Buxheti, më pak para për rrugë dhe “të pavarurit”

Nov 9, 2011 | 10:25

Mbledhje e qeverise "Berisha"

Sa u prekën shpenzimet korrente. Tabela me të gjitha institucionet. Shkurtohen fondet për Topin, 5 milionë USD për Kuvendin e ri. Edhe pse në korrik të vitit të kaluar shumica e institucioneve të pavarura u ankuan për shkurtimin e fondeve deri në pamundësi për kryerjen e detyrës, sërish këtë vit do të kenë më pak fonde.

Presidenca, e para në listë, do të preket nga gërshërët e qeverisë me rreth 5.2 milionë lekë më pak. Shkurtime jo nga zëri i investimeve por nga shpenzimet korrente, pra të funksionimit të Presidencës. E kundërta ka ndodhur me SHISH, ku shkurtimi i 2 milionë lekëve është bërë nga fondet për investime. Shumica e institucioneve të pavarura nuk u kanë shpëtuar shkurtimeve, përveç Prokurorisë. Kjo e fundit, ndryshe nga vitet e tjera, ka më shumë fonde, edhe pse ky është një vit krize. Prokurorisë i janë shtuar 79.6 milionë lekë. Në fakt, Prokuroria do të ketë 16 milionë lekë më pak për të kryer punën e saj, pra për shpenzime korrente, dhe 96 milionë lekë më shumë për investime. Këtu [pjesën më të madhe e merr zëri, “Kosto lokale për projektin “Menaxhimi I Rasteve” dhe investimi i Prokurorisë së re në Korçë. Avokati i Popullit, KLSH, Shërbimi Civil apo gjykatat, bashkë me atë Kushtetuese, të gjitha do të kenë më pak para sesa kanë këtë vit. Pritet që gjatë miratimit të buxhetit drejtuesit e këtyre institucioneve të debatojnë në Komision e Ekonomisë apo të Ligjeve, por siç ka ndodhur çdo vit, ka pak mundësi që të shtohen fondet.
Ndërsa Presidencës i janë ulur fondet për administratën, paratë për deputetët, për Kuvendin janë shtuar me rreth 1 miliardë lekë. Nga këto, 970 milionë do të shkojnë për investime. Bie në sy se për godinën e re të Kuvendit janë planifikuar 5 milionë USD. Ndërkohë që godina e re e Presidencës parashikohet të kushtojë 315 milionë lekë, në buxhet i janë dhënë vetëm 14 milionë për investimin. Shkurtimin më të madh e ka fondi për Ministrinë e Punëve Publike me rreth 34 milionë USD. Këtu ka një shtesë në zërin e investimeve për kanalizime, por investimet e rrugëve shkurtohen me 52 milionë USD. Shkurtimet kanë prekur edhe fondet për Institutin e Studimeve të Krimeve të Komunizmit, i cili do të ketë 2.4 milionë lekë më pak.
Në total, buxheti i ri do të ketë 39 milionë lekë më pak investime, pra para që shkojnë për biznesin, dhe çuditërisht do të ketë 48 milionë USD më shumë shpenzime korrente. Me sa duket, kushtet e administratës apo drejtuesve të saj janë më të rëndësishme sesa investimet, apo kthimi i taksave në të mira për publikun. Në total, fondi i shpenzimeve të buxhetit këtë vit është 2.489 miliardë USD, nga 2.480 miliardë që ishte vjet. Pra, shtesa është vetëm 9 milionë USD. Nga këto shpenzime pritet që nga jashtë të vijnë rreth 423 milionë USD. Nga këto, 99 milionë USD do të jenë të falura, pra grante, ndërsa pjesa tjetër, rreth 325, do të jenë kredi. Këtu pjesa më e madhe pritet të shkojë për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, me rreth 121 milionë USD.

Pronarët dhe të përndjekurit
Në buxhetin e vitit të ardhshëm, qeveria ka parashikuar edhe kompensimin për dy kategori siç janë ish-pronarët dhe ish të përndjekurit. Fondet e parashikuara për këto dy kategori kanë ardhur duke u tkurrur nga parashikimet në kuadrin makrofiskal dhe, për vitin 2012, për ish-pronarët janë parashikuar 1.8 miliardë lekë kompensim, kurse për ish të përndjekurit 1.7 miliardë lekë dëmshpërblim.

Qeveria kusht bashkive, 10% e fondeve për gjelbërimin
Bashkitë dhe komunat nuk do të kenë më dorë të lirë për të shpenzuar grantet e pakushtëzuara, që jepen nga qeverisja qendrore sipas mënyrës së tyre. Në projektbuxhetin e vitit 2012 janë parashikuar që të jepen në formën e granteve të pakushtëzuara 104 milionë dollarë, nga të cilat 10.4 milionë do të shkojnë për gjelbërim. Përcaktimi i kësaj pike në buxhet vjen pas akuzave që ka bërë shpesh Kryeministri, që vendorët i çojnë fondet për paga. Për të ndaluar këtë praktikë në buxhetin e vitit 2012, duket se janë marrë edhe masat duke ndryshuar skemën e financimit. Përgjatë vitit të ardhshëm, bashkive u është ulur me 5 për qind përdorimi i fondeve për paga, kurse për komunat situata është e njëjtë me atë të një viti më parë. Për qarqet, fondi për pagat ulet me 5 për qind dhe, nga 55 që ishte gjatë këtij viti, në vitin e ardhshëm do të jetë 50 për qind. Për herë të parë, në buxhetin e vitit 2012 qeveria tregohet e kujdesshme që vendorët të përfshihen në nismën e “gjelbërimit”. Bashkive në buxhetin e 2012 u saktësohet se 10 për qind të grantit të pakushtëzuar (ku supozohet që qeveria nuk ndërhyn) e kanë të detyruar që ta çojnë për gjelbërimin e qytetit. “Komunat dhe bashkitë përdorin jo më pak se 10 për qind te transfertës së pakushtëzuar për mbështetjen e pemëtarisë dhe gjelbërimit. Rregullat, procedurat, skema e financimit dhe bashkëfinancimit miratohen me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave”, thuhet në projektbuxhetin e vitit 2012.
Nertila Maho

© Panorama.al

Te lidhura