Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në Foltoren para Kryeministrisë, iu rikthye sërish mbledhjes së sotme të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për shqyrtimin e imunitetit të Belinda Ballukut, ku u shpreh se propozimi i PD-së ishte i njëjtë me atë të Prokurorëve të SPAK.
Në Foltoren e radhës para Kryeministrisë, kreu i PD-së theksoi se anëtarët demokratët ishin në linjën e SPAK për t’i hequr imunitetin Ballukut sa më shpejt, por socialistët e refuzuan kërkesën e tyre.
Berisha tha se do të jenë qytetarët që do ia heqin imunitetin Ballukut. Ai i ftoi qytetarët në protestën e radhës kombëtare kundër Edi Ramës dhe qeverisë, për të kërkuar arrestimin e tij dhe largimin nga pushteti.
“Asnjë njeri nuk e priti në Uashington. I refuzuan çdo kërkesë. Nuk vjen njeri të na e nxjerrë. Jemi ne. A ka provokim më të rëndë se ai që bën sot? Sot, prokurorët pas 3 muajsh në kundërshtim me ligjin, Kushtetutën dhe çdo gjë, u lejuan të paraqesin kërkesën e tyre. Dhe sot, hajdutët përsëri përkundrejt qëndrimit të deputetëve tanë, njëri nga ata tha, unë abstenoj. Po mirë i thanë këta, absteno ti, jemi 5 me 4 dhe vendimi është i qartë se komisioni kërkon heqjen e imunitetit të saj dhe arrestimit.
Pas 5 minutash, Taulant Balla, i cili kur është vetëm me të huajt një fjalë në mbrojtje të saj nuk e thotë, kur është me të tjerët bën avokatin e saj. Thotë jo, ne nuk jemi dakord me propozimin tuaj. Ai ishte propozimi i prokurorëve. Demokratët po pranonin propozimin e prokurorëve dhe dolën nga komisioni pa votuar. Do pyesim grupin. Por Kushtetuta thotë se vendimin e merr komisioni, jo grupi. Por këta nuk kanë as ligj, as Kushtetutë.
Pra, kush do ia heqë imunitetin asaj? Qytetarët shqiptarë! Të shtunën, në ora 6, e gjithë Shqipëria kundër Edi Ramës, imunitetit të Edi Ramës, për arrestimin e Edi Ramës, për largimin nga pushteti. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!”, u shpreh Berisha.
© Panorama.al











