TIRANE- Pjesëmarrja e minoriteteve në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave do të jetë e pamundur nëse qeveria nuk do të plotësoje kriteret e kërkuara nga minoritet. Ky ishte qëndrimi i kreut të Partisë së të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule, i shprehur pas takimit me një delagacion të Këshillit të Evropës.
Dule tha se “procesi shkel rëndë të drejtën e vetëdeklarimit, penalizohet kjo e drejtë e vetëdeklarimit dhe dekonspirohet konfidencialiteti i vetëdeklarimit”
Nëse kjo nuk do të ndryshojë, sipas tij, këto janë tre elementë të cilat e bëjnë pjesëmarrjen në regjistrim të minoriteve të ndryshme, të pamundur.
Dule denoncoi atë që e quajti, refuzim total nga qeveria, ndaj kërkesave të përsëritura nga të gjitha minoritet për konsultim dhe negociata për mbarëvajtjen e regjistrimit të popullsisë dhe banesave.
Ai tha se, pyetësori nuk mund të jetë i zbatueshëm nëse ai nuk do të jetë për pjesëtarët e minoriteteve në gjuhën e tyre amtare.
Duke theksuar faktin se qeveria po i komplikon dhe shton problemet me këtë regjistrim, Dule u shpreh se “që regjistrimi të zhvillohet konform standarteve evropiane, që deri në këte moment nuk janë të respektueshme,duhet garantuar procesi demokratik i regjistrimit që i duhet vendit”
Lidhur me mospjesëmarrjen e tij në takimin me aleatët në takimin e thirrur sot nga kreu i PS-së, Edi Rama, Dule nuk bëri komente, pasi vlerësoi se nuk ishte rasti dhe vendi i duhur për ta bërë këtë.
© Panorama.al











