Erjon Bogdani është shumë pranë kalimit te Leçe në Serie A, ndërsa Lorik Cana mund të lihet jashtë listës së Lacios për pjesën e dytë të sezonin në kompeticionin e Ligës së Europës. Duke iu referuar mediave italiane, dje është dhënë si e përfunduar tratativa mes Çezenës, ku luan Erjon Bogdani dhe Leçes për një shkëmbim mes sulmuesit shqiptar dhe uruguaianit, Karlos Grosmyler. Toskanët kërkojnë një mesfushor energjik, i cili mund të bëjë si rolin e shkatërruesit dhe të regjisorit, e një gjë të tillë e kanë parë te ky i fundit. Në këmbim, Çezena ka ofruar Bogdanin, lojtar ky që ka gjetur shumë pak hapësira në sulmin e kësaj skuadre gjatë pjesës së parë të sezonit. Leçes, sipas mediave italiane, do t’i bënte punë një lojtar shtatlartë si Bogdani, i cili përkrah De Mikeles do të adaptohej shumë mirë duke i dhënë një shtysë më shumë sulmit të salentinëve. Ndërkohë, drejtuesit e Çezenës duan një mesfushor, edhe për faktin se me shumë gjasa Santana, Kandreva dhe Parolo do të largohen, ndaj me këtë rast “rregullojnë” edhe Bogdanin, kontrata e të cilit përfundon në fund të këtij sezoni. Probleme edhe për një tjetër lojtar të Kombëtares shqiptare. Lorik Cana mund të mos jetë pjesë e listës së skuadrës së Lacios për ndeshjet që kjo skuadër do të zhvillojë në pjesën e dytë të këtij sezoni në Ligën e Europës. Cana ka nisur fazën e rikuperimit pas dëmtimit të rëndë të pësuar në Siena dhe kjo ka sjellë edhe shumë probleme aktivizimi për mesfushorin shqiptar që do të mungojë minimalisht edhe dy muaj. I cilësuar si një nga blerjet më të mira në merkaton e verës për Lacion, dhe një nga lojtarët me më shumë eksperiencë për aventurën e Europa League, Cana u aktivizua titullar në shumë ndeshje europiane, por për shkak të dëmtimit, trajneri Edi Reja mund të heqë dorë nga aktivizimi i Canës në këtë kompeticion. Vendin e kapitenit të Kombëtares shqiptare mund ta zërë mbrojtësi Stankevicius, ndërsa listës i është shtuar edhe sulmuesi uruguaian, Alfaro, i cili zë vendin e të larguarit Skuli.
Salihi Përveç Sëlltikut dhe Glalzgou Rejnxhersit, në garë për sulmuesin shqiptar, Hamdi Salihi, është futur edhe skuadra franceze, Okser. Gjithsesi, për momentin mësohet se klubi nuk ka bërë ende një ofertë zyrtare pranë Rapidit, çka do të nënkuptonte vijimin e tratativave mes dy klubeve. Sakaq, duke ditur se lojtarit i mbaron kontrata në fund të sezonit dhe s’ka pranuar rinovimin, shumë klube që interesohen për të po presin deri ditën e fundit, duke i bërë kështu presion Rapidit që të ulë çmimin për Salihin.
Sulmuesi: Sherri, federata dënon me një javë Berishën
Berisha në momentin e sherrit
Besart Berisha është pezulluar me një ndeshje nga Federata Australiane e Futbollit. Shkak është bërë sherri që plasi në fund të ndeshjes së të shtunës me Brisbane Roar, ku luan edhe sulmuesi shqiptar dhe Sidnejt. Berisha, i inatosur me futbollistin kundërshtar, Paskal Boshart, i ka kërkuar këtij të fundit që të futeshin në tunelin e dhomave të zhveshjes dhe “ta zgjidhnin problemin” mes tyre. Kjo natyrisht është marrë si një kërcënim dhe një sjellje aspak normale për një lojtar, ndaj edhe Komisioni i Disiplinës ka vendosur ndëshkimin e Berishës. Sakaq, duhet thënë se komisioni, sipas mediave australiane, mori në konsideratë edhe pendesën që shfaqi publikisht në media Besart Berisha, duke kërkuar falje për gjestin. Në të kundërt, ai mund të ishte ndëshkuar edhe më shumë. Ndërkohë në krah të sulmuesit kanë dalë shokët e skuadrës, sipas të cilëve, Berisha nuk duhej ndëshkuar. “Është djalë fantastik, nuk duhej që të dënohej”, thuhej në reagimet e lojtarëve.