Brazili në “gijotinë”, lojtarët: Faji i fushës

Jul 19, 2011 | 11:22

Nuk patën kohë as për të festuar eliminimin e të urryerës Argjentinë. Favoritët e tjerë për të ngritur Kupën e Amerikës kanë përfunduar në “gijotinë”-n e medias pas eliminimit shokues në çerekfinale nga Paraguai. Të gjitha mediat vendase nënvijëzojnë faktin se djemtë e Mano Menezes “nuk patën as kënaqësinë të argëtoheshin me argjentinasit, të cilët tani kanë më shumë arsye për t’u tallur me rivalët e përjetshëm”. “Një mbrëmje me këmbë të dërrmuara”, ishte titulli i “Uol”, ndërsa “Folha de Sao Paolo” tregohej e pamëshirshme: “Poshtërim”. “Globoesporte” vazhdonte krahasimin me Argjentinën dhe kujton tre penalltitë e gabuara nga kjo Kombëtare kundër Kolumbisë në Kupën e Amerikës së vitit 1999. “Brazili është i tmerrshëm në penallti dhe humbet kundër Paraguait. Pasi ka masakruar kundërshtarin si gjatë 90 minutave ashtu edhe në shtesë, humbasin nga pika e bardhë dhe eliminohen”. Më shumë se sa Menezes, kësaj radhe ishin lojtarët përgjegjësit kryesorë që sollën eliminimin e “seleccaos”. Po të kishin shfrytëzuar më mirë rastet e krijuara, sot Brazili do ta kishte rrugën e hapur drejt finales. Si Elano ashtu edhe portieri Hulio Sezar fajësuan terrenin e stadiumit “Ciudad de La Plata”. Ekzekutuesi i penalltisë së parë të Brazilit tha: Është e vështirë t’i shpjegosh këto gjera. Ndiej një hidhërim të madh, por na kushtëzoi fusha e tmerrshme”. I të njëjtit mendim ishte edhe portieri i Interit: “Ju e patë me sytë tuaj. Arbitri ishte shumë afër për të kontrolluar pikën e bardhë, së cilës nuk i kishte mbetur më asnjë fije bar”.

© Panorama.al

Te lidhura