Çmontohet banda e ‘skifterëve’, grabisnin makina e motorë në seri, 3 të arrestuar! Mes tyre një “Lupen” vetëm 14-vjeç, akuzohet për 150 vjedhje! Dy të rriturit e shtynin që të…

Feb 5, 2026 | 14:19

Një grup ‘skifterësh’ është goditur nga policia, pasi akuzohen si përgjegjës për vjedhjen e automjeteve në seri në kryeqytet.

skifteret

Tre persona u arrestuan, mes tyre edhe një “Arsen Lupen” vetëm 14-vjeçar, i dyshuar për 150 bastisje.

Policia e Tiranës njoftoi sot (5 shkurt) se ka finalizuar operacionin e koduar “Popular”, në kuadër të parandalimit dhe goditjes së vjedhjeve në kryeqytet, duke arrestuar dy shtetas dhe një të mitur, të dyshuar për përfshirje në disa raste vjedhjesh.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e shtetasve A. D., 48 vjeç dhe A. H., 41 vjeç, si dhe ndalimin e një 14-vjeçari, i cili dyshohet si autor i dhjetëra vjedhjeve. Sipas hetimeve, më datë 21 janar, dy të rriturit dyshohet se kanë shtyrë të miturin për të vjedhur një motomjet në rrugën “Kongresi i Manastirit”, i cili më pas është përvetësuar nga 41-vjeçari”, bëri me dije policia.

Më tej blutë sqarojnë se:

“Nga veprimet hetimore rezulton se i mituri dyshohet të ketë kryer rreth 150 vjedhje gjatë dy viteve të fundit, ndërsa vetëm gjatë muajit shkurt 2026 dyshohet për 4 raste të tjera vjedhjeje në Tiranë”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një garazh në pronësi të shtetasit A. H., policia gjeti dhe sekuestroi 2 motomjete, si dhe pjesë motomjetesh, të dyshuara si të vjedhura.

Po vijon puna për dokumentimin dhe zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

© Panorama.al

Te lidhura