BURREL – Matjanët kanë treguar emancipimin e tyre teksa kanë votuar më 8 maj për kryetare të Bashkisë së Burrelit, Adelina Farricin, e propozuar në këtë garë nga Partia Socialiste. Gruaja e parë kryebashkiake në këto zgjedhje fitoi me 56.3% të votave kundrejt rivalit të saj, Skënder Lleshi, i cili mori 43.7% të votave. Dje, në orët e para të mëngjesit, nisi numërimi i votave, ndërkohë që të pranishëm në pallatin e sportit “Ferit Hysa”, Burrel, ishin anëtarët e grupeve të numërimit të votave, vëzhguesit e kandidatëve dhe të huaj, si dhe kandidatja e majtë. Në mjediset e tij mungonte kandidati i PD-së, Skënder Lleshi. Rreth orës 15:00 është mësuar se Adelina Farrici kishte siguruar 3439 vota dhe Skënder Lleshi 2665 vota. Kandidatja e Aleancës për të Ardhmen ka fituar në 16 qendrat e votimit 536 vota më shumë se kandidati i Aleancës për Qytetarin. Vetëm pak çaste pas numërimit të kutisë së fundit të votimit, mbështetësit e kandidates Farrici dhe të Partisë Socialiste kanë pushtuar rrugët dhe sheshet e qytetit të Burrelit. Duke valëvitur flamujt e PS-së dhe me brohoritje ata shëtitën në rrugët kryesore të qytetit. Mes tyre ishte edhe kryetarja e ardhshme e Bashkisë së Burrelit, Adelina Farrici. Pranë zyrës elektorale dhe pranë saj të rinjtë e qytetin nisën të kërcejnë dhe të këndojnë. Bashkia e Burrelit është drejtuar nga dy mandate radhazi nga mjeku Skënder Lleshi. Ndërkohë, Adelina Farrici ka mbaruar fakultetin për mësuesi, ka punuar si mësuese dhe drejtore e shkollave të qytetit. Së fundi ka përfunduar “Master” për Ekonomi-Menaxhim. Në fushatën e fundit Farrici ishte më këmbëngulëse në takimet elektorale dhe bisedat mediatike, çka bëri që ajo të gëzonte mbështetje tek qytetarët e Burrelit, sidomos tek të rinjtë. Bashkia e Burrelit në 20 vitet e fundit është drejtuar nga dy kryetarë të majtë dhe dy të djathtë. Në mandatin e parë kishte drejtues mësuesin Ali Zeneli, të dytin Jarosllav Alla, të tretin mjekun Ramiz Palluci, të katërtin e të pestin Skënder Lleshin dhe tani, për katër vjet do ta drejtojë Adelina Farrici, anëtare e Asamblesë së Partisë Socialiste dhe kryetare e PS-së, Burrel. h.p











