Nga sot, thirrjet përmes telefonisë celulare do të kushtojnë më lirë. AKEP ka publikuar në faqen zyrtare metodologjinë që do të zbatohet për operatorët, ku përcaktohet e detajuar ulja e përshkallëzuar e tarifave. Modeli “BULRAIC”, i miratuar në shkurt, solli ulje të tarifave në muajin mars, ndërsa ulja e dytë fillon sot. Deri dje, tarifa e një thirrjeje që bëhej nga dy operatorët më të vjetër në treg kushtonte mesatarisht 8.85 lekë për minutë, ndërkohë, me uljen e radhës, kjo tarifë do të shkojë në 7.57 lekë për minutë. Për operatorin e tretë, tarifa e një telefonate aktualisht është 8.85 lekë për minutë sipas modelit “BLURAIC”, nga 10.89 lekë që ishte pa u aplikuar ulja e dytë, ndërsa për operatorin më të ri në treg tarifa për terminimin e thirrjeve me uljen e radhës do të jetë 12.92 lekë, nga 15.93 lekë për minutë që është. Për këtë vit kjo është ulja e dytë e tarifave që zbaton Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për tarifat e terminimit të thirrjeve të kompanive celulare. AKEP, qysh në momentin kur e mori këtë nismë, vlerësoi si kyç orientimin e tarifave drejt kostos. Ulja tjetër e tarifave do të bëhet në shtatorin e ardhshëm sipas metodologjisë që vetë AKEP ka miratua. Për të dhënë edhe një ide më të saktë mbi mënyrën e përllogaritjes, AKEP e ka publikuar këtë metodologji në faqen zyrtare. Faza e fundit e uljes së tarifave sipas kësaj metodologjie përfundon në vitin 2013, kur tarifa e terminimit të thirrjeve do të kushtojë 4.57 lekë për minutë.











