FUSHE KRUJE- Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot paradite ne ceremoninë e vendosjes së statujës së ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh W. Bush në sheshin e qytetit të Fushë Krujës.
Berisha e vlerësoi ceremonine si një nderim i merituar i njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë kombëtare, vizitës së Presidentit të 43-të të SHBA-ve dhe vizitës së parë në historinë e këtij vendi të Presidentit të vendit të madh të lirisë, Xhorxh W. Bush, katër vjet më parë në 10 qershor 2007.
“Fushë Kruja shënoi kulmin e një turneu evropian të Presidentit Bush, ku ai u prit me ndjenjat më miqësore. Ju përfaqësuat me dinjitetin më të madh çdo shqiptar në të katër anët e Shqipërisë, por edhe çdo shqiptar kudo në botë”- tha Berisha gjate fjales se tij ne kete ceremoni.
Sipas tij, shqiptarët duhet të jenë krenarë për proamerikanizmin e tyre, pasi ai i ka rrënjët në historinë e lirisë së tyre, në rolin shpëtimtar të SHBA-ve në moment më kërcënuese për lirinë dhe ekzistencën e kombit, si dhe në përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar të ardhmen e munguar, për të ndërtuar të ardhmen e merituar si komb dhe vend i lirisë.
Kryeministri shprehu nderimin dhe mirënjohjen më të madhe për Presidentin Xhorxh W.Bush, për qeverinë e SHBA-ve, për Presidentin Obama, për të gjithë mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme, si dhe shprehu garancinë e plotë se shqiptarët, me ato ndjenja dashurie e respekti që dëshmuan në këtë vizitë, do të bëjnë gjithçka për të konsoliduar në Shqipëri lirinë, shtetin e të drejtës, ekonominë e tregut dhe për të përmbushur detyrimet si vend anëtarë i Aleancës së Veriut.
© Panorama.al











