Mori letra anonime për tradhti, Burri masakron me sqepar ish-gruan

Sep 14, 2011 | 11:40
Policia dje në vendin e ngjarjes

Një krim i paralajmëruar në familje ndodhi mesditën e djeshme në periferi të Tiranës.Bashkëshorti masakroi me sqepar ish-bashkëshorten, nënë e dy fëmijëve të mitur, për motive xhelozie. Ngjarja ndodhi në një shtëpi private në Lanabregas, mes Linzës dhe Shkozës, në kryeqytet. Burime nga Policia thanë se viktima është Servete Karoshi, 32 vjeçe, nënë e dy fëmijëve të mitur, një vajze 6 vjeçe dhe një djali 12 vjeç. Autori i krimit është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës menjëherë pas ngjarjes, duke pranuar autorësinë. Sipas të njëjtave burime, motivi i ngjarjes dyshohet të ketë qenë xhelozia, edhe pse çifti ishte në proces divorci. Autori e viktima kishin pothuajse tre vjet që jetonin të ndarë, edhe pse jetonin në të njëjtën shtëpi dhe autori i dyshuar i krimit, Haki Karoshi, 37 vjeç, kishte nisur bashkëjetesën me një grua të dytë. Por, pavarësisht nga këto rrethana, ai është bërë sërish xheloz për ish-gruan kur i ka gjetur një letër anonime në çantë, që sipas tij, ia kishte shkruar i dashuri.
KRIMI NE FAMILJE
Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 13:00, në vendin e njohur si Kodrat e Shkozës, ose Lanabregas, tek ish-Uzina e Traktorëve në Tiranë. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, në shtëpinë dykatëshe ku jetonte familja e ardhur prej vitesh nga Dibra, ndodheshin nëna, motrat, gruaja aktuale e viktimës dhe 3 fëmijët e mitur të viktimës dhe fëmija e gruas së dytë të autorit. Burime nga grupi i ekspertëve që ndodheshin në vendin e ngjarjes thanë se autori nuk ishte mjaftuar vetëm me një të goditur sqepari, por e kishte masakruar 32-vjeçaren duke e goditur pothuajse në të gjitha pjesët e trupit me thikë dhe mjete të tjera të forta. Më pas e ka mbyllur në dhomën ku ajo jetonte me vendimin e gjykatës që kishte caktuar urdhrin e mbrojtjes dhe është larguar për t’u dorëzuar në polici. Policia e Komisariatit Nr. 1 shoqëroi dje për të marrë në pyetje dëshmitarët e ngjarjes, nënën, motrat dhe gruan e autorit, të cilat në momentin kur po drejtoheshin te furgoni i policisë, patën një debat të ashpër me fqinjët, të cilët i akuzonin ato për ngjarjen, duke lëshuar fyerje ndaj tyre.
DHUNA E VAZHDUESHME
Nisur nga 3 urdhra-mbrojtjeje të lëshuar nga Gjykata e Tiranës për viktimën Servete Karoshi, por edhe dhjetëra dëshmitarë të pyetur nga policia, rezulton që autori i krimit e dhunonte vazhdimisht ish-bashkëshorten prej gati tre vitesh. Sipas burimeve nga Policia mësohet se zënkat dhe konfliktet e vazhdueshme mes bashkëshortëve kishin nisur që prej kohës kur Servete Karoshi kishte filluar punë në një fabrikë këpucësh. Këtu kishin nisur zënkat e xhelozisë dhe letrat anonime, që dyshohet se i bënte bashkëshortja aktuale e autorit, 37-vjeçarit Haki Karoshi. Letrat flisnin për një lidhje dashurie që viktima kishte me një tjetër person, por që sipas dëshmitarëve, asgjë që shkruhej aty nuk ishte e vërtetë. Sipas të dhënave hetimore, viktima nuk dhunohej vetëm nga i shoqi, por edhe nga familjarët e tij. Sipas dëshmitarëve të pyetur nga policia, në mënyrë sistematike ajo rrihej nga vjehrra dhe kunatat, përveç ish-bashkëshortit, i cili nuk e lejonte të takonte as fëmijët e mitur.

Gjykata e Tiranës lëshoi 3 urdhra mbrojtje për viktimën që nga 2009
Tirane – Dhuna sistematike që Haki Karoshi ushtronte ndaj ish-bashkëshortes Servete Kashori prej gati 3 vitesh, është detajuar edhe në tre urdhrat e mbrojtjes që Gjykata e Tiranës ka dhënë ndaj viktimës që prej vitit 2009. Viktima për herë të parë ka kërkuar mbrojtje në polici në korrik të vitit 2009, kur edhe kishte nisur procedurat e divorcit me bashkëshortin. Kërkesa e parë është mohuar, ndërsa urdhri i mbrojtjes është dhënë më vonë, kur dhuna psikologjike dhe fizike sa vinin e bëheshin më të rënda për viktimën. Ndërsa urdhri i fundit, që ishte ende në fuqi, është lëshuar nga Gjykata e Tiranës më 15 dhjetor të vitit 2010, pas një kërkese që viktima kishte bërë për mbrojtjen e saj dhe të fëmijëve, Erald dhe Erjona, 12 dhe 6 vjeç. Sipas vendimit të gjykatës, Servete Karoshi pretendonte se dhuna fizike dhe psikologjike ndaj saj ka qenë e vazhdueshme gjatë gjithë jetesës bashkëshortore dhe se shkak për këtë dhunë kanë qenë familjarët e të paditurit (nëna dhe motrat e të paditurit), të cilat ndërhynin në jetën e çiftit duke shkaktuar konflikte në familje. Po kështu, sipas saj, shkak i dhunës ka qenë edhe fakti se bashkëshorti ishte xheloz dhe si rezultat i xhelozisë, ushtron dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Ndërsa i akuzuari, sipas vendimit të gjykatës, nuk pranonte të kishte ushtruar dhunë qoftë fizike apo psikologjike ndaj bashkëshortes. Ndërsa nga ana tjetër kundërshtonte veten duke thënë se shkak për dhunën ishte sjellja e gruas, duke e akuzuar atë për një lidhje jashtëmartesore në punën e saj, duke paraqitur si provë edhe një letër të gjetur në çantën e saj në korrik të vitit 2010. Gjithashtu ai nuk pranonte faktin se familjarët e tij të kishin ndërhyrë në jetën e tyre bashkëshortore, por pohonte se e kishte përzënë bashkëshorten e tij nga shtëpia për shkak të tradhtisë bashkëshortore, fakt ky që, sipas tij, ishte pranuar edhe nga familjarët e së shoqes. Në urdhrin e mbrojtjes, gjykata vendosi që Haki Karoshi të mos e kërcënojë dhe të mos e dhunojë më Servete Karoshin. Gjithashtu, gjykata e urdhëronte atë të mos e ngacmonte dhe të mos e kontaktonte gruan, gjithashtu të mos hynte në dhomën ku do të jetonte ajo. Sipas urdhrit, viktima do të jetonte në një dhomë brenda shtëpisë ku jeton familja e bashkëshortit, dhe do të përdorë të njëjtin tualet me ta. Ndërsa fëmijët e saj do t’i takonte çdo të mërkurë dhe të diel. Ky urdhër ishte lëshuar për një vit dhe përfundonte më 15 dhjetor të këtij viti. Veç kësaj, në vitin 2010, Haki Karoshi është dënuar edhe me 6 muaj burg për pengim të ekzekutimin të vendimit të gjykatës dhe plagosjen e vjehrrit të tij, Muharrem Cajkrri.

Kushëriri i viktimës: E torturonin prej kohësh

I afërmi i viktimës

Tirane – Fqinji i familjes Karoshi, ku ndodhi krimi i rëndë, por edhe kushëri i viktimës, i ardhur nga Dibra në Shkozë, akuzon për vrasjen jo vetëm bashkëshortin, tashmë të arrestuar, por edhe nënat dhe motrat e tij. Ai tregoi dje dhunën e vazhdueshme fizike e psikologjike që gjithë familja e ish-bashkëshortit ushtronte sistematikisht ndaj Servete Karoshit. “E kanë torturuar për tre vjet rresht. Ajo punonte për të mbajtur fëmijët, se ai krimineli ishte pa punë. Por ata e mbyllnin në një dhomë dhe nuk e linin t’i takonte as fëmijët. Letrat në çantë ia fuste gruaja e dytë e Hakiut, sepse asnjë në atë shtëpi nuk e donte dhe donin ta detyronin që ajo të largohej vetë, sepse gjykata e kishte lejuar që të jetonte në një shtëpi me ta, por në një dhomë të veçuar”, tregon kushëriri i viktimës. Sipas tij, autoret e vërteta të ngjarjes janë nëna, kunatat dhe gruaja e dytë e autorit, sepse ato i kishin ngritur kurth dhe herë pas here e detyronin që ai ta rrihte, duke e rrahur edhe vetë në shumë raste. “Ne i kemi shtëpitë shumë afër këtu dhe e dinim këtë histori prej vitesh, sepse ajo kërkonte shumë shpesh ndihmë ngaqë e rrihnin. Para disa muajsh i kanë ardhur vëllezërit dhe babai, por Hakiu ka ushtruar dhunë edhe ndaj tyre. Madje edhe është arrestuar, sepse plagosi vjehrrin. Policia vinte këtu herë pas here, sepse gjithmonë kishte konflikte në këtë shtëpi, por ajo donte të rrinte afër fëmijëve, edhe pse nuk e lejonin t’i takonte”, deklaron fqinji. Ndërsa pranon se armën e krimit, sqeparin, ia ka dhënë autorit dy orë para se të ndodhte ngjarja, pasi e kishte kërkuar për të bërë disa punime në shtëpi.

Dëshmia e autorit
Autori i dyshuar i krimit në familje, Haki Karoshi, pasi ka vrarë ish-bashkëshorten, Servere Karoshi, është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës duke pranuar autorësinë e ngjarjes. Motivi i ngjarjes që ai ka pohuar para oficerëve të Policisë Gjyqësore ka qenë një vazo lulesh. “E vrava se me kishte ardhur në majë të hundës. Nuk e duroja dot më dhe, mbi të gjitha, më shkatërroi edhe një vazo me lule në shtëpi”. Ky ka qenë arsyetimi që autori ka dhënë për ngjarjen pasi është dorëzuar në polici. Nga ana tjetër, nuk e ka përmendur xhelozinë, edhe pse është shprehur se kishte gjetur një letër dashurie në çantën e saj.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura