Partia Socialiste i kërkoi Kolegjit Zgjedhor të zbatojë ligjin në gjykimin e animimeve që kjo forcë politike i ka depozituar. Deputeti Ditmir Bushati tha se gjykatësit duhet të vendosin në vend drejtësinë e shkelur nga katër anëtarët e KQZ-së. “Kolegji Zgjedhor ka detyrimin përpara shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë të vendosë drejtësi aty ku katër përfaqësuesit e pushtetit në KQZ shkelën çdo ligj e normë demokratike”, tha Bushati gjatë një konference për shtyp. Sipas tij, ky ishte dhe apeli që ndërkombëtarët i kanë bërë Kolegjit. “Dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për angazhimin e përkushtuar dhe qëndrimet e drejtpërdrejta të përfaqësuesve më të lartë të komunitetit ndërkombëtar në lidhje me qorrsokakun ku e ka zhytur vendin Saliu, duke tjetërsuar vullnetin e popullit shqiptar në tavolinën e Ristanit. Bashkimi Europian foli qartë e në të njëjtën linjë me Raportin e fundit të ODIHR-it, ku theksohej paligjshmëria e vendimmarrjes së KQZ-së me të ashtuquajturat vota ‘të hedhura gabimisht'”, u shpreh Bushati.
Sterkaj: Tubim në mbështetje të Kolegjit
Deputeti socialist, Paulin Sterkaj, kërkoi mbështetje të punës së Kolegjit Zgjedhor. Duke folur në mbledhjen e Grupit të deputetëve socialistë, Sterkaj ka kërkuar që mbështetësit e PS-së të grumbullohen të enjten, kur Kolegji do të marrë në shqyrtim kërkesat e PS-së, por jo të protestojnë kundër tij, por në mbështetje të Kolegjit, në zbatim të ligjit. Propozimi i Sterkajt nuk është përkrahur nga shumica e deputetëve, duke mos u bërë vendim i Grupit, pasi kreu socialist Rama ka kërkuar tone të qeta, në sinkron me deklaratat e ndërkombëtarëve.
PD: Jo presion mbi Kolegjin Zgjedhor
Partia Demokratike kërkoi që të mos ushtrohet presion politik ndaj Kolegjit dhe socialistët të presin e respektojnë vendimin. “Ne jemi dakord me Partinë Socialiste se procesi i integrimit europian të Shqipërisë është jetik, ndërkohë që vazhdon procesi ligjor për të vendosur mbi rezultatin e ngushtë në zgjedhjet e Tiranës. Megjithatë, i kujtojmë Partisë Socialiste se Europa nuk kërkon të shohë se kush fitoi apo kush humbi, por nëse procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë të ndershme, transparente dhe sipas ligjit”, deklaroi kryesuesja e listës së këshilltarëve të PD-së për Bashkinë e Tiranës, Jorida Tabaku. Sipas saj, çdo deklaratë e ndërkombëtarëve ka theksuar nevojën për vendime të bazuara në ligj, dhe jo sipas interesave politike. Partia Demokratike beson te Kushtetuta e Shqipërisë dhe ligjet ndërkombëtare, që thonë se çdo votë është e barabartë dhe se çdo votë duhet vlerësuar drejt.











