Bushati: Trukimet? Kuzhenë e emëroi Duka në Kombëtare

Jan 23, 2012 | 12:47

Duka e Bushati

“Përgjegjësia e presidentit, kroati kishte precedentë”

Sipas ish-anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Mehdi Bushati, nëse ka ndonjë të vërtetë në përgjimet greke për ish-trajnerin Josip Kuzhe, llogari i duhet kërkuar presidentit Duka. I njohur si një nga kritikët më realë të kreut aktual të FSHF-së, z.Mehdi Bushati flet “pa dorashka” dhe me kompetencë edhe për trukimet e mundshme e përgjimet që kanë dalë në mediat greke, në të cilat përmendet emri i Josip Kuzhesë. Sipas Bushatit, edhe nëse një gjë e tillë është e vërtetë, shqiptarët nuk duhet të merren me ish-trajnerin kroat, por me ata që drejtojnë prej vitesh Federatën Shqiptare të Futbollit. I ftuar në Ora News, Bushati ka dhënë versionin e tij lidhur me këto përgjime. “Shikoni, mua më pëlqen të flas më shumë për problematikën e futbollit shqiptar në përgjithësi, duke u marrë me embrionin. Gjithsesi, edhe nëse kjo që ka dalë së fundmi në mediat greke është e vërtetë, unë them se ne më së shumti duhet të merremi dhe të gjejmë përgjegjësitë te vetja jonë. Unë mbaj mend se kam qenë një nga kundërshtarët e emërimit të Josip Kuzhesë në krye të ekipit përfaqësues, dhe nuk u nisa nga emri dhe mënyra e trajnimit, por nga e shkuara e tij. Por z.Duka, i cili kishte të drejtën ekskluzive, as që pyeti fare, ndaj tani ai duhet të mbajë përgjegjësitë për gjithçka ndodh dhe përflitet. Gjithsesi, unë rrekem që të mos ekzagjeroj rastin në fjalë, duke ia lënë në dorë prokurorisë dhe atyre që merren me hetimet për të dhënë konkluzionet, paçka se jam gjithnjë i mendimit se problemet nuk na i sjellin të tjerët, por i prodhojmë vetë, pra jemi vetë ne problemi”, ka theksuar Bushati. Më tej, ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv është ndalur te problemet e mëdha që ka prodhuar sporti shqiptar në përgjithësi në këto vite të fundit, të cilat më shumë vijnë nga mungesa e një vizioni dhe projektet serioze të FSHF-së. “Nëse kemi dhunë në futboll, nëse klubet kanë një mijë e një probleme me financimet dhe me fushat, nëse skuadrat tona përfliten gjithnjë për afera të ndryshme kur luajnë në Kupat e Evropës dhe nëse lojtarët tanë nuk arrijnë të prodhojnë aq sa duhet, të gjitha këto duhen kërkuar te ata që e drejtojnë futbollin. Federata i ka të gjitha mundësitë që në fillim të kampionatit të vendosë rregulla strikte për të gjitha klubet si nga ana financiare, por edhe për sa i përket sjelljes në fushën e lojës dhe të mos bëjë më pas asnjë lëshim gjatë sezonit. Dyshoj se një gjë e tillë është bërë me seriozitet dhe rigorozitet, pasi në të kundërt nuk do kishim kaq shumë probleme”, ka pohuar Bushati.

Flet ish-trajneri
Kuzhe: Jam i pastër, janë akuza qesharake

Josip Kuzhe

Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, mohon kategorikisht të ketë lidhje me ndonjë rrejt në Greqi që merret me trukime ndeshjesh dhe ca më pak të ketë trukuar takime të ekipit tonë përfaqësues, në kohën kur ai ishte në krye të kësaj skuadre. Ndonëse qe mjaft e vështirë për të kontaktuar me të (kujtojmë se tekniku tani drejton skuadrën e Tianjin Teda në Kinën e largët, post të cilin e mori pasi u shkarkua një tjetër ish-trajner i Kombëtares shqiptare, Ari Han), “Panorama Sport” arriti të bëjë një intervistë me ish-trajnerin kuqezi, i cili nga ana e tij ka hedhur poshtë të gjitha akuzat. Ai ka theksuar se ndaj Malit të Zi skuadra kombëtare ka luajtur për të fituar dhe në gjykimin e tij është qesharake të mendohet që ajo ndeshje të jetë trukuar nga ai, përderisa është marrë maksimumi në fushën e lojës. “Unë paskam trukuar ndeshje të ekipit tim? Më falni për sjelljen time, por kjo është vërtet qesharake. E para, për ndeshjen me Argjentinën as që na shkonte ndër mend se mund të merrnim ndonjë rezultat. Ndaj Malit të Zi ne fituam dhe, nëse do ta kishim humbur, ose do vërehej ndonjë anomali në lojë nga ana jonë, atëherë unë do kisha qenë i pari që do shprehja mendimin tim. Por siç e dini, ne luajtëm me ekipin më të mirë të mundshëm dhe luajtëm për fitore”, ka pohuar Kuzhe.

Marko Kuzhe: S’kam lidhje me përgjimet
Në përgjimet e dala nga policia greke, përmendet edhe emri i Markos, duke iu referuar djalit të Josip Kuzhesë (Marko Kuzhe). Ky i fundit është menaxher futbolli, ndaj njihet shumë në ambientet sportive në gjithë Ballkanin. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ai ka pohuar se nuk ka asnjë lidhje me përgjimet dhe trukimet për të cilat flitet. “I kam parë në internet lajmet që kanë dalë ditën e sotme (dje), por ju them që  ndonëse aty është përmendur një emër “Marko”, sikundër më quajnë mua, ju siguroj se nuk kam asnjë lidhje me to. Për sa i përket Kombëtares shqiptare, duhet të flisni me babain tim, nëse do të mund të arrini të kontaktoni, pasi ai është në Kinë”, ka pohuar në linjë telefonike Marko Kuzhe.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura