Mund të jetë hera e parë në disa vite që qeveria zgjedh të cilësojë një buxhet konservator dhe kështu do të jetë buxheti i vitit 2012. I diskutuar për të tretën herë në qeveri, Kryeministri Berisha u shpreh dje në mbledhjen jashtë radhës se ky buxhet sërish do të parashikojë rritje pagash e pensionesh dhe do të mbështesë investimet. Situata e vështirë ekonomike e eurozonës dhe thirrjet e institucioneve ndërkombëtare duket se e kanë ulur qeverinë me këmbë në tokë dhe buxheti i vitit të ardhshëm e shpreh qartë frikën nga kriza.
Buxheti 2012
Të ardhurat që qeveria parashikon të mbledhë në arkën e shtetit gjatë vitit të ardhshëm parashikohen që të jenë 353.8 miliardë lekë, një shifër kjo më e ulët sesa buxheti fillestar i këtij viti, i cili ishte 362.2 miliardë lekë. Krahasuar me buxhetin e rishikuar, qeveria pret që të mbledhë 10 miliardë lekë më shumë. Sa i përket shpenzimeve, në buxhetin e vitit 2012 ato parashikohen 394 miliardë lekë, vetëm 4 miliardë lekë më shumë se buxheti i rishikuar i këtij viti, ndërkohë që krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2011, ulja është me gati 15 miliardë lekë. Kryeministri Berisha u shpreh dje gjatë mbledhjes se buxheti do të mbështesë prioritetet e vendosura, siç janë infrastruktura apo dixhitalizimi i vendit, por nga ana tjetër nuk do të harrojë rritjen e pagave dhe pensioneve. Investimet pritet që të kapin një vlerë prej 500 milionë dollarësh, ndërkohë që falë ngushtimit të hendekut mes parashikimit të të ardhurave dhe shpenzimeve, pritet edhe një deficit më i ulet prej gati 41.2 miliardë lekësh.
Paga dhe pensione
Buxheti i vitit 2012 parashikon edhe rritje pagash dhe pensionesh edhe pse fondi i vënë në dispozicion do të jetë më modest. Kështu për rritjen e pagave të administratës parashikohet një fond prej 1 miliardë lekësh, çka shpreh qartë tendencën vetëm për një indeksim. Me këtë fond pagat e larta pritet të mos përfitojnë rritje, pagat mesatare do të kenë indeksim minimal, kurse ato të ulëta një indeksim më të lartë. Për kategorinë tjetër, atë të pensionistëve, fondi i parashikuar në buxhetin 2012 për rritjen e pensioneve është 1.5 për qind. Edhe me këtë fond qeveria duket se do arrijë vetëm të indeksojë pensionet e qytetit dhe pak më shumë se indeksim për pensionet e fshatit.
Pronarët dhe të përndjekurit
Për dy kategoritë e tjera, siç janë ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët, buxheti i vitit 2012 parashikon një fond “më bujar” sesa fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve. Për kategorinë e parë të ish-të përndjekurve, që njihen si të djathtë dhe mbështetës të qeverisë, fondi do të jetë 1.7 miliardë lekë, ndërkohë edhe fondi që do të shkojë për kompensimin e ish-pronarëve parashikohet të jetë po kaq.
Këshillat e FMN
Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit për Shqipërinë këshillonte që kjo e fundit të jetë e kujdesshme me hartimin e buxhetit, në mënyrë që ai të jetë sa më realist. Sa i përket politikës së rritjes së pagave dhe pensioneve, FMN-ja ka mbajtur një qëndrim skeptik. Por përkundër të gjitha këtyre, thirrja e vazhdueshme e theksuar edhe në raportin e fundit ishte ajo e uljes së borxhit.
90 milione usd
Është ndryshimi negativ i të ardhurave të buxhetit të shtetit, të miratuar një vit më parë dhe atij të propozuar dje në qeveri. Të ardhurat në fillim të vitit 2011 ishin 362 miliardë lekë, ndërsa këtë vit propozohen 352 miliardë lekë
150 milione usd
Janë shkurtuar investimet në krahasim me buxhetin fillestar të vitit 2011. Për vitin 2012 parashikohen rreth 394 miliardë lekë shpenzime, nga 409 miliardë të parashikuara në fillim për vitin 2011. Në gusht, shpenzimet u bënë 390 miliardë lekë
56 milione usd
Do të shkurtohet deficiti për vitin 2012. Qeveria ka parashikuar të marrë 41.2 miliardë lekë borxh për të kompensuar të ardhurat nga rreth 46.8 miliardë, që ka marrë gjatë këtij viti. Shkurtimi i investime ka peshën më të madhe në uljen e deficitit
NERTILA MAHO
© Panorama.al











