BSH: Kreditë e këqija arritën 19 për qind

Jan 10, 2012 | 10:29

Kreditë e këqija në muajin tetor kanë kapur nivelin rreth 19 për qind. Në raportin statistikor të Bankës së Shqipërisë reflektohet edhe niveli i kredive me probleme të ndara sipas disa kategorive. Kështu, pjesa më e madhe e kredive janë hua nënstandarte në nivelin 8.77 për qind, huat e dyshimta zënë 4.15 për qind të totalit të kredive të dhëna nga sektori bankar, ndërkohë që huat e humbura vlerësohen të jenë në nivelin 5.11 për qind. Nga rritja e nivelit të kredive të këqija bankat janë detyruar të rrisin edhe nivelin e provigjoneve, të cilat mbulojnë një nivel 10.21 për qind të kredive të këqija. Banka e Shqipërisë, në vazhdimësi u ka bërë thirrje bankave të nivelit të dytë që të jenë më të kujdesshme në ndjekjen e kredive me probleme, ndërkohë që është kërkuar bashkëpunim me sistemin gjyqësor për të zgjidhur problemin me kolateralet. Një shqetësim i vazhdueshëm lidhur me rritjen e kredive me probleme ka shprehur në mënyrë të vazhdueshme opozita, deputetë të së cilës e shohin problemin te mundësia që u është krijuar bizneseve. Që pas krizës ekonomike globale, biznesi hasi në vështirësi të vazhdueshme dhe tashmë shqetësim përbën edhe kriza e eurozonës klimë që nuk favorizon aspak biznesin dhe e ka vënë atë në vështirësi likuiditeti. Bashkëpunimi i biznesit me bankat e nivelit të dytë është diskutuar jo rrallëherë për të gjetur një zgjidhje mbi vendosjen e marrëdhënieve të reja mes palëve për të mundësuar shlyerje të kredive në një afat më të gjatë dhe me kushte më të përshtatshme.

© Panorama.al

Te lidhura