Një tjetër histori ndarjeje, që po qarkullon këto ditë në ambiente këngëtarësh dhe jo vetëm, është ajo mes këngëtares kosovare Dafina Zeqiri dhe të dashurit të saj, Krenar Cocaj. “Panorama plus” arriti të zbulojë lajmin pothuajse në kohë reale, falë disa informatorëve tanë sekretë, shumë të afërt me çiftin. Tani jemi në fazën që vetë protagonistët duhet të rrëfejnë së çfarë ka ndodhur realisht mes tyre. Natyrisht që ne nuk na gënjen mendja që ndonjëri prej tyre mund të na rrëfejë versionin real të ndarjes. Por sidomos Dafina, që është personazh publik, duhej të ndiente obligim për t’u shpjeguar fansave që e ndjekin dhe shpenzojnë për ta parë e dëgjuar, se çfarë po ndodh me jetën e saj. Mirëpo, ajo nuk ka pranuar të prononcohet, të paktën për gazetën tonë. Nga ana tjetër, i dashuri i këngëtares, Krenari, na ka ofruar një marrëveshje: nëse ne i tregojmë se kush është personi që na ka rrëfyer historinë e tyre të ndarjes, ai do pranojë të tregojë gjithçka. Si personi më i lënduar nga kjo histori, duke pasur parasysh se Dafina e la Krenarin, ky i fundit e sheh më të udhës që të flasë në media, por nuk i del ende inati se kush e ka dekonspiruar. Shpresojmë të ndërrojë mendje dhe të na ofrojë ndonjë marrëveshje tjetër, sepse në profesionin tonë ne nuk japim lajme, por mbledhim lajme dhe për këtë duhet të na mirëkuptojë Krenari dhe kushdo tjetër.
Krenari kishte probleme financiare
Siç e kemi thënë edhe në shkrimin e javës së kaluar, zënkat mes çiftit bëheshin kryesisht për punë parash, madje shpesh ato degjeneronin edhe në dhunë. “Panorama plus” tregoi se Dafina ishte larguar nga apartamenti ku bashkëjetonte me Krenarin dhe se familjarët e saj e kishin marrë atë me dhunë pas insistimit të të atit të Krenarit, që djali i tij dhe Dafina të vazhdojnë lidhjen dhe të tejkalojnë mosmarrëveshjet. Të njohur të çiftit tregojnë se këngëtarja Dafina Zeqiri ishte lidhur me Krenarin me mendimin se ai është i pasur dhe ky fakt ishte një bonus i mirë për të pasur mbështetje në shpenzimet e saj të shumta për klipe. Në fakt, familja e Krenarit vërtet ka qenë e pasur, por kohëve të fundit biznesi familjar kishte përjetuar një krizë, dhe se biznesmenët nga Prizreni, të cilët jetonin në Prishtinë, kishin filluar ta humbnin epitetin prej “boss”-i, që shpesh përdoret në Kosovë. Familja e Krenarit më parë kishte jetuar në një vilë shumë luksoze, po ashtu në Prishtinë, por me kalimin e kohës dhe me humbjet e mëdha që përjetonte biznesi familjar, ata vendosën të jetojnë në katin e dytë të shtëpisë së xhaxhait të Krenarit. Madje dikur, Krenari shihej me makina të ndryshme dhe shumë luksoze, kurse tani familja e tyre ka ngelur vetëm me dy vetura, pasi disa të tjera ua ka sekuestruar policia, për shkak se kishin probleme. Edhe udhëtimet në Australi ishin bërë në llogari të Krenarit, meqë familja e tij kishte miqësi atje, por me sa duket nuk kishin llogaritur mirë, se të gjitha këto shpenzime ishin të ekzagjeruara dhe se një ditë do t’i çonin në krizë financiare. Por ajo që Dafina po përpiqet të shpëtojë këto kohë, është reputacioni i saj në muzikë. Mësohet se Drini, menaxheri i Dafinës, ka rënë dakord me Krenarin që të mos publikojë asgjë në lidhje me ndarjen, deri në momentin që këngëtarja të lançojë albumin e saj të ri, sepse do të tërhiqte vëmendjen nga jeta private e Dafinës, ndërkohë që atyre u duhet publicitet për të shitur albumin.
DAFINA HESHT PËR NDARJEN
Ka kaluar gati një javë që nga publikimi i ndarjes nga Krenari, kurse Dafina ka vendosur të heshtë për rastin në fjalë. Asnjë fjalë nuk është thënë nga këngëtarja në ndonjë media të shkruar apo televizive. Heshtja flet më shumë se fjalët, thotë një thënie popullore, gjë që vërteton se mes tyre çdo gjë ka marrë fund. Hulumtuam nëpër profilet zyrtare të Dafinës në Facebook dhe Twitter, por nuk gjetëm asnjë reagim të saj. Në Twitter ajo ka postuar vetëm klipet e fundit, po ashtu edhe në Facebook dhe në faqen zyrtare, e cila kontrollohet edhe nga disa administratorë të tjerë, por edhe nga Dafina. Gazetarët e “Pasdite në Top Channel” kanë pyetur mbi ndarjen menaxherin e Dafinës dhe ai ka pohuar se çifti është në krizë. Lind pyetja, mos vallë Dafina po mendon se sa para do t’i kërkojë medias që do publikojë rrëfimin e saj? E themi këtë, sepse ajo e ka në praktikë që të kërkojë para për çdo dalje në media, ndërkohë që po ta mendosh më thellë, falë këtyre mediave Dafina u bë kaq e njohur dhe natyrisht, e pasur. Nuk do ishte keq që të ishim ne gazetarët që t’u kërkonim para për të dalë personazhet në gazeta e revista, sepse intervistat e tyre janë të mbushura me promocione mbi klipin e ri, albumin, koncertin etj. Ndërkohë, lajmet sensacionale, siç ishte p.sh. ky i ndarjes, ne nuk kemi shans që t’i mësojmë nga goja e tyre. Atëherë çfarë vlere kanë rrëfimet e tyre për ne, aq më tepër dhe kur na kërkojnë t’i paguajmë?
KRENARI: “MË TREGONI BURIMIN E INFORMACIONIT QË TË FLAS”
Ndryshe nga Dafina, e cila nuk ka dashur të flasë mbi ndarjen, një reagim vjen nga ish i dashuri, Krenar Cocaj. I indinjuar thellë nga lajmi që “Panorama plus” botoi javës që kaloi, Krenari i është përgjigjur kërkesës sonë për të folur në lidhje me rastin, por vetëm me një kusht, pasi të mësojë burimin e informacionit se nga na erdhi lajmi për ndarjen nga Dafina. “Në momentin që do të tregoni të vërtetën, do të jem i gatshëm të bashkëpunoj me ju”, ka shkruar Krenari në SMS-në dërguar gazetarit tonë.
Po menaxheri i Dafinës çfarë pati?
“Tashmë, menaxherin e Dafinës e bën djali me emrin Drin Zatriqi, menaxher klubesh nate të njohura në Prishtinë, i biri i Agim Zatriqit, ish-drejtorit të RTK në Kosovë. Ndërkohë që nga miq të tyre të afërt kanë qarkulluar fjalë që mes tyre ekziston diçka më shumë se thjesht marrëdhënie pune, por kjo mbetet për t’u pohuar nga ata vetë.” Kështu ka shkruar gazeta “Panorama” javën e kaluar, duke shpjeguar se më parë Dafina menaxhohej nga i dashuri i saj. Gjatë investigimeve tona, ne thamë edhe arsyen që e ka çuar çiftin në ndarje. Treguam se sherri mes çiftit ishte bërë për punë parash, madje e kishim cituar në titull. Mirëpo nuk e ka lexuar kështu menaxheri i ri i Dafinës, Drini, i cili ka nxituar menjëherë të shprehet në mediat kosovare, se nuk është ai shkaku që janë ndarë Dafina me Krenarin. Po kush të tha se je ti? Ku e pe të shkruar se Dafina ndahet nga Krenari sepse është lidhur me Drinin? Tani që Drini është shprehur kështu, ne na lind e drejta të besojmë fjalët që po qarkullojnë në ambientet artistike, se me të vërtetë mes tyre ka më shumë se marrëdhënie pune.
BESARTA KADIU
© Panorama.al











