bërë për t’i hapur perspektivë të jashtëzakonshme Durrësit dhe qytetarëve të tij.

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura