
BULQIZE – Dhjetë minatorë do të nisin ditën e hënë një tjetër grevë urie në mjediset e ACR-së në Bulqizë. Lajmi u bë i ditur dje në mesditë nga kryetari i këshillit sindikal të minatorëve të Bulqizës, Dilaver Përkoxha. Ai tha se të gjithë minatorët e pranishëm në këtë mbledhje të rëndësishme ranë dakord që ditën e hënë, 10 nga 700 minatorët, të hyjnë në grevë urie pa afat, deri në zgjidhjen përfundimtare të kërkesave të tyre. “Prej ditësh, nga ACR nuk vjen ndonjë reagim. Kjo do të thotë se pronarët e saj na kanë harruar dhe nuk duan t’ia dinë për ne”. Sipas numrit një të sindikatave të minatorëve të Bulqizës, është sosur durimi i minatorëve. Janë të shumtë ata që pranojnë se duhet të rinisë një tjetër grevë urie, por numri i pjesëmarrësve është limituar qëllimisht. “Ne kemi vendosur që 10 minatorë, jo ato të grevës së parë, të hyjnë në grevë urie. Ajo nuk do të zhvillohet në thellësitë e minierës, por në mjediset e ACR-së, ose në zyrat e ndërmarrjes, ose në pjacale, aty ku grumbullohet kromi, do të montohet një çadër për grevistët”, theksoi Përkoxha. Burime të rezervuara informacioni saktësojnë se nuk është vendosur përfundimisht vendi ku do të ngujohen minatorët. Kjo për dy arsye: së pari, minatorët kanë frikë se forcat e shumta të policisë do t’i pengojnë minatorët në lëvizjen e tyre sindikaliste dhe, së dyti, nuk është marrë një vendim përfundimtar në lidhje me këtë çështje. “Pjesëmarrës në këtë grevë do të jenë minatorë, zjarrmëtarë, vagonistë, mirëmbajtës, elektricistë e profesione të tjera në minierë”, nënvizoi kreu sindikalist, teksa shtoi se “këtë herë minatorët nuk dalin të gjallë nga greva pa u plotësuar të gjitha kërkesat ekonomike të tyre”. Protesta e minatorëve po arrin ditën e 80-të që nga nisja, përfshirë këtu dhe grevën e urisë, që zgjati 26 ditë të plota. Që nga kjo kohë, askush nga minatorët e ACR-së nuk është paguar, duke iu shkaktuar një krizë ekonomike për familjet e tyre. Megjithëse disa herë janë përpiluar marrëveshje në letër mes dy palëve, as minatorët e as kompania austriake nuk kanë rënë dakord, për shkak të kërkesave që nuk plotësohen nga njëra apo tjetra. Pika më e kontestueshme është largimi i drejtorit të minierës, fakt që nuk pranohet nga ACR. Kjo e fundit ka kërkuar nga minatorët të vazhdojnë punën, por deri tani askush nuk e ka zbatuar këtë. h.p











