Braçe: PS duhet të dalë nga kllapia, po sillet si humbëse

May 31, 2011 | 10:01

Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erion Braçe, reagon ndaj qëndrimit që PS po mban në këto momente ndaj rezultatit të Tiranës.Në adresën e tij në rrjetin social “Facebook”, Braçe, jo pa indinjatë, i kërkon lidershipit të Partisë Socialiste të ndryshojë sjellje dhe të mos sillet si humbës, por të kërkojë të drejtën në çdo rrugë, pasi, sipas tij, qytetarët e kanë votuar në shumicë. “Partia Socialiste duhet të dalë nga kllapia! 1. Më 8 maj shqiptarët i dhanë dy mandate të qarta: një mandat politik, partia më e madhe e më e votuar në vend. 2. Mandat qeverisës, pasi do të qeverisë 2/3 e qytetarëve në këtë vend”, shprehet Braçe në profilin e tij në rrjetin social. Duke bërë këtë analizë, nënkryetari i Grupit Parlamentar dhe anëtar i Kryesisë socialiste, bën apel për një reagim të fortë përmes institucioneve dhe jashtë tyre. “Por PS po sillet si humbëse, jo si e zgjedhura e njerëzve. Partia Socialiste duhet t’i përdorë këto dy mandate për t’i dhënë zgjidhje problemit të demokracisë në rrugë institucionale e në rrugë jashtinstitucionale. Tani!”, shprehet Braçe. Kjo deklaratë e nënkryetarit të Grupit të deputetëve ka gjetur një përkrahje të madhe nga miqtë e tij të rrjetit social, të cilët, nga ana e tyre, bëjnë dhe komente për këtë qëndrim të Partisë Socialiste. Janë mbi 32 komente që i japin përgjigje shqetësimit të Braçes e që i kërkojnë atij veprim konkret nga ana e PS-së.
Komenti i Braçes është bërë në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, ndërkohë që Grupi i deputetëve socialistë nuk zhvilloi mbledhjen e radhës së tij, si zakonisht, çdo të hënë. Kjo për shkak se nuk ka asnjë lëvizje nga vendimi i marrë javën e shkuar për bojkot të Parlamentit në komisione dhe seancë, deri në daljen e vendimit të Kolegjit Zgjedhor për Tiranën. Në mbledhjen e fundit Braçe nuk ka shprehur asnjë qëndrim të tijin për çështjen e bojkotit, por pak ditë para këtij vendimi ai mësohet të ketë replikuar ashpër me kryesocialistin Rama për ndërprerjen e protestës së deputetëve dhe mbështetësve të tyre para godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Braçe e ka cilësuar tërheqje nga qëndrimi i prerë që PS duhet të mbajë ndaj veprimeve të KQZ-së dhe mohimit të rezultatit paraprak të Tiranës. Në pamundësi për t’u shprehur para forumeve të Partisë Socialiste, Braçe u përgjigjet miqve të tij në Facebook se do të vazhdojë sërish sot komunikimin e tij në këtë rrjet social lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit. “Besoj, nesër (sot), do të kem mundësi të ndaj me të gjithë ju disa mendime mbi: Reflektim mbi një fitore që duhet administruar dhe përdorur për të zgjidhur problemin e madh të demokracisë”, ku ai pritet të shfaqë mendimet e tij ndryshe nga qëndrimi zyrtar i lidershipit socialist.

Apeli për protesta në Tiranë

Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erion Braçe, në mënyrë të përsëritur, menjëherë pasi KQZ vendosi të hapë kutitë dhe të numërojë fletët e hedhura gabim, kërkoi grumbullime në Tiranë, në protesta, të mbështetësve të PS. Ai u kërkoi simpatizantëve të nisen nga të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe të qëndrojnë para KQZ-së deri në shpalljen e rezultatit të Tiranës. Por, protestat e PS, të cilat ditët e para përpara godinës së KQZ-së çuan deri në përplasje me policinë, u zbutën dhe u mbyllën pas ndërhyrjes së trojkës diplomatike, ambasadorit amerikan, Arvizu, ambasadorit të BE-së në Tiranë, Sequi dhe atij të OSBE-së, Volfarth.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura