Bulqiza, Tahiri: Pas aferave qëndrojnë zyrtarë të PD-së

Sep 14, 2011 | 11:02
Sajmir Tahiri dje ne Kuvend

Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, akuzoi dje zyrtarë të lartë të PD-së, por dhe zv.drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Agron Kuliçaj, për korrupsion me minierat e Bulqizës.Këtë deklaratë Tahiri e bëri gjatë interpelancës me ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Nasip Naço. “Pasuritë minerare në Bulqizë shfrytëzohen nga 130 kompani të licencuara, prej të cilave, 90 janë licencuar në kohën e Genc Rulit. Vetëm në Bulqizë janë 40 kompani, shumica e tyre fshihen pas emrave anonimë dhe pas tyre fshihen njerëz të pushtetshëm. Shtetasi Eduard Keta, vëllai i kryetarit të Bashkisë dhe kryetarit të degës së PD-së në Bulqizë, Roland Ketës, zotëron të ashtuquajturën Zonë D në Bulqizë dhe 4 leje për shfrytëzim dhe stok materiali. Ju thatë që ia keni pezulluar, zoti ministër. Më e pakta është që gënjeni ose nuk dini se çfarë ndodh në Ministrinë tuaj.
Në zonën “D” punohet. E gjithë kjo situatë nuk është nga papërgjegjshmëria, por edhe nga korrupsioni. Komanda e korrupsionit, ai që mbahet me gangsterë e polici, pushtet e ryshfete, kalon nga Roland Keta, kryetari i Bashkisë. Kontrabanda shkon dhe më lart, te të paprekshmit e familjes Berisha. Emri i Agron Kuliçajt lidhet drejtpërdrejt me kontrabandën e mineraleve”, u shpreh Tahiri. Por, në këtë moment, deputeti demokrat, Jemin Gjana, është afruar te foltorja e Parlamentit ku fliste Tahiri. Kanë qenë punonjësit e Gardës që nuk kanë lejuar që prezenca e tij pranë deputetit socialist të mos degjenerojë në sherr, ndërsa kryetarja e Kuvendit e ndërpreu seancën për pak minuta. Tahiri tregoi në seancë një e mail të vëllait të kryetarit të bashkisë së Bulqizës, Eduard Keta, i cili i kërkonte administratorit të ACR që të niste puna në minierë duke ofruar njerëz që ishin kundër grevës së urisë së minatorëve. Në vijim, Tahiri tha se në Bulqizë po konsumohet një Gërdec pa zhurmë, ndërsa shpjegoi, sipas tij, dhe skemën e korrupsionit se si ish-ministri Ruli krijoi kompaninë “ACR” me bashkëpunëtorë dhe miq të tij. Historia e koncesionit në atë minierë është transformuar në një marrëdhënie korruptive dhe të jashtëligjshme. “Si fillim, marrëveshja koncesionare është lidhur mes shtetit dhe DARFO-s, por pastaj DARFO u zhduk pa shpallur faliment, duke marrë edhe arkëtimin e milionave që kishte fituar në atë moment. Me ndryshim emri u fut në lojë një tjetër kompani, ACR. Në 2007-n, kur fitoi të drejtën për të shfrytëzuar Bulqizën, kishte 7 vjet që mbijetonte në treg. E themeluar në vitin 2000, përfaqësuesit e saj kanë qenë Kristo Rodi dhe Eduard Belegu. Rodi, shok klase dhe mik i ngushtë me Genc Rulin. Në kohën kur ACR-ja zëvendësoi DARFO-n, ishte ministër Ruli”, u shpreh Tahiri.

Kuliçaj, padi Tahirit

Zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, padit në gjykatë për shpifje deputetin e PS-së, Sajmir Tahiri, pas akuzave të bëra dje në Parlament. Me anë të një deklarate, Policia e Shtetit përgënjeshtroi dje akuzat e paraqitura në seancën plenare të Kuvendit nga deputeti Sajmir Tahiri për lidhje me kontrabandën e mineraleve të zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj. “Policia e Shtetit i konsideron këto akuza presione të papranueshme kundër punës së Policisë së Shtetit në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në reagimin e Policisë.

Naço: ACR-së i pezulluam lejen, konstatuam shkelje
Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, në përgjigje të shqetësimeve të socialistëve, sqaroi të gjitha veprimet që ka ndërmarrë kjo ministri ndaj kontratave të parealizuara duke vendosur dhe penalitete. “Një arsye e rëndësishme e pezullimit të aktivitetit minerar në Zonën D, ishte fakti se ACR-ja, në 2010-n ka lidhur disa kontrata nënkontraktore me subjekte të tjera që operojnë në këtë fushë, pa miratimin e Ministrisë, që është në kundërshtim të plotë më kontratën koncesionare. METE vendosi pezullimin e menjëhershëm të lejes minerare në Zonën D dhe shpalljen e pavlefshme të të gjitha marrëveshjeve nënkontraktore që shoqëria ‘ACR’ ishte lidhur me subjektet lokale që në vitin 2010, duke urdhëruar që aktiviteti në këtë zonë do të kryhet vetëm nga shoqëria koncesionare ‘ACR’”. Naço tha gjithashtu se “drejtuesit e grevës po spekulojnë me interesat e ligjshme të minatorëve dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet për të larguar kompaninë ‘ACR’, me synimin e qartë për t’u kthyer nga sindikalistë në biznesmenë”.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura