Dajti kërcënon prokurorin në seancën e Krimeve të Rënda

Nov 10, 2011 | 9:29

Dritan Dajti, i cili po gjykohet për vrasjen e katër policëve në 7 gusht 2009 në Durrës, kërcënon pro-kurorin në sallën e gjyqit.
Seanca e djeshme te Krimet e Rënda është tensionuar kur i pandehuri Dajti ka shqiptuar fraza kërcënuese dhe ofenduese në drejtim të përfaqësuesit të akuzës në seancë, prokurorit Eugen Beçi. “Bashkë e zgjidhim si të duash! Do ta shohësh! Mbaje mend!”, është shprehur Dajti gjatë adresimit ndaj prokurorit që në emër të shtetit mbron akuzën në gjyq. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryesueses së seancës, e cila ka urdhëruar nxjerrjen nga salla të të pandehurit. Situata e rënduar ka ndodhur tamam në kohën kur para gjykatës po dëshmonte Arjan Muça, zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit, ish-drejtues në operacionin ku u arrestua Dajti dhe ku u vranë punonjësit e policisë. Seanca e djeshme ishte me dyer të mbyllura për publikun, ashtu si janë zhvilluar të gjitha seancat e këtij procesi.
KËRCËNIMI
Burime pranë Gjykatës bënë të ditur episodi i djeshëm u shënua pak minuta para orës 16:00, kur do të përfundonte orari zyrtar i punës në Gjykatë. Për shkak se dëshmia e dëshmitarit Muça ka filluar disa seanca më parë, dje radhën e pyetjeve e ka pasur i pandehuri Ergest Xhoxhi. U bë e ditur se Dajti i ka kaluar kunatit të tij një bllok ku kishte përgatitur pyetje për dëshmitarin. “Ku e morët informacionin për drogën? A i kam vënë gjobë ndonjë policit tënd?”, kanë qenë pyetjet që i ka drejtuar në vijim i pandehuri dëshmitarit. Këto pyetje kanë hasur në reagimin e prokurorit. Përfaqësuesi i akuzës i ka pohuar trupës gjykuese se pyetjet ishin jashtë çështjes objekt gjykimi dhe se i pandehuri Xhoxhi po i referohej pyetjeve të të pandehurit tjetër. Në këtë moment, situata është acaruar dhe Dajti ka folur në drejtim të përfaqësuesit të akuzës. “Bashkë do ta zgjidhim si të duash! Do ta shohësh! Mbaje mend!”, mësohet t’i jetë drejtuar ai prokurorit. Në vijim, zbatimi i urdhrit të kryesueses së seancës për nxjerrjen nga salla të të pandehurit nuk ka ndërprerë kërcënimet e tij. Gjatë kohës që toga e shoqërimit po e nxirrte atë nga salla, Dajti nuk ka kursyer as fraza ofenduese në drejtim të prokurorit.

Kërcënimi te pretenca
Dy ditë më parë, një tjetër prokuror i Prokurorisë për Krimet e Rënda u kërcënua në sallën e gjyqit. Ditën e martë, një nga të akuzuarit e procesit në ngarkim të të akuzuarve për vrasjen e policit Gjon Pacuku në vitin 2000, në Rrëshen, i tha prokurorit: “Qoftë i madh Zoti te kalamajtë e tu, ta shohë drejtësinë. Tjetër s’kam ç’të të them unë ty”. Kjo deklaratë u bë pas kërkesës së prokurorit për masat e dënimit ndaj të akuzuarve.

© Panorama.al

Te lidhura