Cana: E dua Francën, por nuk e toleroj

Sep 1, 2011 | 12:44

Lorik Cana është i sinqertë kur thotë se Franca është favorite për ta fituar ndeshjen e nesërme në “Qemal Stafa”.Megjithatë, ylli i përfaqësueses shqiptare u kujton bluve të Loran Blankut se, kuqezinjtë nuk humbasin prej disa ndeshjesh në Shqipëri dhe se, në tokën e tyre, kuqezinjtë nuk i dorëzojnë lehtë armët. Në një intervistë, të dhënë për uebsajtin zyrtar të Federatës Franceze të Futbollit, 28-vjeçari shqiptar, pohon se është ende shumë i lidhur me Francën, pasi ka kaluar shtatë vite shumë të bukura aty, por thekson se kur të jetë në fushë nuk do të ketë mëshirë, as ndaj ish-shokut të skuadrës te Marseja, Samir Nasri.
Bilanci – “Ecuria jonë deri tani ka qenë e pranueshme. Na e ndaloi hapin humbja me 2-0 me Bosnjën në Zenica, por ne po luftojmë që ta lëmë pas atë kujtim të hidhur dhe të vazhdojmë përpara. Ne kemi pasur një ecuri të mirë vitet e fundit dhe për pasojë arritëm që të siguronim edhe një vend në vazon e katërt, në shortin e Botërorit 2014”, ka deklaruar Cana. Ai rrëfen se objektivi i Shqipërisë deri në fund të këtyre eliminatoreve është që të marrë edhe 6 ose 7 pikë të tjera. “Kundërshtarët tanë direkt në grup janë bjellorusët dhe ne do të luftojmë deri në fund që të mund t’i lëmë pas. Qëllimi ynë është që të marrim edhe 6 ose 7 pikë të tjera dhe do të luftojmë fort për ta realizuar këtë objektiv. Megjithatë të shohim, sepse nuk duhet të flasim para kohe. Ajo që mund të them unë është se, nëse do ta mbyllnim këtë edicion me 14 pikë, atëherë kjo do të ishte një arritje historike për Shqipërinë”, ka shtuar futbollisti.
Përplasje e dyfishtë – Lorik Cana ka pohuar se është paksa e vështirë për të dhe për familjen e tij që ai të zbresë në fushë dhe të luftojë kundër lojtarëve francezë, por gjithsesi premton se do të bëjë gjithçka që Shqipëria e tij të dalë e pamposhtur. “Blutë janë favoritë, kjo nuk ka dyshim, ka thënë ai. Ata e meritojnë që të jenë në vendin e parë, por më duhet të pohoj se nuk e mendoja se do të linin pikë kundër Bjellorusisë. Më erdhi keq që ata humbën edhe për faktin sepse nuk doja që rivalja jonë direkte t’i merrte ato tri pikë aq të vyera”.
Dueli me Nasrinë – Gjatë këtyre dy sfidave, mesfushori i lindur në Prishtinë do të ketë shansin që të përballet edhe me dy ish-shok skuadre, si Stiv Mandanda dhe Samir Nasri, me të cilët ka luajtur për një periudhë të konsiderueshme te Marseja. “Skuadra franceze është e mbushur me lojtarë të një niveli shumë të lartë. Nasrinë dhe Mandandanë i njoh mirë sepse kam luajtur me ta te Marseja, por kur të zbres në fushë do të mendoj vetëm për skuadrën time duke i lënë mënjanë ndjenjat e miqësisë. Francezët do të vijnë në Tiranë për të fituar. Do të jetë një ndeshje interesante, sepse edhe ne, ndërkohë, nuk kemi pësuar asnjë humbje në shtëpinë tonë gjatë këtyre eliminatoreve”, është shprehur mesfushori i Lacios.
Ndeshja e kthimit – Shqipëria do të ndeshet më 10 tetor kundër Francës në “Stade de France”, pak kilometër larg Parisit. “Kam luajtur në katër finale të Kupës në këtë stadium, dy me PSG-në dhe dy me Marsejën. Ai është nj stadium fantastik dhe unë ndihem si në shtëpinë time aty”, është shprehur Cana. Ai më pas ka theksuar edhe njëherë se është shumë i lidhur me Francën. Ka qenë një periudhë fantastike për mua. Aty kam kaluar shumë vite te bukura dhe jam krenar për këtë, shprehet ish-kapiteni i Marsejës. “Jam shumë i lidhur me këtë vend, madje kam edhe nënshtetësinë franceze”.

2 shtetësi
ka Lorik Cana. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare posedon edhe pasaportën franceze. Kosovari është një shembull për të gjithë të rinjtë e kombit të tij, teksa zgjodhi të luante për Shqipërinë.

E kaluara

Cana ka luajtur për 7 vjet në Francë. Me PSG-në ai u afirmua, për të bërë më pas kalimin e madh te Olimpiku i Marsejës. Te kjo e fundit arriti kulmin, teksa mbajti edhe shiritin e kapitenit për tre sezone. Te marsejezët, kosovari ka pasur shok skuadre edhe Riberinë e Nasrinë, që tashmë janë pjesë e Kombëtares së Francës. Pengu i
Lorik Canës është mosfitimi i asnjë titulli me Olimpikun.

© Panorama.al

Te lidhura