Buxheti, opozita: Frenoni borxhin

Nov 10, 2011 | 8:57

Ministri Bode ne Komisionin e Ekonomise

Debati në Komisionin e Ekonomisë fokusohet te deficiti dhe borxhi: Ministri: Do ndryshojmë sërish në korrik. Malaj: Duhet të shtoni të ardhurat. Bode: Nuk i rritim taksat
Ministri i Financave, Ridvan Bode, në fjalën e tij në këtë komision u shpreh se buxheti është tejet realist dhe mbështet prioritetet e vendosura nga qeveria me një rritje ekonomike të parashikuar në nivelin 4.3 për qind. Deputetët e opozitës kanë shprehur dyshime për parashikimet e buxhetit të vitit të ardhshëm, sidomos sa i përket rritjes ekonomike dhe treguesve të stabilitetit makroekonomik. Për deputeten e PS-së, Mimi Kodheli, është tejet shqetësues niveli i borxhit publik, i cili nga qeveria nuk pranohet në nivelin real. Sipas Kodhelit, borxhi është më i lartë për shkak të detyrimeve të pashlyera që shteti ka ndaj sektorit privat, të cilat e çojnë borxhin mbi 60 për qind të GDP-së. Në të njëjtën logjikë ka qenë edhe argumenti i deputetit Arben Malaj, i cili theksoi se është pikërisht borxhi i pashlyer ndaj biznesit që i detyron këta të fundit të mos kenë mundësi shlyerjeje ndaj kredive të marra nga bankat, çka ka rritur në masë portofolin e kredive të këqija. Deputeti i PS-së iu referua parashikimeve të FMN-së, që nëse nuk ndërhyhet me politika, atëherë borxhi mund të arrijë edhe 64 për qind të GDP-së shumë shpejt. Në këtë situatë opozita ka kërkuar që qeveria, të paktën për 2012-n, të jetë më e kujdesshme me treguesit e borxhit dhe deficitit sa është në kohë, pasi në 2013-n, që është një vit elektoral, këta tregues mund të dalin nga shinat. Deputeti Arben Malaj shprehu gatishmërinë për të gjetur zgjidhjen për mbajtjen nën kontroll dhe uljen e borxhit qoftë duke marrë parasysh propozimin e FMN-së për të rishikuar kahun e të ardhurave që lidhet direkt me rishikimin e taksave. Kjo është kundërshtuar në mënyrë kategorike nga ministri Bode. Kreu i Financave u shpreh se qeveria nuk do të ndërmarrë asnjë masë të rritjes së ndonjë takse të rëndësishme dhe, nga ana tjetër, asnjë ulje të tyre. Për vitin 2012, sipas Bodes, rritja do t’i besohet ekonomisë reale, së cilës do t’i lihen hapësirat e nevojshme të aksesit në sistemin bankar, ndërkohë që shpenzimet e qeverisë, edhe pse më të moderuara për investime, sërish do t’i mbështesin qytetarët përmes faturës sociale. Propozim tjetër i opozitës ishte ai i sjelljes së buxhetit të ndarë nga paketa fiskale. Sipas Malajt, është e rëndësishme që qeveria mos të bëjë korrigjime në mes të vitit në taksa vetëm për të rregulluar treguesit në buxhet. Opozita ka shprehur rezervat e saj për rishikimet që qeveria u ka bërë shpesh vitet e fundit buxheteve, por ministri i Financave, Bode, konfirmoi edhe një herë dje se sërish në 2012-n do të ketë rishikim. Sipas tij, qeveria për 2012-n ka zgjedhur skenarin pesimist të buxhetit, por nëse gjërat do të shkojnë mirë, në mes të vitit sërish buxheti i vitit 2012 mund të ndryshojë në kahun pozitiv.

Debati ne Komisionin e Ekonomise
Mimi Kodheli:
Ka një diskutim të madh mes pozitës dhe opozitës lidhur me borxhin publik. Bazuar në artikullin 4 të FMN-së, ju citoj konkretisht: “Borxhi publik për vitin 2011 është në nivelet 59.4 për qind”. Duke i shtuar dhe 0.7 për qind të kërkesave, postborxhi e kalon 60 përqindëshin. Konkretisht, mbërrin në 61.1 për qind.
Arben Malaj: Ne jemi vendi me borxhin më të lartë në rajon. Nga 47 mesatarja, ne e kemi 60 për qind. Nga projeksionet, nëse nuk ndërhyhet me politika, edhe në krahun e të ardhurave dhe jo vetëm të shpenzimeve, ky shkon 64 për qind, e cila akoma e bën më shqetësues. Për momentin mund ta kemi nën kontroll, por ne nuk na takon të mburremi që nivelin 60 për qind është nën kontroll, por kostot janë të paparashikueshme. Pasiguria është te kostoja. Besoj se rregullat janë të qarta, por ajo që është kërkuar e para ka të bëjë me deficitin primar. Nëse nuk arrijmë të vendosim në kontroll këtë, i mbetemi qëndrimit të FMN-së, që pa politika të reja, qoftë dhe në kahun e të ardhurave, borxhi ynë shkon 64 për qind. A duhet ta mbajmë këtë nivel? Nuk e di. Rregulli i deficiti primar, sa do të rriten shpenzimet, si do të mbahen ato nën kontroll apo rregulla të tjera, besoj se për financat publike nuk do të bëjmë ndonjë shpikje ne shqiptarët, por është momenti që ta marrim këtë përgjegjësi. Apo jo? Sinqerisht ju them se përderisa në 2010-n, 2011-n mendimet e opozitës, të  ndara me ju, qoftë këtu, qoftë në Parlament, doli se ishin më shumë profesionale, sesa politike. Mendoj se në këtë vit 2012, se viti 2013 është vit elektoral, o mbahet nën kontroll situata këtë vit, ose pastaj do të jeni dhe ju në pamundësi reale për shkak të presionit elektoral që financat të vijnë dhe të përkeqësohen.
Ridvan Bode: Debati për borxhin dhe deficitin shumë pasionant dhe i privilegjuar nga ana e opozitës, duke e paralizuar atë që ndodh në ekonomitë e vendeve të eurozonës partnerët tanë ekonomikë, të cilët vuajnë për shkak të borxhit, për shkak të shërbimit të borxhit të rritjes së interesave të borxhit. Tani nuk është ky problemi që kemi aktualisht. Më vjen mirë që sensibiliteti i politikës u rrit ndaj deficitit dhe borxhit. Shqipëria nuk e bëri këtë borxh dhe këtë deficit sot, në fakt e bëri përgjatë periudhës së tranzicionit. Ne e kemi pasur borxhin dhe 80 për qind, dhe askush nuk tha çfarë po bëjmë, as FMN-ja madje. Ju e dini kur filluam partneritetin e dytë me FMN-në nuk e kishin në objekt as borxhin dhe as deficitin, si të tillë kishim vetëm huamarrjen e brendshme dhe këtë e kemi gjetur nga paraardhësit. Merrni buxhetin kur keni qenë ministër, zoti Malaj, të gjitha dhe kufizimi është vetëm për huamarrjen e brendshme dhe e kam ndryshuar në 2007-n. Në letrat që ke me FMN-në monitorimin e ke vetëm për borxhin e brendshëm. Kredi koncesionare mund të merrje sa të doje.
Do që ta bëj sot të marr kredi koncesionare.
Arben Ahmetaj: Po ç’është kjo kredi koncesionare? Pastaj nuk e bën dot.
Ridvan Bode: Pse s’e bëj dot? E bëj. Por llogarisim që kur të vijë puna pas 30-40 vitesh, mos gjendemi si Greqia. Prandaj, kur vjen fjala te deficiti dhe borxhi publik, do t’ju lutesha juve që jeni profesionistë, se të tjerët le të bëjnë papagallin nëpër televizione, të kuptoni që nuk është kjo sfida jonë sot, por është sukses i madh që kemi arritur ta sjellim në qendër të debatit dhe të monitorohemi. Kemi vendosur objektiv jo më shumë se 60 për qind. E dyta pozitive është që përgjatë kësaj periudhe të krizës globale, zoti Malaj me të drejtë e tha që ne e kemi 60 për qind, kurse masatarja e rajonit është 47 për qind. Po more, kështu është, po a e di që para tre vjetësh mesatarja e rajonit ka qenë 23 për qind? Ne e kishim 60 për qind. Atyre iu rrit 13 për qind në tre vjet, ne mbetëm në të njëjtin nivel. Dy për qind kemi zgjidhur borxhin e periudhës komuniste dhe zbret në 57 për qind borxhi. Ne mendojmë që ky është një buxhet realist dhe në pritshëmritë tona si Ministri Finance janë për një situatë më pozitive në mesin e vitit 2012. Sërish do vijmë prapë, se dhe Malaj dhe të tjerët e përmendën që do vini për ndryshime. Po, do të vijmë, e kemi thënë gjithmonë, do ndjekim këmba-këmbës ekonominë kur të kemi ecuri pozitive, do vijmë për të rritur kur të kemi tërheqje për të shkurtuar.
Arben Malaj: Asnjë ministër nuk e ndryshon buxhetin që 15 ditët e para të vitit.
Ridvan Bode: Ne e kishim miratuar buxhetin dhe i dolëm para. Detyra ime, jona si qeveri, është të ruajë stabilitetin financiar dhe këtë e kemi bërë në mënyrë perfekte në këtë periudhë të vështirë. Ti thua pse ndërhyn. Po ç’të bëja, ta lija që të shkatërrohej?
Arben Malaj: Po pse e miratove?
Ridvan Bode: Se ashtu ishte parashikimi i FMN-së dhe i KE-se. Sepse atë skenar kishte Europa. Ne programimin e tyre e përkthejmë në shifrat tona. Atë skenar sollëm këtu, ndryshoi skenari, ndryshuam dhe ne tonin. Ne sot vijmë këtu me një skenar pesimist. Nëse do të kemi ecuri pozitive, të jeni të bindur, në qershor do vijmë me skenar optimist.
Arben Malaj: Nuk është debat profesional. Je i vetmi që i ka ikur FMN-ja? Ke ardhur në Parlament vetëm për të shkurtuar.
Ridvan Bode: Kur, more, ka ndodhur kjo me FMN-në? Kam ardhur nja 6 herë për të rritur, jo vetëm për të shkurtuar. Dhe nja tri herë për të ulur skenarët. Nga 2006-a ju kam ardhur dy herë në vit, dy herë me rritje. Kemi ardhur me skenar uljeje vetëm në 2010 dhe 2011. Në 2012 do vijmë t’ju prezantojmë rritjen. Tani ne nuk bëjmë Kasandrën, ju të opozitës këtë detyrë keni, të parashikoni ngjarjet më të zeza. Llafet tuaja nuk kanë dalë kurrë, fjalori juaj ka qenë krizë, rënie e prodhimit, falimentim bankash. Asgjë nga këto që keni thënë nuk ka ndodhur dhe s’ka për të ndodhur. Atë historinë të dashit dhe të dhelprës jua kam treguar nja dy herë. Pyet nazikun t’ua tregojë më mirë. Ngritët si problem, duhet rishikuar balancimi përmes rritjes së taksave dhe të kemi një paketë fiskale bashkë me buxhetin. Nuk kemi ndërmarrë politika të rritjes së taksave dhe nuk mendojmë që të marrim politika të uljes se atyre kryesore. Keni shprehur që do rrisni ju taksat. Bëjeni. Ne mendojmë që nuk është ai modeli për të ekuilibruar apo për të arritur në një situatë më të mirë  makroekonomike për vendin, sepse sfida jonë është rritja e prodhimit dhe në këtë buxhet gjithë rritja e buxhetit shkon për faturën sociale.
NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura