Shpërndarja e anëtarëve të Kryesisë në qarqe mban ende ndezur debatin brenda drejtuesve të PS
“Të zëvendësohet sekretari Organizativ, dështuan zgjedhjet në parti”
Anëtari i Kryesisë socialiste, Erjon Braçe, akuzoi dje sekretarin Organizativ në PS, Blendi Klosi, se ka dështuar në zgjedhjet në këtë parti në 117 njësi vendore. Sipas tij, në 1/3 e degëve të PS, përfshi dhe kryeqytetin, nuk u zhvilluan zgjedhjet as para Kongresit dhe as pas tij. “Sapo pashë në Top Channel sekretarin Organizativ të PS në rolin e një provokatori të qëllimtë. A e dini se sot ne PS nuk janë kryer zgjedhjet e drejtuesve të PS në 117 njësi vendore, ku është e organizuar Partia? Pra, në më shumë se 1/3 e tyre. Duke nisur nga kryeqyteti i Shqipërisë dhe PS-së, Tirana! Zgjedhjet në PS janë mbajtur javë të tëra para Kongresit të PS! Në këto njësi nuk u mbajtën në periudhën normale e nuk janë mbajtur as 2 muaj pas Kongresit, duke paralizuar veprimtarinë e PS-së atje. E dini kush është përgjegjës për këtë? Sekretari Organizativ dhe drejtuesit politikë të PS-së në Kryesi, Asamble e degët lokale të PS-së të ngarkuar për këto zona”, shprehet Braçe në profilin e tij në Facebook. Shkak për këtë reagim të Braçes ishte një deklaratë e dhënë nga sekretari Organizativ Klosi në “Top Channel”, lidhur me pakënaqësitë për delegimin e anëtarëve të Kryesisë në qarqe. Sipas Klosit, në fokus të reformës që po zhvillohet në PS, është maksimalizimi i rezultateve dhe rritja e efikasitetit të strukturave të Partisë Socialiste, në të gjitha zonat e vendit. “Kjo është një ndarje që ka të bëjë me një program politik, i cili u miratua edhe në Kryesi edhe ne Asamble, ka detyra dhe afate konkrete, mbi të cilat do të punojë gjithsecili nga ne. Askush nuk është i pazëvendësueshëm në këtë parti, askush nuk është i pakritikueshëm dhe do të jetë puna e gjithsecilit që do të jetë kriteri bazë, vlerësimi për çdo anëtar Kryesie, për çdo anëtar të Asamblesë Kombëtare, për çdo të zgjedhur të kësaj partie. Jemi të gjithë jo në shërbim të një grupi të caktuar, jemi të gjithë në shërbim të shumicës së popullsisë që nuk do më të qeveriset nga Sali Berisha”, tha Klosi. Duke iu përgjigjur Klosit, nënkryetari i Grupit Parlamentar, Erjon Braçe, u shpreh në Facebook se në PS mungon përgjegjshmëria dhe analiza e punës së secilit. “Problem në këtë parti nuk është zëvendësueshmëria e pamotivuar, por mungesa e përgjegjësisë ndaj detyrës dhe analiza e përgjegjësisë së gjithsecilit! Nëse flasim për ‘zëvendësueshmëri’, i pari i zëvendësueshëm duhet të jetë sekretari Organizativ! Pastaj me radhë, të gjithë ata drejtues politikë të çdo niveli që kanë krijuar gropa të tilla në veprimtarinë partiake, por edhe elektorale. Gjithnjë në kuptim të përgjegjësisë ndaj detyrës dhe punës!”, shprehet Braçe ndaj deklaratës së Klosit. Pas kësaj deklarate të Braçes, sekretari Organizativ nuk dëshiroi të japë një përgjigje, por u shpreh shkurt se “Partia Socialiste është një parti e madhe me diversitet të madh mendimi, ku ka vend për të gjithë”.
Kryesia shpërndan anëtarët
Të dielën paradite, para mbledhjes së Asamblesë, që ka zgjatur vetëm pak minuta, kryesocialisti u komunikoi anëtarëve të Kryesisë grafikun e ndarjes së secilit në 12 qarqet e vendit. Lista kishte një qarkullim të plotë të anëtarëve të Kryesisë, duke i lëvizur ata krejtësisht nga qarqet aktuale. Kjo lëvizje nuk është pritur pozitivisht nga të gjithë anëtarët e Kryesisë, duke e cilësuar të motivuar jo siç duhet.
Rama: Nuk ka rebelime
Kreu i PS, Rama
Kreu socialist, përmes një shkrimi në përgjigje të botimeve në media për diskutimet në mbledhjen e Asamblesë, mohoi se aty ka pasur mendime kundër apo rebelime. “Ashtu sikundër s’ka pasur, siç është shkruar sot, as “rebelime” në kuptimin e keq të fjalës nga përfaqësues vendorë a grup deputetësh në Asamble, po vetëm opinione të shprehura lirisht në diskutimin e brendshëm. E si gjithmonë, në fund të diskutimit janë marrë edhe vendimet përkatëse, pa asnjë vështirësi a cenim të frymës demokratike”, shprehet Rama në shkrimin e tij.