Pjesëmarrja e minoriteteve në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave do të jetë e pamundur nëse qeveria nuk do të plotësojë kriteret e kërkuara nga minoritet. Deklarata vjen nga kreu i Partisë për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i shprehur pas takimit me delegacionin e Këshillit të Europës për të drejtat e minoriteteve, i cili ndodhet për vizitë në vendin tonë. “Me kuadrin aktual lidhur me regjistrimin e popullsisë: 1) shkelet rëndë dhe zhvlerësohet e drejta e vetëdeklarimit; 2) penalizohet kjo e drejtë e vetëdeklarimit; 3) dekonspirohet konfidencialiteti i vetëdeklarimit. Denoncuam gjithashtu faktin e refuzimit total nga ana e qeverisë dhe strukturave përgjegjëse për regjistrimin e popullsisë ndaj kërkesave të përsëritura si të minoritetit etnik grek, ashtu dhe të minoriteteve të tjera, për konsultime dhe negociata”, deklaroi Dule.
“PS të votojë ligjet që duan 3/5 e votave”
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka vlerësuar dje rikthimin e opozitës në Parlament dhe i ka bërë thirrje asaj të votojë ligjet që kërkojnë shumicën e cilësuar. “Unë shpresoj që brenda kalendarit të parë 3-javor, të gjitha këto ligje të miratohen, për të treguar një sinjal pozitiv maturie të opozitës në Shqipëri dhe në përgjithësi të të gjitha forcave politike shqiptare apo të politikës në Shqipëri”, tha Bregu. Sipas saj “Vendimet e tjera, pavarësisht dëshirës dhe pritshmërisë së secilit prej nesh, nuk janë vendime të cilat merren në nxitim, dhe për më tepër janë vendime të cilat duhet të bindin të gjitha shtetet europiane, përfaqësuesit e KE, që 24 muaj dhe më shumë dëmtim mund të zhbëhet me kontributin njëmujor, të paktën derisa të jetë data kur do të publikohet progres-raporti apo data kur do të merret vendimi për strategjinë e ardhshme për zgjerim”.











