Nuk kanë fund lajmet kontradiktore për futbollistin e Kombëtares shqiptare, Lorik Cana. Teksa një ditë më parë, vetë drejtori sportiv i Gallatasarait, pohonte në mediat turke dhe italiane se kishin nisur tratativat me Lacion për kalimin e Canës tek kjo skuadër, dje vjen një kthim prapa nga as më shumë, e as më pak se Fatih Terim. “Perandori” është zyrtarizuar dje si trajner i ri i Gallatasarait dhe në konferencën për shtyp sipas mediave turke, ka pohuar se do të largojë pjesën më të madhe të lojtarëve të huaj, por kurrsesi Canën. Mesfushori shqiptar, është hequr kështu nga lista e lojtarëve, që do të shiten gjatë merkatos së verës. Fatih Terim, i ka propozuar bordit drejtues të klubit që të refuzojë të gjitha ofertat, pasi ai e llogarit Lorik Canën si lojtar të Gallatasarait për sezonin e ardhshëm. “Cana është një lojtar të cilin unë e llogaris për sezonin e ardhshëm, ndaj nuk do të largohet nga skuadra”, citohet Terim nga mediat turke. Ndërkaq, në thuajse të njëjtën kohë, mediat italiane vazhdonin të publikonin lajme lidhur me një të ardhme të sigurt të Lorik Canës tek Lacio, madje, duke “vulosur”, edhe shifrën prej 5 milionë eurosh që presidenti Klaudio Lotito ishte gati të paguante për kartonin e futbollistit shqiptar. Gjithsesi, edhe nëse Gallatasarai do ta shesë lojtarin, zor se do ta japë më pak se 6 milionë euro, shifër kjo që e bleu vjet nga Sanderlendi.
Januzi: Mesi? Pa problem, e ndal Loriku
Sulmuesi kuqezi i Vorskla Poltava, Ahmet Jonuzi, nuk e ka përmbajtur gëzimin e miqësores me Argjentinën, duke shpresuar natyrisht që ai do të ketë shans të grumbullohet nga trajneri Kuzhe. “Jam duke pritur ftesën nga Kuzhe. Aktualisht në ekipin Kombëtar ka sulmues cilësorë, si Erjon Bogdani e Hamdi Salihi, por unë do të jem gjithnjë i gatshëm kur të më kërkohet”, ka thënë Jonuzi për “Bota Sot”. Sulmuesi ka prekur temën e miqësores me Argjentinën, e cila, sipas tij, është një nga kombëtaret më të forta në botë. “Është kënaqësi të luash kundër yjeve të Argjentinës. Por, edhe ne kemi lojtarë të mirë, të cilët mund të ndalin Mesin. Mendoj se Cana, Dallku, por edhe Curri mund ta ndalin Mesin.











