Bundesliga: Bajerni humb shkëlqimin pa Shvajnin

Nov 7, 2011 | 12:13

Ausgburg B.Mynih 1-2
Shënues: Hosogai 59’/ Gomez 16′, Riberi 28′
Kartonë të verdhë: Rajnhart/ Rafinja, Riberi
Karton i kuq: Timoshuk 90′
Augsburg: Amsif, Rajnhart, Braker, S.Langkamp, Verhag, Hosogai, Davids (Rafael 80′), Brinkman, Baier, Verner, Mëlders (Kapllani 75′).
Trajner: Jos Luhukai
Bajern: Nojer, Rafinja (Gustavo 68′), Van Bujten, Badshtuber, Lahm, Timoshuk, Alaba, Myler, Kros (Kontento 89′), Riberi (Pranjiç 90′), Gomez.
Trajner: Jup Hejnkes

Bajerni ka fituar ndaj Augsburgut, por pa shkëlqyer. Në këtë përballje ekipi bavarez ka luajtur pa zëvendëskapitenin Shvajnshtaiger, i cili mbeti i dëmtuar në krahun e djathtë dhe për shkak të operimit ai duhet të qëndrojë 6 javë jashtë fushave të blerta. Teksa 66-vjeçari Hejnkes eksperimentoi, sulmuesit Mario Gomez iu deshën 16 minuta të gjente rrugën e rrjetës. Ai shënoi golin e tij të 13-të, ndërsa rezultatin e dyfishoi 12 minuta më vonë francezi Frenk Riberi. Në pjesën e dytë, vendësit po kërkonin golin dhe ka qenë pikërisht mesfushori Hosogai që ka thyer portierin Manuel Nojer, duke ngushtuar diferencën në minutën e 59-të. Nën trysninë e një derbi, trajneri i Augsburgut, Jos Luhukai, i ka besuar bomberit shqiptar, Edmond Kapllani, i cili ka zëvendësuar në minutën e 75-të kolegun e tij, Mëlders. Durrsaku ka rrezikuar disa herë portën e mbrojtur nga Manuel Nojer, por mbrojtja e hekurt e bavarezëve ka bërë që rezultati të mbetej i pandryshuar. Pas shumë përpjekjeve për të shënuar golin e tretë, Bajerni duket se e ka pasur shumë të vështirë të dalë në lojë pa Shvajnshtaiger, megjithatë rekordmenët duket se janë kursyer duke rezervuar golat për supersfidën e ardhshme kundër Dortmundit. Me këtë trepikësh, rekordmenët shkëputen 5 pikë larg kampionëve, por javën e ardhshme do luajnë pa mesfushorin Timoshuk, i cili u ndëshkua me karton të kuq në minutën e fundit të takimit.
Spektakël e gola në Hanover-Shalke
Dy skuadrat përfaqësuese të Gjermanisë në Ligën e Europës e kanë mbyllur në barazim 2-2 duelin e tyre në Bundesligë. Skuadra e Shalkes vazhdon të mos pësojë humbje nën drejtimin e holandezit Hub Stivens. Në duelin ndaj Hanoverit, Stivens ka aktivizuar talentin 21-vjeçar nga Finlanda, Puki, në vend të sulmuesit Huntelar. Miqtë nga Gelzenkirshe janë vetëndëshkuar në këtë përballje, pasi kanë shënuar tre gola, por fatkeqësisht, njëri autogol. Goli i vetëm i vendësve u shënua nga Abdelau, por dopieta e Pukit ka bërë që sfida të përfundojë në barazim 2-2.

© Panorama.al

Te lidhura