TIRANË- Rritje rrogash e pensionesh, vazhdim i investimeve sipas premtimit të qeverisë, ulje e borxhit publik, mbajtje nën kontroll e deficitit dhe inflacionit dhe asnjë shtesë takse. Këtë premtim ka bërë kreu i qeverisë, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit të PD-së.
“Në këtë mbledhje dhe deri në mesin e dhjetorit kryefjala e gjithë veprimtarisë sonë si maxhorancë do të jetë buxheti 2012. Si ju kisha njoftuar, ky buxhet do të jetë më i madhi që qeveria shqiptare ka paraqitur në parlament dhe që ju keni votuar deri sot. Ndërkohë që në buxhetin që do votoni dhe diskutoni, kujdesi kryesor i qeverisë ka qenë respektimi i përparësive të kësaj maxhorance. Mbështetja e politikave të shpallura si më prioritare”- tha Berisha.
Sipas tij, në sajë të reformave ekonomike maxhoranca ia ka dalë që duke ulur borxhin nën 60%, duke mbajtur deficit të standardeve më të mira në BE dhe duke kontrolluar inflacionin të mbidyfishojë rrogat, të dyfishojë pensionet, rrogën mesatare, ate minimale, të asfaltojë, ndërtojë mbi 9 mijë km rrugë dhe të mbështesë fuqishëm Shqipërinë dixhitale.
“Kusht themelor do të jetë kontrolli rigoroz i borxhit, dificiti buxhetor dhe inflacioni i kontrolluar. Duke përcaktuar keto tre objektiva jemi shumë të privilegjuar se do mund të mbështesim fuqishëm axhendën tonë politike. Edhe këtë vit që vjen Shqipëria do të listohet në më të paktat vende që do rrisin rrogat dhe pensionet, kjo është politikë konstante jona me cmim të padiskutueshëm. Grantoj biznesmenët se nuk do të ketë shtim të taksave”- tha ai.
© Panorama.al











